E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi i lartë përballë sfidës së financimit

Bardhyl MUSAI*

Kërkesa e rinisë për të vazhduar shkollimin e lartë, tashmë është bërë masive, jo vetëm në Shqipëri, por është shndërruar në prirje globale. Të gjendur përballë kësaj kërkese në rritje, qeveritë janë vënë në pozitë të vështirë për të financuar sistemin e arsimit të lartë dhe prej kohësh, politikanët dhe financierët kanë kërkuar rrugë e modele të reja për financimin e studimeve. Shqipëria për shumë vite ka pasur një numër të vogël studentësh në arsimin e lartë dhe Qeveria në vitin 2005 një nga prioritetet e saj shpalli rritjen e numrit të studentëve dhe tashmë ky numër po shkon drejt trefishimit. Krahas vështirësive të tjera, si ato të personelit të pamjaftueshëm akademik dhe të infrastrukturës së papërshtatshme, një vështirësi tjetër është edhe financimi nga buxheti i shtetit, ndonëse ai është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2005. Tashmë në kushtet e reja të krijuara, të përmbushjes së aspiratës së rinisë për shkollim të lartë, modeli aktual i financimit është bërë pengesë dhe gjetja e një modeli të ri është domosdoshmëri.
Një model financimi, i cili po zbatohet në shumicën e vendeve sot në mbarë botën, është ai i bazuar në parimin: paraja ndjek studentin, i emërtuar ndryshe edhe sistemi i bazuar në kupona (vouchers), që ka në themel arritjen e 5 objektivave kryesorë: kontributi në rritjen ekonomike, efiçienca, barazia, qeverisja dhe qëndrueshmëria fiskale.
Duke marrë në konsideratë këto objektiva kryesore, si edhe bazuar në përvojat më të mira të grumbulluara në zbatimin e modeleve të reja të financimit, Shqipëria është duke ndërtuar modelin e saj, duke marrë parasysh edhe specifikat që kemi: gjendja aktuale e sistemit, infrastruktura, personeli akademik, situata ekonomike e familjeve, diferencat në zhvillim midis rajoneve të ndryshme, perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, etj.
Karakteristikat kryesore të sistemit bazuar në parimin: paraja ndjek studentin
Me qëllim që të arrihet efektivitet sa më i lartë në financim, sistemi i kuponave ka disa karakteristika. Ai u jep studentëve lirinë e zgjedhjes, duke u siguruar atyre të drejta të barabarta. Nga ana tjetër, ky sistem e bën arsimin e lartë më të shumëllojshëm dhe u përgjigjet kërkesave të studentëve nga njëra anë, dhe atyre të tregut, nga ana tjetër. Burimet e financimit shumëfishohen, ato janë nga buxheti i shtetit (taksapaguesit), prindërit, studentët dhe institucione të tjera filantropiste. Po ashtu sistemi bazuar në parimin paraja ndjek studentin u siguron mundësi të barabarta studentëve për shkollim. Nga ana tjetër, duke qenë se studentët e bëjnë vetë zgjedhjen, atëherë interesimi dhe motivimi i tyre për drejtimin e studimeve është më i lartë. Një aspekt i rëndësishëm është se ky parim rrit ndjeshëm autonominë e institucioneve përmes një qeverisjeje më të mirë, bazuar edhe në planet e zhvillimit strategjik. Duke qenë se arsimi i lartë është një e mirë publike, modeli i financimit ndërtohet i tillë që të mos ndryshojë misionin kryesor të tij, prandaj ai orientohet nga tri pyetje themelore: Kush paguan? Kush përfiton? Kush duhet të paguajë?
