Investimet e huaja, miliarda abuzime për tremujorin
KLSH publikon raportin ku jepen abuzimet e realizuara me investimet e huaja gjatë 3-mujorit të parë
Julian Llupo
Abuzimet nga ana e zyrtarëve të shtetit, kanë një shtrirje të gjerë edhe në investimet e realizuara me financim të huaj. Raporti i fundit i realizuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konkluduar shkelje në shifra të mëdha në projekte të financuara nga ana e Bankës Botërore, Bankës Islamike për Zhvillim, OPEC, etj. Kontrolli në këto projekte është një nga fushat e rëndësishme të punës së KLSH, që për të gjitha shkeljet e konstatuara, ka kërkuar edhe hetime nga ana e Prokurorisë, si dhe ka kërkuar marrjen e masave për pagimin e dëmeve të krijuara.
***
Kontrolli i ushtruar nga ana e KLSH në projektin “Furnizimi me ujë dhe kanalizime Fushë-Krujë dhe Peshkopi”, financim i Bankës Islamike për Zhvillim, është shoqëruar me shkelje të shumta, që vetëm për projektet e puseve në qytetin e Peshkopisë është realizuar një dëm që shkon në rreth 800 mijë dollarë. Si pasojë e këtyre shkeljeve të rënda, projekti i Bankës Islamike për Zhvillim, i llogaritur në një vlerë prej 6.6 milionë dollarë, nuk ka mundur që t’i sigurojë furnizim me ujë normalisht banorëve të qytetit të Peshkopisë.
Por projekti që në fillimet e tij ka qenë abuziv, pasi uji për të cilin do të përdoret ky investim për furnizim të banorëve ishte tërësisht jashtë standardeve të lejuara. Referuar raportit hidrologjik dhe analizave të bëra disa mostrave të ujit të lumit Drin, uji që përdoret në një pjesë të qytetit të Peshkopisë dhe fshatrave përreth është jashtë standardeve, duke mos realizuar këtë investim të konsiderueshëm. Duke i referuar këtij fakti, dëmi ekonomik i shkaktuar si pasojë e mungesave në dispozitat ligjore shkon në rreth 342 mijë dollarë. Për shkeljet e konstatuara KLSH ka kërkuar që të arkëtohet dëmi ekonomik prej rreth 342 mijë dollarësh. Kompania konsulente e huaj është kërkuar nga ana e KLSH që të konsiderohet e papranueshme për dhënien e kontratave të tjera me financime të Bankës Islamike për Zhvillim. Njëkohësisht, KLSH, për dy ish-drejtues të Njësisë së Zbatimit të Projektit, si dhe përfaqësuesit e kompanisë konsulente dhe kompanisë zbatuese, është bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë.
***
Projekti tjetër “Menaxhim i Burimeve Ujore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit”, financim i Bankës Botërore, Fondit Kuvajtian për Zhvillim dhe OPEC ka qenë sërish objekt i shkeljeve në vlera të madha financiare. Ky projekt ka patur një vlerë, që në total shkon në 36.3 milionë dollarë. Shkelje janë konstatuar në këtë projekt përsa i përket fushës së prokurimeve, pagave, të ardhurave dytësore dhe punimeve civile, në një shumë prej rreth 15 milionë lekë. Për vonesat e konstatuara në këtë projekt nuk janë realizuar klauzolat për penalitete në vlerën 10 milionë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, edhe për këtë projekt, ka bërë gati dosjen për kallëzim penal për Drejtorit të PMU-së dhe Drejtorit të Departamentit të Menaxhimit të Tokës në Ministrinë e Bujqësisë. Projekte të tjera në të cilët janë konstatuar shkelje janë Projekti “Mirëmbajtja e Rrugëve” i financuar me kredi 30 milionë dollarë nga IDA dhe projekti për “Ndërtim dhe supervizim të segmentit rrugor Gjirokastër-Tepelenë”.