E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Do ta ndërtojmë centralin bërthamor në Shqipëri



Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka forcuar dje bindjen e tij se ndërtimi i centralit bërthamor në Shqipëri është një ide e mirë, duke u afruar edhe një hap më shumë me realizmin e projektit që do të sillte përfitime energjetike për vendin tonë.
Konfirmimi i Presidentit të Këshillit italian u bë gjatë një interviste të tij në “Gazzeta del Mezzogiorno” mbi situatën para zgjedhjeve lokale në Pulja dhe projektet e Qeverisë italiane për këtë zonë. Ndërsa projekti paraprak i Kryeministrit italian ka qenë që Qeveria italiane të investojë mbi një central bërthamor pikërisht në Pulja, tani ky opsion është fshirë nga planet e tij, duke i hapur udhë ndërtimit të centralit në Shqipëri. “Referimi im për krijimin e një centrali bërthamor në Shqipëri është një refleksion më i thellë dhe ai inkuadrohet në një projekt bashkëpunimi me një vend mik”, ka vlerësuar Berluskoni në pyetjen mbi ekzistencën e mëvonshme të një centrali bërthamor në Pulja dhe opsionet për ndërtimin e tij në vendin tonë. Me këtë deklaratë, Kryeministri italian ka kënaqur edhe pretendimet e votuesve në Pulja, të cilët për shumë kohë kanë protestuar kundër ndërtimit të objektit bërthamor pranë zonës ku ata jetojnë. Ideja për ndërtimin e centralit në Pulja është hedhur poshtë edhe nga të gjitha partitë politike në Itali, duke e nxitur Berluskonin të heqë dorë. “Duhet të sqarojmë se Pulja nuk ka nevojë për një central bërthamor, pasi rajoni i vetpërmbush nevojat energjetike. Besoj se Italia duhet të shikojë mundësinë e uljes së shpenzimeve të energjisë elektrike (30 për qind më shumë se mesatarja evropiane), dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi vazhdon me ndërtimin e një centrali bërthamor, pa futur në lojë karburantet”, tha ai. I pyetur nëse paraqet rrezik për interesat e Italisë, që drejtimi i energjisë elektrike italiane t’i besohet një shteti tjetër, Berluskoni ka theksuar se hipotezat e tilla tashmë janë shqyrtuar në nivel teknik edhe nga Banka Evropiane e Investimeve. Kryeministri Sali Berisha e ka mbështetur fuqishëm idenë e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri dhe Qeveria jonë e ka miratuar vendimin për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si një institucion qendror në varësi të Kryeministrit. AKOB do të shërbejë për ndërtimin infrastrukturës së duhur për centralin bërthamor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›