E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berluskoni mbërrin në Tiranë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni rikthehet në Shqipëri pas gjashtë vitesh. Shefi i qeverisë italiane mbërriti sot në Tiranë, ku do të takohet me krerët e lartë të shtetit, Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarin e PS-së dhe kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Kryeministri Berluskoni mbërriti në aeroportin e Tiranës dhe më pas u nis për në godinën e qeverise. Për 50 minuta dy kryeministrat do të jenë në bisedime kokë më kokë me njëri-tjetrin, ku pika më thelbësore e vizitës së shefit të qeverisë italiane dhe bisedës së tyre është nënshkrimi i disa marrëveshjeve energjetike me vendin tonë. Në mesditën e sotme, Kryeministri Berisha dhe i ftuari i tij, Silvio Berluskoni do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp në të cilën do të bëhen publike edhe detajet e marrëveshjeve të nënshkruara mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Integrimi i Shqipërisë pritet të jetë një tjetër temë e nxehtë e kërkuar nga Tirana zyrtare. Nga pala italiane pritet që të rikonfirmohet mesazhi për Shqipërinë nga vizita disa orëshe e shefit të qeverisë italiane në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›