PS: Mbledhja e qeverisë ishte një shfaqje hipokrite
Partia Socialiste reagoi dje ashpër ndaj mbledhjes së parë të qeverisë së re, duke e cilësuar atë një shfaqje hipokrite të Sali Berishës dhe shpurës së tij. Sekretari i çështjeve organizative në PS, Blendi Klosi, gjatë një deklarate për shtyp në emër të selisë rozë ka theksuar se tashmë qytetarët shqiptarë panë me sytë e tyre një shfaqje të turpshme të një qeverie të re të politikës së vjetër. Sipas Klosit, mbledhja e qeverisë së re ishte "një shfaqje hipokrite e degradimit të tejskajshëm, jo vetëm për shqiptarët që votuan përsëri në shumicë që Sali Berisha të mos e qeveriste më këtë vend dhe të shkonte në pension politik, por dhe për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë që ky vend të qeveriset nëpërmjet votës së lirë". Në vlerësimin e socialistëve, Kryeministri Sali Berisha dhe shpura e tij pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë, grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet e 28 qershorit. Më tej, në emër të selisë rozë, sekretari Klosi theksoi se "Sali Berisha është i paaftë dhe i painteresuar për t‘u dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve dhe në mbledhjen e qeverisë dëshmoi edhe njëherë se nuk do të qeverisë dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal, pavarësisht patericave të reja që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik". Duke mos pranuar qeverinë e re dhe në veçanti disa nga ministrat e saj, Partia Socialiste ka theksuar se "Sali Berisha me ministra të kërkuar nga drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund ta qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin, dhe prandaj PS-ja është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara". Duke ritheksuar për të disatën herë faktin se grupi parlamentar i PS-së nuk do të hyjë në Kuvend derisa të plotësohen nga mazhoranca kërkesat e tyre, Klosi deklaroi se "Sali Berisha i trembet të vërtetës së kutive të votimit, të cilat i mban peng në mënyrë të kundërligjshme". Ne, theksoi sekretari organizativ i PS-së, nuk hyjmë në këtë Parlament të rezultateve të deformuara dhe të kutive të mbyllura. "Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin në tavolinë, por do të kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit", theksoi ai. Socialistët këmbëngulin se "nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike, sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës". Klosi vë në dukje faktin se PS-ja është e vendosur në rrugën e saj legjitime, për të mos lejuar që ligjit të kthehet në një letër pa vlerë; që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar; që tufat e kriminelëve të lejohen të dalin nga burgjet për fushatë elektorale; që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale; që njerëzit të largohen nga puna pse nuk rreshtohen me pushtetin.