E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi-Sarkozy, marrëveshje për bashkëpunim bërthamor

Kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe Presidenti francez Nikolas Sarkozi kanë mbajtur një samit bilateral në Romë, ku kanë firmosur një marrëveshje për bashkëpunimin bërthamor midis dy vendeve. Italia, shteti i vetëm i grupit të tetë vendeve më të industrializuara në botë që nuk është fuqi bërthamore, kërkon të rigjallërojë industrinë e energjisë nukleare me ndihmën e Francës, lideres europiane në këtë fushë. Italianët kanë votuar në një referendum në nëntor të vitit 1987 për mbylljen e impianteve bërthamore ekzistuese të kohës, dhe vendosjen e një moratoriumi ndalues, pas tragjedisë së Çernobilit në Ukrainë më 1986-ën. Qeveria e qendrës së djathtë e drejtuar nga Silvio Berluskoni ka bërë thirrje për një ringjallje të programeve bërthamore që kur është rikthyer në pushtet në prill të vitit 2008. "Duhet të zgjohemi nga gjumi, sepse e ardhmja i përket energjisë së rinovueshme dhe asaj nukleare", ka deklaruar Berlsukoni. Ndërsa Sarkozi e ka cilësuar si historike marrëveshjen dhe ka afirmuar se Franca do të ofrojë për Italinë një partneritet të palimituar në fushën e energjisë bërthamore. Por qeverisë italiane i duhet të përballet me një opozitë të fortë të opinionit publik në vend. Berluskoni, i cili gëzon një shumicë të fortë parlamentare, kërkon ngritjen e katër reaktorëve të rinj bërthamorë për dhjetë vitet e ardhshme. Mbështetësit e qeverisë së Berluskonit shprehen se Italisë i nevojitet energji nukleare për të lehtësuar me 80 deri më 85 përqind varësinë nga lëndët djegëse që vijnë nga importet. Paqëndrueshmëria në cmimet e naftës dhe përplasjet mes Rusisë dhe Ukrainës për gazin kanë rritur rrezikun në furnizimet energjitike të Europës. Ndërkohë që kriza ekonomike globale ka qënë argument tjetër i ditës. Berluskoni ka theksuar se sistemi bankar italian është shumë i qëndrueshëm dhe se nuk është nevoja e nacionalizimit të bankave në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›