E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huande Ramos: Nuk jemi larg Barcelonës

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, te Reali i Madridit vendosën të largonin gjermanin Bernd Shuster, për t‘ia besuar stolin Huande Ramosit. Objektivi ishte i qartë: të rikthehej besimi në radhët e skuadrës, e cila ndodhej në krizë identiteti, për t‘u përballur sa më mirë me Liverpulin në Ligën e Kampioneve. Deri më tani, puna e trajnerit ka dhënë frytet e dëshiruara, duke regjistruar tetë fitore radhazi. Kjo ecuri ka bindur edhe drejtuesit "merengues", madje presidenti (i përkohshëm deri në Asamblenë Zgjedhore) Visente Boluda, kërkon që ta mbajë trajnerin edhe pas verës, periudhë kur i skadon kontrata. "Më thirrën për të zgjidhur një problem afatshkurtër. Kjo skuadër pësonte shumë gola, duke rrezikuar objektivat e përcaktuar në fillim të sezonit. Lojtarët punuan për të gjetur një zgjidhje dhe rezultatet janë mjaft pozitive".

Tetë fitore radhazi dhe vetëm një gol i pësuar. Megjithatë, ky Real akuzohet se i vë tifozët në gjumë...

Më vjen keq për ata që i zuri gjumi në fitoren 1-0 me Rasing Santander, pasi nuk arritën të zgjoheshin në kohë për të parë fitoren 4-0 me Gijonin... Të flasim seriozisht, është e vërtetë që në disa raste kemi marrë pikët e plota pa shkëlqyer, janë katër fitore 1-0 në "Santiago Bernabeu", por njerëzit i kanë harruar fitoret e bukura jashtë fushe: 2-0, 3-0, 4-0, duke dominuar në ato sfida.

Ndoshta i kanë harruar, sepse të gjithë mendojnë se "Barça luan në mënyrë të shkëlqyer, ndërsa Reali është i mërzitshëm"...

E kam të qartë. Mediat kanë nevojë për krahasime, për lajme që bëjnë bujë, gjithsesi personalisht e vlerësoj ndryshe këtë situatë. Që prej periudhës kur u emërova, kemi marrë vetëm 1 pikë më pak se Barça, golavarazhi i tyre është +20, ndërsa i yni +18. Nuk ka asnjë dyshim që skuadra e Guardiolës po luan jashtëzakonisht mirë, por Reali nuk është shumë larg. Mos harroni se po flasim për Barcelonën më të mirë në histori.

Pavarësisht ecurisë së mirë, keni rikuperuar vetëm 2 pikë në garën për titullin në La Liga. Jeni të zhgënjyer?

Përkundrazi. Gazetat janë fiksuar se jemi të zhgënjyer, por në ambientet e skuadrës ekziston shumë kënaqësi, pasi po merren rezultatet e punës së mirë. Askush nuk mendon për Barçën, jemi të përqendruar për të përmirësuar edhe më shumë lojën tonë.

Në "Bernabeu" e keni më të vështirë të paraqiteni mirë?

Në një farë mënyre po, pasi këtu skuadrat kundërshtare luajnë për t‘u mbrojtur dhe është më e vështirë t‘i "zbërthejmë".

Me Liverpulin mund të keni të njëjtin problem. Ata luajnë një futboll shumë taktik dhe skuadra që shënon një gol, kualifikohet...

Unë mendoj vetëm për të fituar në takimin e parë, duke luajtur sa më mirë që të jetë e mundur. Për të qenë i sinqertë, ndërmjet meje dhe Benitez ekzistojnë pak të panjohura, pasi unë punova në Angli, ndërsa ai është spanjoll. Është një ndeshje e vështirë, por kualifikimi varet vetëm nga ne.

Ndërsa në kampionat situata është e ndryshme...

Pikërisht. Për këtë arsye, nëse dikush më pyet se cili trofe është më i lehtë për t‘u fituar, do t‘i përgjigjesha Champions-i. Aty luajmë më pak ndeshje dhe gjithçka varet prej nesh; nuk kam fuqi të jashtëzakonshme, me të cilat do ta shndërroja Barcelonën në një skuadër që luan keq. Gjithsesi, nuk jam dakord me ata që mendojnë se në këto dy muaj te Reali kemi punuar vetëm për Ligën e Kampioneve.

Firmosët kontratë vetëm për gjashtë muaj, a ndikon kjo në punën tuaj?

Aspak. Ishte zgjidhja më e mirë për klubin dhe për mua. Aq më tepër që do të zhvillohen zgjedhjet për president dhe secili kandidat ka preferencat e tij për lojtarët apo trajnerët. Nëse fitoj një trofe kontrata rinovohet


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›