Kuponat si mjet publik financimi
Parimi kryesor në përdorimin e sistemit të kuponave është se ai nxit konkurrencë më të madhe midis ofruesve të shërbimit arsimor, përmes politikave mbështetëse drejtpërdrejt nga konsumatorët sesa nga shteti. Sistemi funksionon duke u dhënë studentëve nga një kupon, i cili ka një vlerë të caktuar për shpenzimet e studimit në arsimin e lartë. Madhësia e vlerës përcaktohet nga lloji i 8studimeve që do të ndiqen. Psh., studimet në një degë të shkencave sociale kushtojnë shumë më lirë se ato të shkencave mjekësore. Sipas këtij modeli, programet e studimit grupohen në disa shporta sipas kostos së tyre. A marrin të gjithë studentët kupona? Edhe kjo përcaktohet nga sasia e parave që ka shteti në dispozicion për arsimin e lartë. Nëse i gjithë buxheti u shpërndahet të gjithë studentëve aplikantë, atëherë është e qartë se këto kupona nuk përballojnë koston reale të shpenzimeve për studime, për pasojë nuk garantohet cilësia dhe mund të jetë e papërballueshme për disa studentë të kompensojnë pjesën tjetër të shpenzimeve. Nëse kuponat do të mbulojnë kostot e shpenzimeve të studimit, atëherë përfitues mund të jenë një pjesë e studentëve, psh., gjysma, diçka më shumë ose më pak. Por ky numër përcaktohet teknikisht në varësi të buxhetit dhe më pas shpërndahet sipas programeve të studimit, bazuar në kërkesat e studentëve por edhe të nevojave që ka shteti për disa programe studimi që edhe mund të mos jenë të parapëlqyer shumë nga studenët. Duke qenë se një nga objektivat kryesore është rritja ekonomike dhe tashmë është vërtetuar roli që ka arsimi i lartë, impaktin pozitiv në rritjen ekonomike e kanë degët e shkencave të aplikuara, ato teknike dhe inxhinieritë, biologjike-mjekësore, të shkencave të natyrës, etj. Edhe këtu u duhen dhënë përgjigje shumë pyetjeve, të tilla si: Financimi me kuponat mbulon koston e plotë të studimeve apo edhe të jetesës? Nëse ky financim mbulon edhe koston e jetesës, atëherë studentët do të parapëlqejnë Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL-të) të kryeqytetit dhe mund të ndodhë një pakësim i ndjeshëm i numrit të studentëve në IAL-të rajonale. Shoqëria nuk ka interes që kjo të ndodhë për shumë arsye, prandaj në këtë drejtim do të ketë masa mbrojtëse. Si do të ndahen kuponat midis studentëve, bazuar vetëm në rezultate, pra do të përfitojnë ata që kanë rezultate më të larta dhe ata me rezultate më të ulëta duhet të financojnë vetë studimet? Mbase është më mirë që shpërndarja të bëhet në bazë të të ardhurave, me qëllim që të mos krijohen padrejtësi sociale. Studentët jo përfitues të kuponave duhet të përballojnë vetë shpenzimet përmes lehtësirave të ndryshme, si kreditë me interesa të favorshme dhe shteti mund të jetë garant e të marrë përsipër shlyerjen vetëm të interesave. Pyetjet dhe paqartësitë për funksionimin e modelit pasojnë njëra-tjetrën. Studentët që do të përfitojnë kuponat lejohen të shkojnë të universitetet private? Nga ky model do të përfitojnë edhe IAL-të private njëlloj si ato publike? Nëse një IAL do të ketë kërkesa më të mëdha për pranime, jo vetëm nga kuponat, por edhe nga ato që paguhen nga studentët, a do të lejohen të zgjerojnë numrin? A do të kenë mundësi iAL-të të përcaktojnë vetë kostot e studimeve apo do të ketë kosto reference për të shmangur përfitime të pamerituara?
Përparësitë dhe mangësitë e modelit të kuponave
Modeli i financimit sipas parimit, paraja ndjek studentin ka disa përparësi. Së pari, ai nxit më shumë konkurrencën midis IAL-ve për të financuar shpenzimet e veprimtarive të tyre duke e bërë më efiçient sistemin. Së dyti, modeli zgjeron mundësinë e përzgjedhjes nga studentët duke inkurajuar qasje më të gjerë edhe në zhvillimin e sektorit privat të arsimit. Së treti, nëse studentët do të përfitojnë kupona bazuar në të ardhurat e tyre, atëherë kjo me gjasë do të çojë në rritjen e cilësisë.
Modeli i financimit me kupona paraqet edhe disa vështirësi. Së pari, e bën më të vështirë administrimin sipas mënyrës tradicionale dhe mbase mund ta bëjë jo efiçient sistemin. Kërkohet një sistem modern i menaxhimi të të dhënave dhe informacionit. Së dyti, sistemi nuk është i përshtatshëm për studentët me moshë më të madhe se ata që sapo kanë mbaruar shkollën e mesme, si edhe për ata që vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme. E fundit, nëse studentët përzgjidhen nga të ardhurat familjare, kuponat mund të krijojë pabarazi.
