Berluskoni, një pasqyrë e Italisë
Si e marrin italianët Silvio Berluskonin? Lehtë. Shumica mendojnë: “Ai është njëri prej nesh”. E dashuron familjen e tij, futbollin, miqtë, ushqimin. Dhe paratë e tij, sigurisht. Ai vlerëson shumë kishën në mëngjes, vlerat e familjes në pasdite dhe qëndron me vajza të reja gjatë natës; në moshën 72-vjeçare, kjo është goxha arritje. Nuk ka asnjë dyshim që është argëtues. Në të majtë, shumica e politikanëve janë të mërzitshëm. T’i mundësh ata? Është shumë e lehtë për Silvio rebelin.
Shumë italianë as që duan t’ia dinë për konfliktin e interesave të tij (e kush nuk ka nga pak?), apo problemet e tij me ligjin (ata që mbrohen janë më të simpatizuar sesa prokurorët). Premtime të pambajtura, gjysmë të vërteta, pyetje pa përgjigje? Fjala llogaridhënie nuk përkthehet shumë mirë në italisht. Kjo është toka e natyrës njerëzore, siç ka thënë dikur një udhëtar amerikan. Dhe e politikës emocionale. Edhe Franca është pak e tillë. Nuk është koincidencë që një populist i mençur, i shkathët, i shkurtër, që ndodh gjithashtu t’i ecë jo pak me gratë, po udhëheq në Paris. Ashtu si ne, francezët i shohin politikanët ashtu si britanikët shohin bankierët. Ne harrojmë dhe falim, edhe pse nuk duhet.
Gafat e tij? Shumica e italianëve mendojnë se Berluskoni thotë thjesht atë që i vjen në mendje, atyre as nuk u duhet, nëse të huajt nuk kuptojnë apo më keq akoma. Disa deklarata janë të pafalshme, sigurisht. Ngjyra e Obamës, shakatë për kampet e përqendrimit, komentet seksiste. Nëse je në krye të një qeverie, duhet të dish se fjalët e tua, që transmetohen në çast, mund të lënë të shtangur të huajt. Italianët jashtë vendit e dinë këtë gjë. Ata me të drejtë ankohen se gafat e Berluskonit u lejojnë atyre që s'e duan Italinë që të na tallin, duke injoruar gjërat e mira që ne bëjmë nëpër botë.
Për të qenë të drejtë, media e huaj ndonjëherë i ekzagjeron incidentet. Thirrja drejt presidentit amerikan përpara mbretëreshës Elizabeth II, pas fotografive zyrtare të G-20 në Londër (“Z. Obama! Unë jam z. Berluskoni), ishte një moment shumë i bukur tip Borat, i padëmshëm dhe goxha dëfryes. Biseda në celularin e tij, ndërkohë që Angela Merkel po e priste në samitin e NATO-s? Ai thjesht donte të dukej (“Unë mund ta bind liderin turk, Erdogan, që të pranojë Rasmussen si kreun e NATO-s. Ma lini mua, djema”). Dhe kur ai u tha viktimave të tërmetit në Abruzzo që ta mendonin situatën e tyre si një “fundjavë kampingu”, sigurisht që të huajve nuk u tingëlloi mirë. Por shumica e italianëve e kuptuan se Berluskoni thjesht po përpiqej të largonte tensionin nga situata.
Berluskoni është një politikan i stazhionuar (ai mori për herë të parë detyrën e kryeministrit në vitin 1994 dhe është i vetmi kryetar qeverie evropiane që ka lindur përpara Luftës së Dytë Botërore), dhe e di shumë mirë që keqkuptimet ndërkombëtare nuk i bëjnë dëm brenda vendit të tij. Ata që e kritikojnë, nuk votojnë për të, gjithsesi. Gafat e tij nuk janë pjesë e ndonjë strategjie të madhe. Më shumë gjasat janë që ato të jenë spontane, rezultat i pasigurive të fermentuara në vetëvlerësim dhe të shndërruara në arrogancë. Krenar për arritjet e tij, fillimisht pronat e paluajtshme, më pas televizioni dhe futbolli dhe më së fundi politika, ai mendon se mund të thotë çfarë të dojë, kur të dojë dhe kujt të dojë.
Ai është popullor. Një përzierje e Huan Peronit dhe Frenk Sinatrës. Asnjëherë nuk ka një moment të mërzitshëm. E kritikon media italiane? Nuk e bëjnë gazetat dhe televizionet e tij. As edhe stacione të kontrolluara si RAI. Shtypi i djathtë e adhuron. Shtypi i majtë e urren. Vetëm disa pak gazeta, duke përfshirë “Corriere della Sera”, diskutojnë për të çdo ditë, rast pas rasti.
A e bën kjo Italinë një shtet autoritar? Sigurisht që jo. Ne jemi shumë anarkistë sa për të lejuar ndokënd që të na thotë se çfarë të bëjmë për një kohë të gjatë (të gjithë dështuan, nga Cezar Augusti te Benito Musolini). Berluskoni ka fituar tri palë zgjedhje, ka humbur dy dhe demokracia është gjallë dhe shëndoshë e mirë. Italia është si një zonjushë postmoderne, mendoni Sforzat në Milano apo De Medicit në Firence, e udhëhequr nga një i moshuar dashamirës, të cilin ata që e zgjedhin e duan shumë. A është Berluskoni një kryeministër i mirë? Le të themi se nuk është shumë më keq se paraardhësit e tij dhe që e shet më mirë veten. Ai nuk ka zgjidhur problemet e përhershme të Italisë, borxhin e lartë publik, burokracinë, krimin e organizuar, korrupsionin, sistemin e drejtësisë dhe infrastrukturën e vjetruar, por të paktën ai ka ofruar stabilitet. Nga koha e Luftës së Dytë dhe deri në ardhjen e këtij shekulli, Italia kishte mesatarisht një qeveri çdo vit. Berluskoni e përfundoi mandatin e tij mes viteve 2001 dhe 2006; i rizgjedhur më 2008, ai mund të vazhdojë deri më 2013.
E vërteta është se Berluskoni nuk është vetëm kreu i qeverisë së Italisë, por vetë autobiografia e kombit. Ai kombinon bujarinë, mosvazhdimësinë, talentin si aktor, qëndrueshmërinë, gabimet taktike të kujtesës dhe besnikërinë. Ai premton gjëra që nuk i bën dhe bën gjëra që nuk i ka përmendur asnjëherë. Kundërshtarët e tij italianë, edhe më të mirët, më të mençurit e më të ndershmit, kanë të drejtë që shqetësohen. Jo për vetë Berluskonin, por për Berluskonin brenda tyre.
* Autori është opinionist i gazetës “Corriere della Sera”