E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,Kermabon:Gjykatësit vendorë do të rikthehen

Kreu i misionit EULEX Iv de Kermabon ka deklaruar se rifunksionalizimi i gjykatave në veri të Kosovës është një çështje shumë e rëndësishme për sigurinë në veri të Mitrovicës. Kermabon i bëri këto komente gjatë një vizite në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Kermabon tha se nuk mund ta dijë për momentin se kur do të kthehen gjykatësit dhe prokurorët vendorë në punë. Ai tha se aktualisht, gjykatat në veri të Mitrovicës funksionojnë vetëm me personelin e BE-së, përkatësisht EULEX-it. "Ne po punojmë që t'i kthejmë sa më shpejt që të jetë e mundur gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe ata serbë në punë, në mënyrë që këto gjykata të fillojnë punën sërish. Ka shumë raste që presin të shqyrtohen, por momentalisht këtu kemi vetëm prokurorët dhe gjykatësit e BE-së", është shprehur Kermabon. Ai e ka vlerësuar si të mirë gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, ku sipas tij, organet e rendit po e kryejnë shumë mirë punën e tyre. "Aktualisht, gjendja e sigurisë është e mirë, kurse policia po kryen punën e vet. Ka hapësirë për përmirësime, prandaj edhe ne jemi këtu, që të ndërhyjmë e të përkrahim policinë vendase", tha shefi i EULEX, Kermabon. Në lidhje me paralajmërimet në Beograd për disa vizita të nivelit të lartë të zyrtarëve të shtetit serb në Kosovë, Kermabon tha se misioni i tij nuk vendos nëse do të lejohen apo jo këto vizita, por në rast se realizohen, EULEX-i, sipas Kermabon, mund të marrë përsipër sigurimin e eskortave të zyrtarëve serbë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të sigurisë që kërkohet në këto raste.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›