E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: 10.5% e kredive me probleme



nertila maho

Portofoli i kredive me probleme llogaritet të jetë 10.5% nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Ardian Fullani u shpreh dje se pritet që 6-mujori i dytë i vitit të krijojë kushte më të mira për uljen e këtij treguesi, si rezultat i provigjioneve më të pakta dhe rizhvillimit të një faze të re të kreditimit të vendit. Sa i përket kreditimit në përgjithësi, Guvernatori shpjegoi se kjo pikë mbetet pak komplekse dhe se duhet bashkëpunim mes palëve të interesuara që bëjnë ofertën dhe kërkesën. “Banka e Shqipërisë ka sugjeruar që biznesi dhe bankat të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për gjetjen e mënyrave të financimit me efektivitet të ekonomisë në këtë fazë, ku tkurrja dhe kontraktimi i kreditimit është një problem global” tha Fullani. Sipas tij, bankat nuk kanë gjetur mënyrat e duhura për të bërë ofertat e tyre, çka ka bërë që biznesi të qëndrojë larg si efekt i kushteve që ju paraqiten për marrjen e një kredie dhe nga ana tjetër duhet një transparencë më e madhe në këtë aspekt. Për perspektivën, Guvernatori renditi një sërë treguesish pozitivë që japin premisa për ofertën, siç janë futja e depozitave në sistem, performanca më e mirë e bankave dhe rregullimi në bilancet e tyre, ndërkohë që theksoi se këta tregues varen edhe nga kërkesa, e cila duhet të jetë e bazuar në projekte efektivë, që garantojnë rikthim në kohë të kredisë. “Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më largpamës në drejtim të vlerësimit të sektorëve potencialë të rritjes ekonomike dhe të marrë një rol më aktiv në nxitjen e aktivitetit ekonomik” u shpreh Guvernatori, duke drejtuar kështu një thirrje të drejtpërdrejtë drejt bankave për lehtësim të politikës së kreditimit, që është shfaqur e shtrënguar si efekt i krizës. Po dje kreu i Bankës së Shqipërisë dha edhe një panoramë të situatës aktuale të kreditimit. “Aktiviteti kreditues në vend mbetet larg potencialit të tij, në përgjigje të kërkesës më të ulët për kredi bankare dhe kushteve të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga bankat. Kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore rreth 4 për qind në terma realë, duke kontribuuar në një rritje vjetore me 7.8 për qind të ofertës monetare në muajin janar” u shpreh Guvernatori. Duke ju referuar statistikave, Fullani theksoi se kërkesa më e madhe për kredi vjen nga ana e biznesit, i cili e sheh këtë si rrugëzgjidhje për nevojat për kapital qarkullues. Kredia mbizotëruese është ajo në lekë, por gjatë muajit janar 2010 situata e përmirësuar e mjeteve valutore të sistemit bankar, po fillon të reflektohet në një rritjen e kredisë në valutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›