Përgatitjet e IAL-ve për modelin
Modeli i financimit, sipas parimit paraja ndjek studentin, është një alternativë, por gjithsesi duhet marrë seriozisht në konsideratë. Por deri sa të arrihet te koncepti i plotë i modelit të përshtatur për vendin tonë, IAL-të duhet të fillojnë menjëherë përgatitjet për të krijuar mekanizmat e duhur për t’u përshtatur në një situatë të re. Disa nga masat që duhet të marrin IAL-të janë:
Përmirësimi i sistemit të qeverisjes dhe menaxhimit. Këto vite të fundit janë bërë hapa në drejtim të rritjes së autonomisë institucionale dhe financiare, është ngritur një strukturë e re në çdo IAL, Këshilli i Administrimit, por që duhet të jetë më aktiv në tërë veprimtarinë e tij. Jemi ende në fillimet e një sistemi modern qeverisjeje, që do të garantonte funksionalitetin e një modeli të ri financimi. Kapacitetet menaxhuese duhet të rriten, të jenë efikase dhe të orientohen kah cilësia.
Misionet e diferencuara të IAL-ve janë domosdoshmëri për të konkurruar në tregun e arsimit të lartë, i orientuar nga performanca dhe nga nevojat e tregut. Prirja e disa IAL-ve për të pasur programe studimi pothuaj të njëjta, e thënë ndryshe “klonimi i programeve”, nuk është në dobi të tyre, përkundrazi bën të vështirë diferencimin e tyre, humbet identitetin dhe nuk krijon parakushte për t’i orientuar programet nga tregu. Një treg potencial për iAL-të, sidomos ato rajonale, është ai i edukimit; në përgatitjen, trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve. Nëse IAL-të nuk orientohen drejt këtij tregu potencial, për të cilin sistemi arsimor ka nevojë të përhershme, atëherë kjo do të ishte një mundësi e humbur për kombin, por edhe për vetë IAL-të. Shërbimet ndaj të tretëve dhe lidhja me tregun e punës janë një mundësi e mirë për të pasur financa të shëndosha me qëllim që t’i rezistojnë ndryshimeve të menjëhershme dhe të papriturave. Bashkëpunimi me tregun krijon edhe mundësinë e orientimit më të mirë të programeve të studimit, rifreskimin e tyre, hapjen e programeve të reja. Jo të gjitha IAL-të do të kenë si pjesë të veprimtarisë së tyre kërkimin dhe zhvillimin, prandaj është e domosdoshme që të futen në tregun e shërbimeve.
Shërbimi ndaj studentëve lipset të konceptohet në një mënyrë krejt të re. IAL-të duhet ta kuptojnë se të gjitha paratë në institucionet e tyre gjenerohen nga studentët dhe sa më mirë t’u shërbejnë atyre, do të kenë më shumë mundësi të grumbullojnë të ardhura. Kultura dixhitale duhet të jetë mbizotëruese, për komunikim, shërbim, administrim, menaxhim, mësim, etj. Interneti të funksionojë në çdo auditor dhe të dixhitalizohen bibliotekat, krahas librave të ketë edhe abonime në biblioteka on-line, për libra dhe revista, të funksionojnë rregullisht, në të gjitha ditët e javës, në çdo orë të ditës. Po ashtu IAL-të të përditësojnë faqet e tyre zyrtare të internetit, për t’u krijuar më shumë lehtësira studentëve.
Arsimi i lartë është në procesin e hartimit të standardeve për të tre ciklet e studimit dhe së shpejti do të fillojë edhe vlerësimi tërësor i tyre, institucional dhe i programeve të studimit, për të bërë të mundur edhe klasifikimin e tyre, bazuar në disa tregues. Ky proces i paraprin modelit të ri të financimit, prandaj është e nevojshme që të gjitha IAL-të, përmes njësive të vlerësimit të brendshëm të evidentojnë gjendjen e tyre, senatet akademike të hartojnë planet e tyre të zhvillimit strategjik dhe të bëjnë përgatitjet e duhura për të përballuar ndryshimet që do të pasojnë. Modeli i ri i financimit është një sfidë, ajo duhet përballuar me mobilizim të strukturave akademike dhe administrative, me një qasje proaktive ndaj procesit, të nxitur dhe të motivuar nga një qëllim strategjik: të rritim cilësinë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
*Këshilltar i Kryeministrit për arsimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›