E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Burg për emigrantët e paligjshëm

 

****

Qeveria e djathtë italiane, paralajmëron në mbledhjen e parë: Emigracioni ilegal do të klasifikohet si vepër penale

Propozohet ligji për burgim me deri 18 muaj, për të gjithë ata që shkelin ilegalisht kufirin italian

Ajo që qeveria e tretë e drejtuar nga Silvio Berluskoni propozoi, konsiderohet si masa më ekstreme e ndërmarrë ndonjëherë nga një vend i zhvilluar. Emigrantët e paligjshëm mund të përfundojnë në burg. Ata të ligjshmit që nuk tregojnë dot se kanë një punë, do të përzihen menjëherë, italianët që i japin me qera një pronë një emigranti të paligjshëm rrezikojnë të përndiqen penalisht. Emigrantët e rinj që dëshirojnë të bashkohen me familjarët e tyre, sakaq rezidentë të ligjshëm, do të duhet të provojnë lidhjen e gjakut përmes analizave të ADN-së. Ligji ekzistues thotë që autoritetet kanë të drejtë të mbajnë të arrestuar një emigrant deri në gjashtëdhjetë ditë para se ta ekstradojnë.

Disa nga këto masa do të hyjnë në fuqi menjëherë. Për disa të tjera, duhet miratimi parlamentar. Ky është legjislacioni më i ashpër kundër emigrimit ndërmarrë nga një qeveri anëtare e BE-së. Masat kundër emigracionit ilegal janë në të njëjtën paketë me masat kundër mafias. “Masat tona do t’i lejojnë italianët të mos kenë më frikë; është e drejta e tyre të mos kenë frikë”,- tha Kryeministri i ri, i cili e mbajti mbledhjen e parë të kabinetit në qytetin e Napolit. Jashtë ndërtesës ku po zhvillohej mbledhja, policia mbajti nën kontroll një grup protestuesish, punëtorë fabrikash dhe emigrantësh ilegalë. Grupimet e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, opozita dhe zyrtarë të BE-së, i kritikuan këto masa ekstreme. Kritikat qenë të ashpra, veçanërisht nga qeveria e majtë spanjolle. “Qeveria spanjolle kundërshton dhunën, racizmin dhe ksenofobinë, e për pasojë nuk pajtohet me atë që po ndodh në Itali”, - deklaroi zv/kryeministrja Maria Teresa Fernandez. Një zyrtar tjetër, spanjoll komentoi: “Berluskoni dëshiron të kriminalizojë të gjithë ata që janë të ndryshëm”. Ministri i Jashtëm Italian, Frattini reagoi ndaj këtyre deklaratave.

Madridi beson se transformimi i emigrimit ilegal në krim, do të “drejtojë më shumë emigrantë të vendet fqinje”. Blogerët rumunë në internet, publikuan raporte të vjetra që tregojnë se emigrantët jetojnë më mirë në Spanjë sesa në Itali. Në Itali, vetëm 8% e emigrantëve rumunë kanë shtëpi, ndërsa në Spanjë janë 14%.

Dhunë kundër romëve

Mes italianëve, gjatë kohëve të fundit është zhvilluar një ndjenjë e fortë raciste, drejtuar veçanërisht kundër romëve dhe rumunëve. Popullata rome e Rumanisë përbën 10% të popullatës. Emigrantët rumunë në Itali përbëjnë 1% të popullatës. Që nga janari 2007, Rumania është anëtare e BE-së dhe qytetarët e saj mund të lëvizin lirisht në të gjitha vendet e Bashkimit. Sot, një rom nga Rumania është kthyer në simbol të zgjerimit të BE-së në Itali. Dhe gjatë javëve të fundit, kthimi i të djathtëve në pushtet po nxit shumë italianë të sulmojnë emigrantët. Më 15 maj, policia arrestoi 400 emigrantë të paligjshëm, përgjithësisht xhipsi nga Europa Lindore. Kisha katolike, organizatat e hebrenjve dhe ato të mbrojtjes së Romëve, deklaruan se qëndrimi i qeverisë po nxit sulmet e gangsterëve kundër minorancave.

Në Napoli, një kamp romësh u dogj nga gangsterët vendës pas lajmit se një adoleshente rome qe arrestuar e akuzuar se po tentonte të vidhte një foshnjë. Një sulm i ngjashëm u krye edhe në Milano. Shoqata për Mbrojtjen e Romëve deklaroi se, “masat e qeverisë “Berluskoni” po i bëjnë italianët të besojnë se është e ligjshme të sulmosh romët”.

Media në të gjithë botën e kritikoi z.Berluskoni. Ekonomikja amerikane “ËSJ”, komentoi se kjo që po ndodh, është një kombinim i shëmtuar i populizmit të Kryeministrit të ri, me ndjenjat raciste të popullatës. “Duket se policia italiane është e bindur se çdo jevg është një kriminel”, shkruante “ËSJ”, “një bindje që duket se e ka edhe qeveria e tyre”.

Rumania u ankua zyrtarisht në Romë, përmes Ministrit të Brendshëm, për t’i kujtuar Italisë se “e drejta e lëvizjes së lirë është themeli i BE-së dhe se i përket të gjithë qytetarëve europianë, jevgj apo jo”.

