E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe standardet e NATO-s për informacionet sekrete



Ani Ruci

Shqipëria ka arritur standardet e kërkuara nga NATO për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Anëtarësimi i saj një vit më parë në Aleancën Atlantike, i jep të drejtën për t’u njohur me informacionet e klasifikuara. Shyqyri Dekavellli, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, pranë Këshillit të Ministrave, thotë për Dojçe Velen se standardet lidhen me plotësimin e legjislacionit, certifikimin e personelit që përdor informacionin e klasifikuar, me rrjetet e sigurta, me fibra optike të komunikimit on - line.

Hapi i parë drejt këtyre standardeve u hodh nga Shqipëria në vitin 1999, me miratimin e ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Ai u hartua me ndihmën e ekspertëve amerikanë dhe pati në bazë ligjin amerikan të mbrojtjes së këtij informacioni. Që nga miratimi i tij dhe deri më sot, ky ligj është plotësuar me akte normative në përputhje me direktivat e NATO-s. Mbështetur në këto akte normative, Shqipëria ka ratifikuar rreth 15 marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të NATO-s për mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, që shkëmbehet mes tyre. Një marrëveshje të tillë Shqipëria ka nënshkruar edhe me Gjermaninë. “Pas negociatave në Berlin, kjo marrëveshje u nënshkrua në Shqipëri, u ratifikua nga Parlamenti shqiptar dhe Bundestagu gjerman. Informacioni i klasifikuar që shkëmbehet mes dy vendeve është i siguruar në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila parashikon disa rregulla se si mbrohet informacioni i klasifikuar që vjen nga Gjermania në Shqipëri dhe anasjelltas,” - thotë drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shyqyri Dekavelli.

Standardet

Në krye të tyre qëndron pajisja me certifikatat e sigurisë të punonjësve, kryesisht atyre nga ministria e Mbrojtjes, e Jashtme, e Drejtësisë dhe e Brendshme, që përdorin informacionin e klasifikuar në nivel kombëtar dhe atë që shkëmbehet mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të NATO-s. Certifikimi i tyre realizohet përmes disa procedurave standarde, në përputhje me direktivat e Zyrës së Sigurisë së NATO-s, në Bruksel. Këtu në lojë futen shërbimet sekrete vendase dhe Prokuroria. Në bazë të përgjigjes së tyre zyrtare, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë lëshon ose nuk lëshon certifikatën e kërkuar në rrugë zyrtare nga institucioni.

Përveç certifikimit, Shqipëria ka arritur standardet e kërkuara nga NATO edhe në sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Z. Dekavelli thotë se ambientet ku ai mbahet janë siguruar me dyert dhe kasaforta të blinduara, me kamera në hyrje dhe dalje të zyrave.

Standardi tjetër lidhet me sigurimin e rrjetit të komunikimit on -line mes Shqipërisë dhe selisë Qendrore të NATO-s në Bruksel, që po zëvendëson sistemin kriptografik të komunikimit. Ky rrjet nuk ka lidhje me internetin. Ai është ngritur nga ekspertë të NATO-s, me fibra optike, për të shmangur çdo mundësi të ndërhyrjes dhe funksionimi i tij do të fillojë së shpejti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të Jashtme. Por, ajo që sot përbën një standard të arritur nuk është e tillë nesër pasi standardet ndryshojnë dhe Shqipërisë i duhet të plotësojë vazhdimisht legjislacionin dhe të ndjekë teknologjinë inovative. “Standardet janë në ndryshim e sipër, pasi edhe direktivat e NATO-s ndryshojnë herë pas here dhe kërkohen standarde të reja. Jemi në dijeni të ndryshimeve që i pasqyrojmë duke plotësuar legjislacionin tonë,” - sqaron drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shyqyri Dekavelli.

Informacionet “Top sekret”

Legjislacioni shqiptar është i harmonizuar në terminologjinë e tij për informacionin e klasifikuar me atë të NATO-s. “Nëse NATO e quan "cosmic top secret", ne këtë lloj informacioni e quajmë ”tepër sekret”, ndërsa në të nivelet e tjera të informacionit, si ai sekret, konfidencial dhe të kufizuar kemi të njëjtën terminologji me NATO-n,” - thotë Shyqyri Dekavelli.
Për informacionet “tepër sekret” ose në gjuhën e NATO-s “top cosmic secret”, Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara. “NATO nuk ka filluar ende ta dërgojë këtë lloj informacioni në Shqipëri. Jemi ende në procesin e përmbushjes së standardeve për të mbrojtur këtë lloj informacioni, që është i pakët dhe i rrallë por që nëse bie në duar të gabuara dëmton rëndë NATO-n dhe vendet e tij anëtare," thotë z. Dekavelli
Plotësimi i standardeve për të marrë informacionin ”tepër sekret” mbetet sfida e radhës e Shqipërisë, një vit pas anëtarësimit të saj në NATO.

Shkrimi është marrë nga Dojçe Vele

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›