E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi mes agonisë dhe mbijetesës

Italia nuk rresht së na kujtuari se ç'nivel ngjashmërish mund të frymëzojë ende për politikëbërësit e bregut lindor që ndodhet përballë saj. Sikur të mos mjaftonte përvetësimi që Tirana zyrtare i ka bërë Romës - po aq zyrtare - nëpër batuta rasti e madhështira të stisura, tashmë vijnë edhe pazaret parlamentare. Qeverisë dhe sidomos mënyrës qeverisëse të z. Berlusconi po u afrohet "krehri në nyje" sipas një shprehjeje të famshme italiane. Qysh prej çarjes brenda shumicës para verës, e deri tek shkëputja përfundimtare e njërës prej shtyllave të saj, përfaqësuar nga z. Gianfranco Fini, vijimi i normalitetit politik ka qenë thuajse i pamundur. Çështja, me kalimin e muajve, ka kapërcyer kangjellat e mbyllura të Kryeministrisë dhe ka marrë xhadenë e Parlamentit, ku të martën pritet të bëhet votëbesimi ndaj qeverisë. Duket se ky do të jetë akti i fundit, nëpërmjet të cilit kryetari i Dhomës së Ulët të ekzekutivit italian kërkon të kushtëzojë Berlusconi-n. Është në fakt një përligjje e gjithë asaj grindjeje disamujore e cila shtyu Fini-n të dalë nga partia e bashkëthemeluar me kreun e qeverisë dhe të mundësojë krijimin e një lëvizje të re politike. Deri më tani kjo e fundit, edhe pse jo pjesë formale e koalicionit qeverisës, i kish siguruar këtij një mbështetje të vyer nga jashtë, por me disa kushte reformash, të cilat mesa duket Berlusconi nuk i mori aspak parasysh. Kaq ka mjaftuar që marrëdhëniet të përkeqësohen edhe më tej, duke krijuar shëmbëlltyrën e një krize qeveritare. Ngjasimet mes dy motrave politike të Adriatikut përqasen edhe në brishtësinë e votave në Parlament, pasi, njësoj si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, shumica duket se i numëron me gishta numrat e saj. I ndodhur përpara paqartësisë nëse i kish apo jo votat e duhura në Parlament, për të vazhduar veprën e vet politike, Kryeministri italian parapëlqeu të përballej me votëbesimin. Në rast se ndeshja e kartonëve nuk do t’i japë të drejtë vetëbesimit të Berlusconi-t, atëherë gjendja do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Skenari i sapopërmendur, edhe pse aspak optimist, është ai që ka paralajmëruar Kryeministri vetë nëse nuk do të arrijë triumfin përpara plëngprishësve të dalë nga vetë partia e tij. I bindur dhe i ushqyer me portretin e tij të suksesshëm, politikani më i diskutuar i dy dekadave të fundit në Itali, ecën drejt një tjetër vetëbesimi: që qytetarët (fjala "popull" haset më shpesh në këtë rast) e duan dhe do t’i japin një tjetër mbështetje. Mund të duket paradoksale, por zgjedhjet e parakohshme në Itali i dëshiron më tepër shumica sesa opozita. Berlusconi thotë se nga ana e tij ka elektoratin, njerëzit e thjeshte dhe të tilla pasthirrje populiste prej tij nuk përbëjnë ndonjë risi. Nga ana tjetër, qendra e majtë disi u beson sondazheve të cilat e japin humbëse përpara kundërshtarit qeverisës. Ajo çka partia e Bersani-t kërkon nga dita e martë është dorëheqja e Berlusconi-t, por e ndjekur nga një qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse. Është një paçavure parlamentare, por që është luajtur një herë edhe në 1995-n, atëherë kur "il Cavaliere", për herë të parë, humbi votëbesimin në Parlament. Nëpërmjet saj, Partia Demokratike e majtë shpreson të fitojë kohë, duke riorganizuar bazën e saj tejet të burokratizuar dhe sidomos të vendosë paqen brenda kreut të saj ende të paqartë. Cilësisht Bersani e ka përfaqësueshmërinë e duhur intelektuale; por për një vend i cili ende i thur lavde idesë komanduese të udhëheqësit (ndoshta duhet U-ja e madhe) Bersani nuk është aspak karizmatik.

