E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta Boka çon Shqipërinë në finale

 

Olta Boka kualifikon Shqipërinë në finalen e Festivalit Evropian të Këngës, i cili po zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd

Pas tre vitesh dështimesh, Olta Boka kualifikon Shqipërinë në finalen e Festivalit Evropian të Këngës, i cili po zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd. Ajo mundi të marrë pikët e duhura, për të konkurruar në natën finale. Mosha e re e këngëtares, por mbi të gjitha emocioni që ajo përcolli përmes baladës së kompozuar nga Adrian Hila dhe me tekst të Pandi Laços. Ndoshta të kënduarit në shqip, ka qenë një ogur i mirë për këngën. Në stadiumin “Beogradcka Arena”, në Beograd u zhvillua mbrëmë nata e dytë gjysmëfinale e Festivalit Evropian, ku konkurroi edhe kënga shqiptare. Shqipëria konkurroi e gjashta me këngën “Zemrën e lamë peng” të kompozuar nga Adrian Hila, me tekst të Pandi Laços. Pas Irlandës, Suedisë, Turqisë, Ukrahinës shpërthyese dhe Lituanisë melankolike, pas një sigle të veçantë si për asnjë shtet tjetër, me shqiponjë e daulle, në skenë u ngjit përfaqësueja shqiptare, e cila u vendos mes Danubit dhe Savës, dy lumenjtë që përshkojnë Serbinë. Ashtu siç parashikohej, këngëtarja 16-vjeçare u ngjit në skenë e veshur në të zeza, me një kostum të stiluar nga stilistja Mirela Nurçe, ku gërshetohej modernja me tradicionalen. Kostumit të saj (pantallona e xhaketë) i shtohej edhe një zgjatim, që të kujtonte xhubletën e veriut, të zbukuruar me ornamente të bardha. Ndërsa dy kitaristët dhe bateristi ishin veshur në të bardha, në një stil të ngjashëm me veshjen e Oltës. Ndërsa në sfond zemrat rozë dhe të verdha shoqëruan baladën shqiptare. Mes polemikash, Olta Boka u shpall në dhjetor të vitit 2007 fituesja e edicionit të 46-të në Festivalin e Këngës në RTSH. Edhe pse një e papritur për të, madje edhe për autorët, që e kanë këtë vit pjesëmarrjen e tretë në Festivalin Evropian, Boka, përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong. Një paraqitje e denjë, që duket se doli mbi lobingjet mes shteteve dhe promovimit të dobët paraprak të bërë nga ana e Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Po dje u ngjitën në skenë edhe Zvicra, Republika Çeke, Bjellorusia, Letonia, Kroacia, Danimarka, Gjerogjia, Hungaria, Malta, Qiproja, Maqedonia dhe Portugalia.

Ndërkaq, mbrëmjen e së martës u zhvillua nata e parë gjysmëfinale, ku mes 19 konkurrentëve, u zgjodhën 10 për në finale. Finalistët janë Greqia, Rumania, Bosnje-Hercegovina, Finlanda, Rusia, Izraeli, Azerbaixhani, Armenia, Polonia dhe Norvegjia. Nata finale do të zhvillohet në datën 24 maj në stadiumin “Beogradcka Arena”, me një kapacitet prej 25 mijë spektatorësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›