E Shtunë, 31 Tetor 2026

62-vjeçarin e lë zemra, dyshohet për vdekje nga i ftohti



DURRËS – Një burrë është gjetur i vdekur në Durrës dhe dyshimet më të forta janë se ai ka humbur jetën si pasojë e ndikimit nga i ftohti që ka përfshirë vendin. Tomor Qamil Bunguri, 62 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shën Vlash Durrës, ka qenë duke kullotur bagëtinë pranë banesës së tij. Rreth orës 13:00 kalimtarë të rastit e kanë gjetur atë të shtrirë në tokë pa shenja jete dhe menjëherë e kane dërguar në banesë. Kufoma i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore, nga përfundimet e së cilës ka rezultuar se nuk ka pasur asnjë dëmtim të jashtëm dhe vdekja ka ardhur si pasojë e infarktit, i nxitur nga acari i ditëve të fundit.

Gruaja e denoncon për dhunë, i gjendet arma në banesë

DURRËS – Bashkëshortja e ka denoncuar për ushtrim dhune, por gjatë kontrollit në banesën e tij, policia i ka gjetur një armë zjarri që e mbante pa leje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Shpëtim Mborja, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 17. Tri ditë më parë është paraqitur në polici shtetasja E. M. (bashkëshortja e tij), e cila ka bërë kallëzim ndaj 44-vjeçarit për ushtrim dhune, fizike e psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, duke e kërcënuar dhe rrahur. Pasi është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për gruan, policia bëri një kontroll në banesën e Mborjes dhe gjeti një armë zjarri. Tashmë shtetasi Shpëtim Mbroja hetohet jo vetëm për ushtrim dhune, por edhe për armë mbajtje pa leje.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›