E njëjta frikë vërehet edhe te Fini, i cili ende nuk e ka gjetur vendndodhjen e tij në rregullat e shahut politik italian. Fillimisht, krijesa e tij politike nuk është e përgatitur për beteja elektorale, pasi u themelua vetëm pak muaj më parë. Ndaj, deri para pak ditësh, Fini ishte i gatshëm t'i jepte mbështetje Berlusconi-t, por me kushtin që ky i fundit, fillimisht të dorëzonte mandatin, e më pas të formonte një qeverie të re. Arsyeja? Në këtë mënyrë Fini dhe partitë centriste që së fundmi i janë rreshtuar pas, mund ta ndërgjegjësonin qeverinë se frymëmarrja e fundit varet veç nga ata. Kjo gjë, në sytë e një Berlusconi, politikisht i ngritur me mënyra tipike italiane – pra me vetëcilësimin e përsosur të drejtuesit – nuk mund të pranohej kurrsesi. Duke shkelmuar ndihmën e Fini-t, Kryeministri italian zbuloi një tjetër mënyrë – ç'është e vërteta jo të re në sytë shqiptarë – për gjetjen e konsensusit: lëvizjet e deputetëve nga një parti te tjetra. Fini vetë e cilësoi si "pazar futbolli" atë ç'po ndodh së fundmi, ku gjashtë deputetë nga opozita kanë kaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo në mbështetje të qeverisë. Pa i hyrë në pjesë thashethemeve të shumta që qarkullojnë rreth shpërblimeve të majme që kanë marrë këta personazhe, magjistratura italiane është gati të nisë një hetim gjyqësor. Megjithatë, të paguar ose më pak, jo shumë deputetëve u leverdisin zgjedhjet e reja; frika e mosrizgjedhjes shoqërohet me skeletin tejet të anakronizuar që mban bashkuar opozitën italiane. Por kjo aromë pleqërie nuk kufizohet vetëm në të majtë e cila, si politika italiane në tërësi, shfaq vetëm fytyra të lodhura, shumëvjeçare, të cilët shtrëngojnë fort karriget që nga fundi i viteve ‘80. Berlusconi vetë - 74 vjeç, edhe pse operacionet estetike bëjnë të tyren - e di që pas së martës ndoshta do të mund të mbetet në pushtet, por do të dridhet herë pas here në të. Tashmë gjasat thonë se ai do arrijë të marrë votëbesimin me pak, shumë pak, vota në shërbesë të tij. Dhe kjo do të thotë se qeverisja e tij do të jetë e brishtë dhe pa guxim reformash: faktori fort i keq për një Itali, e cila ecën si buzë greminës me çdo krizë ekonomike që shoqërohet në Europë.

Por andralla të tilla nuk sjellin ndonjë të re as në skenarët e shfaqjeve politike të Romës, as tej saj. Përçudnia që rrjedh nga kulisa të tilla, jep një ide të qartë, në përgjithësi, për mënyrën sesi përcillet një politikë e tillë te qytetarët. Qeveritë që shtrëngohen pas votës së një apo dy deputetësh, edhe pa kryer akte shitblerjeje, janë emblemë e shtetarëve që duan frymëmarrje parlamentare, por jo qytetare. Robëria e tyre, e varur dobësisht nga kulisat e ditës s'mund të jetë kurrsesi prodhuese politikash afatgjata. Para se të gdhihet një ligj i ri, ato e kanë hallin te ngrysja e ndonjë deputeti. Të tilla sjellje publike nuk mund të përfaqësojnë asgjë tjetër veç shembullin e një historie që fatkeqësisht te ne kthehet në imitim. Në buzë të të dyja brigjeve të Adriatikut, protagoniste janë dy simbole qeveritare, dy njerëz, që shpesh buzëqeshin bashkë në televizion dhe bashkë kanë famën e të qenit të plotfuqishëm në vendet përcaktuese. Agonitë e tyre respektive kryhen po ashtu bashkërisht: ata drejtojnë qeveri të cilat veç mbijetojnë, por nuk gëzojnë shëndet. Plotfuqishmëria e tyre e beftë rrezikohet nga qejfmbetjet e ndonjë deputeti dhe jo nga përmbytja, ekonomia apo kiameti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›