Krimi i Bujarit
****
Ju kujtohet gazetari i mirënjohur i Televizionit, Bujar Muharremi? U nda nga kjo botë jallane pak javë më parë. Jo se nuk deshi të jetonte, por se ia bënë verem, atëherë kur kishte menduar se do të gjente paqe, edhe pse jashtë profesionit të vjetër, duke u bërë diplomat në Kosovë. E kreu me nder detyrën e re, megjithëse nuk kishte patur përvojë, por kjo nuk e pengoi, sepse falë TVSH-së, ai ishte shumë popullor te kosovarët. Dhe ata nuk e kanë harruar. Prishtina zgjodhi dy ditë më parë promovimin e librit “Ballkan: Quo vadis Serbisllavia”, të gazetarit dhe ish-shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë në Prishtinë, Bujar Muharremi, që u bë në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë. Përshëndeti me anë të kumtesës edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, ku thuhej se: “Muharremi kishte një kulturë shumë të gjerë historike, qoftë mbi historinë e shqiptarëve, qoftë mbi historinë e të tjerëve, sidomos të popujve të Ballkanit. Vepra e tij, si e askujt tjetër, është e lidhur me ngjitjen mundimshme të Kosovës nga protestat e pranverës 1981 e deri te Pavarësia e pranverës 2008”.
Po ata që e graduan Muharremin diplomat dhe më pas e zhgraduan si trafikant, çfarë thonë? Thjesht e kanë harruar. Ata që e njohën nga afër Bujarin, thonë se ai vdiq nga marazi pse ia shkatërruan jetën dhe shpirtin, për interesa të vockla që luhen në korridoret e Ministrisë së Jashtme dhe në qeveri. “Ministria e akuzonte se kishte favorizuar kontrabandë cigaresh dhe se kishte tërhequr sasi të mëdha karburantesh, për përfaqësinë në Kosovë, sasi kjo e pajustifikuar për kilometrazhin e makinave”. Muharremi, i helmatisur nga akuzat, shprehej se: “Raporti kishte si synim ta justifikonte shkarkimin tim dhe të përdorej si një mjet presioni për të më mbyllur gojën, që unë mos të bëja publike probleme dhe realisht, skandale politike në linjën Tiranë-Prishtinë, dëshmitar i të cilave jam bërë në cilësinë e drejtuesit të misionit".
Akuzat e sajuara nga Ministria e Jashtme i hidhte poshtë edhe zyra e UNMIK-ut në Prishtinë. “Nga kontrolli doganor, rezultoi se sasia e karburantit të importuar për llogari të zyrës së Misionit të Shqipërisë ka qenë gjendje te kompanitë përkatëse",- thuhej në një raport të UNMIK. E vërteta? Bujarin e vdiqën. Ata që e akuzuan, u graduan ambasadorë.