Van der Sar, sulm rekordit të të gjitha kohërave pa pësuar gol
Portieri holandez i anglezëve të Mançester Junajtid, Edvin Van der Sar, nuk pëson gol në kampion që nga vjeshta e 2008-ës. Dhe me përballjen e të mërkurës në mbrëmje ndaj Fulhemit, ndeshje në të cilën rrjeta e portës së Mançesterin Junajtid mbeti e paprekur, tashmë holandezi koleksionon takimin e 14 në Premier League pa pësuar gol. Një shifër impresionante, aq sa është impresionante të mendosh se golin e fundit e ka pësuar më 8 nëntor të vitit të kaluar, më shumë se katër muaj më parë! Për të gjetur një top në fundin e rrjetës së Edvin Van der Sar duhet të kthehem te takimi ndaj Arsenalit, të cilin e mundi me rezultatin 2-1. Super portieri i "Djajve të Kuq" ka fiksuar tashmë një rekord të pathyeshmërisë për kampionatin anglez, duke e çuar kufirin në 1302 minuta, dhe tani sulmon rekordin absolut të truneve të Kontinentit të Vjetër, i cili mbahet nga Verlinden me 1390 minuta (Bryzh, 1990). Holandezit do t‘i mjaftonte të mos pësonte gol në ndeshjen në shtëpi të shtunën ndaj Blekbërnit. Sigurisht, është meritë e mbrojtjes së mrekullueshme të Aleks Ferguson, por edhe e besueshmërisë së një portieri, që në moshën 38 vjeç po zbulon "pavdekshmërinë" e tij. Kohë të largëta duken ata te Juventusi, ku akuzohej pikërisht për mungesë sigurie.