E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografitë që nxitën debat

Këtu gjen priftin që puth murgeshën; njeriun që shëtit në hënë; gjen Aldo Moron, të burgosur nga Brigada e Kuqe... Janë fotot e skandalit. Shkrepje të diskutuara, që kanë hapur debate, polemika e që shpesh kanë përfunduar edhe nëpër gjykata. Ato do të ekspozohen duke nisur prej muajit mars në ekspozitën, e cila do të çelet në bibliotekën "François Mitterrand" të Parisit, titulluar "Controversie". Të gjitha fotot që do të ekspozohen kanë lënë shenjë në histori, e kanë rrëfyer atë. Njësoj si fotografia e shkrepur prej Oliviero Toscani-t, e cila na sjell një prift i cili puth ëmbël buzët e një murgeshe. Kjo fotografi u censurua në Itali prej presioneve të Vatikanit, por edhe në Francë, pas protestave dhe denoncimeve të shoqatave fetare.

Gjithashtu mes tyre gjendet edhe fotoja e vogëlushes Omayra Sanchez, shkrepur në Armero të Kolumbisë. Fotografia është realizuar prej fotografit francez Frank Fournier, në vitin 1985, pak pas aktivizimit të vullkanit Nevado del Ruiz. Llava provokoi vdekjen e 24 mijë personave. Vogëlushja Omayra Sanchez gjendet nën rrënoja. Punonjësit e ndihmës së shpejtë tentojnë ta shpëtojnë për tri ditë e tri net, por mjetet e shpëtimit nuk vijnë në kohë. Omayra ndërron jetë pas një ataku kardiak. Dinjiteti dhe kurajoja e saj emocionuan botën mbarë. Fotografi kupton shumë shpejt se për të gjitha këto viktima të shkaktuara prej vullkanit nuk mund të bëhej asgjë. Përballë ndjenjës së pamundësisë për të bërë gjë, ai realizon fotografitë, si një dëshmi të vuajtjeve të atyre njerëzve, e mbi të gjitha të vogëlushes Omyra. E në të vërtetë, a do të kujtohej akoma kjo tragjedi nëse nuk do të ishte realizuar kjo fotografi thellësisht tronditëse prej Fournier?

Ndërkaq, një tjetër foto është ajo e vitit 1960, realizuar prej Marc Garanger. Ai kryen shërbimin ushtarak në Algjeri si fotograf. I është dhënë detyra t‘u realizojë foto më shumë se dymijë algjerianëve, për t‘u atribuuar atyre dokumente identiteti. Për gratë, kjo eksperiencë e parë fotografike është e dhunshme. Kundër vullnetit dhe kulturës së tyre, ato janë të detyruara t‘i tregojnë fytyrën një të panjohuri. Kjo lloj dhune pasqyron përçmimin ndaj kolonizimit, brutalitetin dhe racizmin. Për fotografin kjo ishte një eksperiencë traumatizuese. Për të denoncuar këtë luftë, ai nis të shpërndajë fotografitë. Vjen në këtë ekspozitë edhe një fotografi e Lewis Caroll, shkrimtarit i cili na la trashëgimi "Lizën në botën e çudirave". Në këtë ekspozitë ai na sjell "Lizën si një fëmijë lypsar", në një foto të realizuar në vitin 1859. Evgueni Khaldei është një tjetër fotograf që i shtohet ekspozitës së fotove që kanë shkaktuar debat. Prej tij, që është cilësuar si fotografi i armatës së kuqe, vjen fotografia e "Draprit të kuq në Reichstag", realizuar në vitin 1945. Mes tyre gjendet edhe një fotografi e politikanit italian Aldo Moro, nën yllin e Brigadës së Kuqe. Publiku ka mundësi të shikojë edhe një herë hapat e parë të njeriut në hënë. Bëhet fjalë për një fotografi mjaft të kontestuar prej mbështetësve të komplotit, si David Percy, i cili analizoi anomali të shumta si ekzistencën e burimeve të shumta të dritës, mungesën e kraterit nën anijen "Apollo 11", pluhurin mbi të, drita diellore e shpërndarë njësoj si në atmosferën tokësore, në një atmosferë, ashtu siç e theksoi edhe botuesi Ralph Rene, teorikisht me mungesë të atmosferës e për këtë arsye flamuri amerikan e kishte të pamundur të valëvitej. Do të ekspozohet mes këtyre fotove që kanë shkaktuar kaq shumë polemika edhe një portret i Jean-Paul Sartre prej fotografit Boris Lipnitzki. Fotografia u përpunua në vitin 2005, në kopertinën e një katalogu për ekspozitën që i kushtohej shkrimtarit dhe filozofit, e cila në atë kohë u çel pikërisht në bibliotekën "Mitterrand". Në fotografinë e përpunuar, Sartre-t iu eliminua cigarja që mbante në dorë. Pas kësaj nisi një debat i madh për sa i përket censurës.

Ekspozita e titulluar "Controversie", propozuar prej muzeut "l‘Elysée" të Luizianës, do të çelet pikërisht më 3 mars, për t‘u mbyllur më 24 maj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›