Penalizime për pedagogët që “lënë” orën e mësimit
Ndonëse kishin deklaruar se dje do të nisnin grevën e urisë, studentët e Mjekësisë pohojnë se kjo nuk ndodhi, për shkak se të gjitha palët kanë rënë dakord për ta zgjidhur këtë problem në rrugë institucionale. Në kuadër të “mjegullës” së krijuar prej dy javësh në Fakultetin e Mjekësisë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, organizoi dje në orën 14.00 në rektoratin e Universitetit të Tiranës një mbledhje, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga këshilli i studentëve të këtij institucioni, dekani dhe këshilli pedagogjik. Si këshilli i studentëve edhe dekanati ranë dakord për t’u dhënë kohë të gjitha proceseve për të arritur në rezultate të kënaqshme. “Në mbledhje u diskutua edhe një herë gjerë e gjatë mbi kërkesat e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Ndonëse të gjitha këto ishin diskutuar edhe në takime të tjera, gjatë kësaj mbledhje vlen të theksohet se u përforcua edhe një herë fakti që ky fakultet ka ndërmarrë një sërë projektesh për reformimin e sistemit të mësimdhënies në këtë institucion, për përfshirjen e literaturës bashkëkohore, si edhe për zgjerimin e auditorëve, ku zhvillohet praktika dhe leksionet”, tha dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftnaji. Ai shtoi se këto reforma nuk janë vënë përfundimisht në zbatim, por e rëndësishme është që për secilën pikë po punohet me seriozitet.
“Për të finalizuar këto ‘mangësi’ duhet kohë e mjaftueshme, në mënyrë që suksesi të jetë i garantuar, kështu që nuk mund të premtojmë me siguri afatin përfundimtar të arritjes së tyre.
Pra të gjitha ato që u diskutuan sot në rektorat ishin diskutuar edhe herë të tjera, madje ishte firmosur edhe një dokument zyrtar, që pohonte se të gjithë së bashku po punonim për të rritur më shumë cilësinë dhe për të përmirësuar kushtet e këtij fakulteti”, sqaroi Priftanji. Sipas tij, kërkesat e studentëve ishin deri diku të zmadhuara, sepse standardet e këtij institucioni kanë ndryshuar rrënjësisht gjatë këtyre dy viteve. “Ndërsa për sa i takon mungesës së pedagogëve ne kemi vendosur të kryejmë kontrolle të rrepta gjatë orëve të leksioneve dhe në rast se do të konstatojmë shkelje të rregullores do të marrim masa penalizuese”, theksoi dekani.