Si po ia fsheh Rama PS-së paaftësinë e vet opozitare
Editorialet synojnë fshehjen e dështimit politik, aradha e shpifësve në media e tek aleatët po shndërrohet në një strukturë paramilitare, që s’e lë PS të kryejë përgjegjshëm rolin që i ka caktuar zgjedhësi, ndërkohë që keqpërdorimi i disa institucioneve dhe i drejtuesve të tyre po synon t’i japë Edvinit pushtet në tavolinë. E gjithë skema është pjesë e strategjisë për shndërrimin e PS në një strukturë private
Edi Rama i cili ka zbuluar një “vlerë” të vetja e vetë, nuk po resht së shkruari e së shkruari..., broçkulla nga më të ndryshmet. Duke pasur gjithë kohën e nevojshme në dispozicion, ai shkruan editoriale, por shkruan edhe fjalimet që lexon në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Përpos këtyre ai shkruan edhe ato që lexojnë Vasilika Hysi, Gramoz Ruçi, Olta Xhaçka, apo edhe Artan Gaxhi. Nuk ka besim te ato që mund të thonë para kamerave Vasilikat, Gramozët, Oltat e Artanët e PS-së, ndaj edhe ka zgjedhur tua shkruajë vetë.
Por, në këtë zbulim të “vlerës” së tij, për të shkruar, Edi Rama ka harruar të bëjë opozitë, ose më saktë, nuk ka harruar, por po tenton ti fshehë PS-së, paaftësinë e vetë opozitare.
Shpërfaqja me editoriale, apo shpallja e konkursit se kush i lexon më bukur para kamerave broçkullat e tij, përveçse e largojnë atë nga komunikimi me strukturat, bëjnë të besueshme një strategji të zgjedhur prej tij, jo rastësisht, për të mos matur e ballafaquar rezultatin e tij nul në politikë.
Sigurisht, në vënien në zbatim të kësaj strategjie të tij, Edi Rama ka në dispozicion dhe nën komandë një armatë të tërë, me kuç e me maç, të cilët s’janë asgjë më shumë se sa ndoca paramilitarë.
Në radhë të parë, qëndrojnë të keqpërdorurit që i përkasin një aradhe të paguar, vegjetuesish e shpifësish në media, që kanë marrë përsipër të dreqosin edhe marrëdhëniet e Edi Ramës me aleatët e shoqërinë civile. Është kjo kategori të keqpërdorurish, e cila duke funksionuar si një strukturë paramilitare, nuk e lë PS-në të rreshtohet në shina opozitare, e as të kryejë përgjegjshëm rolin që i ka caktuar zgjedhësi.
Në funksion të kësaj, nga ana tjetër kjo kategori e paguar vegjetuesish e shpifësish në media, të ndërgjegjshëm për mungesën e ndikimit të tyre në publik, ç’nuk bëjnë për të amplifikuar kabllograme pas kabllograme, për të cilat vetë janë lodhur, kanë shkruar sa kanë dashur, për vite e vite me radhë, por që për fatkeqësinë e tyre, “nuk i pordhi” njeri... Dhe prej kohësh kanë filluar të konsumohen, duke u kapur prej k... të Julain Asange, me shpresën se ato që publikon ai, për të cilat edhe vetë më parë kanë shkruar e shkruar pa u lodhur, do të përbëjnë mjaftueshëm, arsye që atyre tashmë “tua pjerdhin” ndopak.
Në një skalion tjetër, jo larg të keqpërdorurve të parë, vegjetuesve e shpifësish në media, nuk qëndrojnë as disa institucione dhe drejtues të tyre..., sigurisht në shërbim të Edi Ramës.
Në “misionin” e tyre këta të keqpërdorur të tjerë, sikurse disa institucione dhe drejtues të tyre, për të marrë ndonjë ndihmë të mundshme shtesë, apo për të përfituar pse jo edhe politikisht, nuk reshtin së luftuari kundërshtarët politikë të Edi Ramës, duke i krijuar atij iluzione se pushteti mund të merret në tavolinë..., iluzion që me sa duket, kreut të PS-së i mjafton për të gënjyer anëtarësinë e strukturat e partisë..., të paktën deri në kongresin e 5 nëntorit. Këto institucione, për më tepër ndonjë drejtues i tyre, nuk ndryshojnë shumë nga Julian Asange, kur bisedat konfidenciale telefonike me drejtues institucionesh të tjera, i raportojnë te WikiRama... Apo..., apo..., ca më keq akoma, ndonjë drejtues institucioni tjetër, i pakënaqur nga vetja pse vota e tij nuk mjafto për rikonfrimimin e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës, “harron” të bëjë detyrën e vetë kushtetuese, të largohet paksa “nga ngjarjet në bulevard” dhe ti bëjë thirrje kreut të opozitës, të çlirojë nga pengmarrja integrimin e Shqipërisë...
Sikurse çdo strategji, edhe kjo më e fundit e Edi Ramës, e ka një synim. Dukshëm, e gjithë kjo strategji, për momentin synon bunkerizimin e partisë në kongresin e radhës, largimin e disa të papërdorshmëve (duke përdorur edhe “përfshirjen” e tyre nga kabllogramet e Wikileaks), pse jo dhe shndërrimin e partisë në një strukturë private...
Ndërsa në një perspektivë kohore që e kapërcen kongresin e 5 nëntorit, strategjia e Edi Ramës, synon edhe ca më dukshëm, bashkimin e vegjetuesve shpifës të mediave, apo edhe e ndoca drejtues institucionesh, nën ombrellën e Lëvizjes “Faqezinjtë”...