Zbardhet Juglindja, rrugët janë të kalueshme
Reshjet e borës kanë krijuar probleme edhe në Juglindje të vendit. Dje në mëngjes, i gjithë rajoni i Korçës është gjetur mes borës së parë për këtë dimër.
Trashësia e borës ka arritur rreth 10 centimetra në qytet dhe afro 20 centimetra në zonat malore. Ndërkohë në zonat e thella malore të Pogradecit bora ka arritur deri në 30 centimetra. Ndërkaq nuk kanë munguar vështirësitë në qarkullimin e automjeteve. Rrugët rurale që lidhin qendrat e komunave me qytetin e Korçës kanë qenë të kalueshme vetëm me zinxhir. Ndërkohë burime nga Prefektura e Korçës thanë se rënia e reshjeve të para të dëborës nuk ka sjellë asnjë izolim të zonave malore, sepse pjesa më e madhe e reshjeve ranë në orët e para të mëngjesit dhe në këtë kohë u ndërhy edhe me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugëve.
Më problematike ka qenë lëvizja e mjeteve në drejtim të Voskopojës, Dardhës, Moglicës e Lekasit në Rrethin e Korçës. Probleme të shumta ka pasur edhe në zonën e Pogradecit, ku mëngjesin e së hënës ka pasur bllokime të përkohshme të mjeteve në aksin rrugor Korçë-Pogradec, sidomos në Qafën e Plloçës dhe Qafën e Thanës. Burime të policisë thanë se të gjitha akset rrugore të rajonit të Korçës kanë qenë të hapura dhe nuk është regjistruar asnjë aksident automobilistik.
Ndërkohë reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në Qarkun e Elbasanit. Akset nacionale kanë qenë të vështira për t’u përshkruar, ndërkaq që edhe disa komuna janë bllokuar për shkak të trashësisë së madhe të borës në rrugë. Problemet më të mëdha janë hasur në Qafën e Kërrabës dhe në aksin Përrenjas –Qafë-Thanë.
Dje është raportuar për probleme serioze në disa komuna të thella të rretheve Gramsh e Librazhd. Është konfirmuar bllokimi i rrugës së fshatit Dragostunjë të Librazhdit, për shkak të trashësisë së madhe të borës.
Ndërkaq, në Prefekturën e Elbasanit, është mbledhur dje Shtabi i Emergjencave Civile, për të marrë masa për përballimin e situatës së krijuar. Burime nga ky shtab bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të ndërhyrë në të gjitha rrugët kombëtare dhe ato rurale, që shfaqin probleme në qarkullimin e mjeteve. Punonjës të Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve janë shpërndarë në akset më problematike që në orët e para të mëngjesit, për të shmangur bllokimet e automjeteve.
Ndërkaq policia rrugore ka shtuar patrullimet në rrugët kombëtare, për të tërhequr vëmendjen e drejtuesve të automjeteve që të udhëtojnë me zinxhirë dhe të tregohen të kujdesshëm në rrugët e zbardhura nga dëbora.