Rusi,transferohet i burgosuri miliarder, Kodorkovski
I burgosuri Mikail Kodorkovski, ish-kreu i kompanisë ruse të naftës "Jukos", si dhe ish-njeriu më i pasur në Rusi, është transferuar nga burgu i tij në Siberi, për në kryeqytetin Moskë, për t'u përballur me akuza të reja në një seancë gjyqësore në kryeqytetin e vendit. Gjithashtu dhe ish-partneri i tij në biznes Platon Lebedev është transferuar në kryeqytet nga burgu i tij në rajonin e Çitas. Kodorkovski ishte dënuar me nëntë vite burg më 2005-ën, për evazion fiskal dhe shkelje të tjera. Ai do të përballet edhe me akuza për vjedhje dhe përvetësim muajin e ardhshëm. Përkrahësit e Kodorkovskit shprehen se autoritetet kërkojnë ta mbajnë atë pas hekurave sa më gjatë dhe insistojnë që akuzat ndaj tij janë politike, pasi Kodorkovski kishte themeluar grupin opozitar rus. Seanca e parë dëgjimore është programuar të mbahet më datë 3 mars në gjykatën e distriktit të Kamovniçeskit. Agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar se dy ish-biznesmenët akuzohen për përvetësimin e rreth një trilionë rublave, ose 27 miliardë dollarëve, si dhe pastrimin e 450 miliardë rublave të tjera. Kodorkovski ka vuajtur deri më tani dënimin në Krasnokamensk, në rajonin lindor të Siberisë Çita, pranë kufirit me Kinën, rreth 4 mijë e 700 kilometra në lindje të Moskës. Ai mbetet një kritik i fortë i Kremlinit. Kodorkovski akuzon kryeministrin rus Vladimir Putin se ka përdorur ligjin për të shenjëstruar armiqtë e tij politikë, vecanërisht biznesmenët si ai. Kompania e naftës "Jukos", dikur më e madhja në Rusi, deklaroi falimentimin në vitin 2006, dhe pushoi së ekzistuari në nëntor të 2007-ës.