E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, qeveria saboton “kohën e pjesshme” në shtet për ta kaluar në privat



Qeveria po saboton studimet me kohë të pjesshme në universitetet publike për t’i kaluar ato në universitetet private. Ky është qëndrimi që mbajnë disa nga drejtuesit e universiteteve publike të vendit për vonesën e krijuar për nisjen e këtyre studimeve. Sipas udhëzimit për fillimin e vitit akademik 2008-2009 në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, që mban firmën e ministrit të Arsimit Fatos Beja, studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë duhet të nisnin në datën 10 nëntor. Po në këtë datë, sipas Bejës, duhet të fillonin edhe programet e studimit të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, me kohë të plotë. Megjithëse kanë kaluar 11 ditë nga ky afat, këto studime jo vetëm që nuk kanë nisur, por nuk dihet as se kur do të nisin. Përballë kësaj situate, procedurat për nisjen e studimeve me kohë të pjesshme dhe “Master i Nivelit të Dytë” në fakultetet, ku do të ofrohen këto studime, janë të paralizuara. Madje, as vetë drejtuesit e tyre nuk dinë se çfarë përgjigjeje duhet t’i kthejnë të interesuarve që paraqiten çdo ditë pranë fakulteteve përkatëse.

Reagon dekani i Juridikut: “Godina e shkollës “Migjeni” nuk është gati”

Rikonstruksioni i shkollës “Migjeni” do t’i mbajë ende për disa ditë larg mësimit studentët e Juridikut dhe Shkencave Sociale në Tiranë. Ndonëse Ministria e Arsimit vendosi që shkolla “Migjeni” të vihet në dispozicion të studentëve, godina e kësaj shkolle nuk është gati për t’i pritur së shpejti ata. Ky shqetësim është ngritur dje nga dekani i Fakultetit Juridik, Skënder Kaçupi, sipas të cilit godina e shkollës “Migjeni” ka nevojë për shumë ndërhyrje duke filluar që nga vendosja e xhamave, sistemi i ngrohjes e deri te lyerja. Burime nga Rektorati i Universitetit të Tiranës bëjnë të ditur se sot do të ketë një përgjigje zyrtare me shkrim nëse godina e Fakultetit të Drejtësisë paraqet elemente rreziku për shembje. Grupi i ekspertëve, i ngritur për verifikimin e godinës, drejtohet nga zëvendësministri i Transporteve, Stavri Ristani. Studentët e Juridikut dhe Shkencave Sociale kanë më shumë se një javë pa mësim. Ata presin një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit nga institucionet përgjegjëse pasi vetëm një muaj e gjysmë i ndan nga sezoni i provimeve të para.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›