Emigrantët krijojnë një mrekulli ekonomike

Analistët shpjegojnë se punëtorët e huaj i japin vendeve ku shkojnë shumë përfitime, ndërsa marrin pak shpërblim

Vitin e kaluar, një studim i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje faktin se punëtorët amerikanë përfitojnë zakonisht rreth 30 miliardë dollarë në vit nga puna e emigrantëve. Ky nuk është rasti i vetëm kur një qeveri pranon përfitimet ekonomike nga emigrantët, ndërkohë që mes vendeve që prodhojnë emigrim, ka gjithashtu analiza që tregojnë për humbjet ekonomike.

Ekonomistët në Europën Perëndimore, prej shumë dekadash i kanë parë emigrantët si një shpëtim dhe zgjidhje të problemeve të këtyre vendeve. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë vendet që kanë përfituar më shumë nga puna e të huajve. Emigrantët punojnë më shumë se vendësit, bëjnë punë më të vështira, kursejnë më shumë dhe janë kandidatë për të marrë kredi hipotekore, gjë që zhvillon sektorin e ndërtimit. Në përgjithësi, janë më të rregullt se vendësit përballë autoriteteve (kur janë emigrantë të ligjshëm). Vendet e BE-së, të cila vuajnë vazhdimisht nga plakja e popullatës dhe një deficit të sigurimeve shoqërore në rritje, kanë zbuluar forcën e emigrantëve nga lindja si zgjidhje të problemeve. Greqia është vendi tipik, ku sigurimet shoqërore po bëhen institucione të varura fort nga puna e emigrantëve.

Humbje mes vendeve eksportuese

Në krahun tjetër, puna është një lloj “shërbimi” që kur eksportohet, sjell më shumë të këqija sesa të mira për ekonominë. Vende si Rumania, po vuajnë aktualisht largimin e një pjese të konsiderueshme të popullatës, gjë që ka lënë pa punuar sipërfaqe të mëdha tokash e që ka ndaluar industrinë vendëse të përfitojë nga krahët e lirë të punës. Në rastin e Europës, arsyetohet se vendet e zhvilluara konkurrojnë me paga më të larta, vendet e pazhvilluara, duke tërhequr krahun e tyre të punës e duke dëmtuar ekonominë e Lindjes. Këtu nuk bëhet fjalë për diferencat Lindje-Perëndim, por edhe për diferencat mes vetë Europës së vjetër. Suedia e Danimarka p.sh., marrin mjekët e arsimuar në Gjermani pasi ofrojnë paga më të larta, duke varfëruar në cilësi spitalet publike vendëse. Italia e ka vuajtur këtë punë me infermierët, aq sa mendoi t’i importonte nga Shqipëria.

Vetë Shqipëria ka rastin e të ardhurve nga zonat malore përreth Tiranës. Burrat emigrojnë në Greqi, të joshur nga paga më të larta. Gratë punojnë në fabrika veshjesh e këpucësh dhe realizojnë prodhim eksporti me vlerë 600 milionë euro në vit. Përqendrimi i krahëve të punës aty ku nuk i përdor dot, shkakton eksportim të dëmshëm.

Në përgjithësi, thuhet se hapja e tregut të punës është po aq e rëndësishme sa hapja e tregut të mallrave, krijon konkurrencë dhe zhvillon ekonominë.

Ekonomia dhe politika

Qeveritë dhe popullatat e vendeve të zhvilluara, kthehen në raciste kundër emigrantëve, vetëm në rastet kur ka krizë ekonomike. Emigrantët janë të parët që vuajnë pasojat e krizave, ndërsa janë të fundit që përfitojnë nga bumi ekonomik. Shoqatat e punëdhënësve në Gjermani, janë shembull se si mund të ushtrohet presion mbi qeverinë për të pranuar më shumë emigrantë.

Gj.Erebara

Imazhi i shqiptarëve në Itali

Angazhimi i medias dhe qeverive italiane bëri që shqiptari emigrant të mos shihet më si hajduti i zakonshëm

Gjashtë vite më parë, emigranti shqiptar kishte imazhin e jevgut rumun në Itali. Gazetat vendëse mbusheshin çdo ditë me lajme kriminaliteti, të kryer nga bashkatdhetarët tanë. Italianët shikonin çdo shqiptar si hajdut potencial dhe rrezik për sigurinë e tyre. Por rigjallërimi i interesave ekonomike italiane në Shqipëri pas vitit 2003, si dhe angazhimi i qeverive dhe medias italiane, duket se kanë sjellë një përmirësim të dukshëm të imazhit të emigrantit shqiptar. Krijimi i disa ikonave televizive si Kledi Kadiu dhe Elsa Lila, zbutën emrin e keq të shqiptarëve. Simboli i hajdutit në Itali u bë me kalimin e kohës emigranti rumun.

Qenë të shumta angazhimet financiare dhe personale të vetë kryeministrit aktual, Silvio Berlusconi dhe medias së kontrolluar prej tij, ajo që përmirësoi imazhin. Por qenë edhe investime nga biznesmenë shqiptarë ata që krijuan simbole paqësore për ne. Që nga koha e rënies së komunizmit, emigranti i dëshpëruar, skafisti dhe padroni i prostitutave qenë fjalë për italianët nënkuptonin shqiptarin. Media nën pronësi publike apo gazetat nën pronësi private ndihmuan në forcimin e këtij imazhi. Revista italiane “Panorama” lidhte emrat më të lartë të shtetit shqiptar me trafikun e klandestinëve ndërsa Limes Geopolitica, një revistë e specializuar, e konsideronte vendin tonë si “një shtet mafioz”. Në vitin 2003, Berluskoni vizitoi Tiranën, prej nga ku filloi edhe kthesa. Investimet italiane filluan të rigjallërohen, ndërsa projekte të reja u hodhën në tryezë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›