E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Barazim i pafalshëm me Verderin

"Gjatë këtyre kohëve kemi bërë hapa përpara; kemi gjithnjë e më shumë besim te vetja". Këtë e ka bërë të ditur Adriano Galiani pas rikthimit nga Bremen, ku të mërkurën në mbrëmje, Milan ka barazuar ndaj Verderit 1-1 në ndeshjen e parë të 16-shes së Kupës UEFA. Ndërsa, administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, thekson se kuqezinjtë janë gjithnjë e më pranë marrëveshjes për Devid Bekham. Por padroni i kuqezinjve, nuk ka mundur se si të mos drejtonte gishtin e fajtorit te rendimenti i ulët i skuadrës dhe nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për barazimin e arritur në minutat e fundit nga Verderi. "Është vërtet e pafalshme që Milani edhe njëherë ka lejuar kundërshtarin ta barazojë rezultatin në minutat e fundit. Kur një skuadër, që ka lojtarë klasi si Milani, është në avantazhin e vetëm një goli, duhet t‘ia fshehë topin kundërshtarit dhe të jetë e aftë ta bëjë në dhjetë minutat e fundit", ka thënë padroni i kuqezinjve. Duke u rikthyer te Bekhami, duket se dita decizive do të jetë e marta e 24 shkurtit, edhe pse nga Kalifornia, Bruse Arena, trajneri i Galaksit, njofton se "asgjë nuk është vendosur ende‘. Gjithsesi, në Los Anxhelos tifozët po përgatiten për protesta. Ka nga ata mbajnë të veshura bluza, ku lexohet "Let Beckham Go" (Lëreni Bekhamin të shkojë) me një shenjë mbi numrin 23 të asit britanik. Edhe Silvio Berluskoni ka nxjerrë në pah dëshirën e tij për qëndrimin e anglezit: "Do të më pëlqente që Bekham të vazhdonte të luante për Milanin, për hir të lojës së tij gjeometrike dhe shumë esenciale", ka thënë ai. Kryeministri italian, pas takimit në Romë me Kryeministrin britanik, Gordon Braun, u përgjigjet gazetarëve që e pyesin rreth të ardhmes së mesfushorit anglez: "Nuk mund të jap asnjë përgjigje, sepse nuk e di. Nuk jam në dijeni të zhvillimeve". "Kemi bërë hapa përpara", sqaron administratori i Milanit, Adriano Galiani, në lidhje me tratativën me Los Anxhelos Galaksi. Drejtori organizativ i klubit të Milanos, Umberto Gandini, të martën do të jetë në Kaliforni për të negociuar për marrëveshjen me drejtuesit e Galaksit, por Galiani nuk zbulon asgjë: "Nuk jam as optimist dhe as pesimist. Mund të mbyllet javën tjetër? Të shikojmë...".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›