E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni-Fini, “martesa” drejt fundit

Autori i Lajmit: Redaksia

Romë - Italia flet prej ditësh fundin e qeverisë solide (për sa u përket shifrave në Parlament) të Berluskonit, por përplasja e fundit mes tij dhe liderit të Dhomës së Deputetëve, Xhanfranko Fini, tashmë nuk mund të fshihej më. Nga njëra anë është Umberto Bosi, që paralajmëron “rënien vertikale të qeverisë” pa pasur asnjë hije dyshimi rreth vazhdimësisë së aleancës qeverisëse “Populli i Lirisë” dhe “Lidhja e Veriut”. Nga ana tjetër, është Silvio Berluskoni, i cili përfiton nga shkëmbimi i batutave me një fotograf për të shpjeguar se nuk do të ketë një tribunë të dytë, sepse “gjëra të tilla nuk përsëriten kurrë më”. Pas përplasjeve të fundit mes Finit dhe kryeministrit, ky i fundit është takuar ditën e premte me Bosin pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar, pas të cilit Bosi paralajmëroi: “Jemi përballë një rënieje vertikale të qeverisë dhe me shumë mundësi dhe të aleancës. Unë jam sigurisht me negociatat, por elektorati i Lidhjes së Veriut është i zemëruar”,- shton ai për agjencinë ANSA. “Ne duam të bëjmë reformat, të mitë duan reformat”,- shton më tej senatori,- dhe unë duhet të interpretoj kërkesat e bazës, të njerëzve që janë të zemëruar. Bosi shpjegon se ata nuk duan ti hedhin më tej benzinë zjarrit, por mjafton të shohësh dhe dëgjosh reagimin e njerëzve. “Le të themi se mekanizmi i federalizmit qëndron ende në këmbë, por duhet të përfundojë shumë shpejt”,- thotë për vazhdimësinë e mëtejshme të aleancës qeverisëse Bosi. Ish-lideri i partisë “Aleanca Kombëtare” pati kritikuar në mënyrë të tërthortë dhe më pas të hapur qëndrimin e partisë në pushtet, në lidhje me çështjen e drejtësisë, me disa aspekte ekonomike dhe mbi politikat e qeverisë mbi fushën e emigracionit. Por nuk parashikohej një përballje e tillë si ajo gjatë punimeve të kryesisë së “Popullit të Lirisë”, ku në sy të delegatëve, e mbi të gjitha përpara objektivave të telekamerave, Berluskoni dhe Fini arritën gati në një zënkë të vërtetë. Kjo ndodhi në debatin e fundit kur kryeministri, duke folur nga podiumi paralajmëroi Xhanfranko Finin që të mos pengojë ecjen përpara të partisë dhe, nëse do të bëjë politikë aktive, duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Dhomës së Deputetëve, ky i fundit hovi në këmbë nga salla duke i thënë me zë të lartë: “Përndryshe, çdo të më bësh? Do të më përzësh?” Në ballafaqimin mes dy politikanëve, përveç fjalëve bënë përshtypje edhe gjestet të cilat në këtë rast nuk duan koment. Gjatë fjalimit prej gati 60 minutash që mbajti më pas, Fini u shpreh se një prej aspekteve që nuk i pëlqen në qeverisjen e tanishme është politika mbi emigracionin. Ai kërkoi dinjitet për emigrantët me banim në Itali dhe për fëmijët e tyre, që nëpër shkolla nuk duhet të trajtohen si fëmijë të kategorisë së dytë. Fini e quajti herezi kërkesën që u bëhet mjekëve për të denoncuar në polici emigrantët pa dokumente që paraqiten në urgjencën e spitaleve. Ai i bëri thirrje Berluskonit që të mos ndjekë “Lidhjen e Veriut” në këtë fushë.

Ky lajm është publikuar: 26/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›