E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskonizmi i “Doktorit”

Kryeministri italian Silvio Berluskoni, gjatë vizitës së paradyditëve në Shqipëri bëri një vlerësim të rëndësishëm për cilësitë qeverisëse të kryeministrit Berisha, kur tha midis të tjerash se: “Ai vjen nga fusha e shëndetësisë dhe unë punoj shumë mirë me të, sepse më duket si një sipërmarrës”. Berluskoni është një ndër “profesorët” më të mëdhenj në botë të sipërmarrjes së lirë private dhe mendimet a vlerësimet e tij në këtë drejtim janë të padiskutueshme; janë aksioma që s’kanë nevojë për vërtetim. Është pikërisht ky lloj vlerësimi për aftësitë e larta menaxheriale të kryeministrit Berisha që e kanë nxitur Kavalierin t’i besojë kreut të qeverisë shqiptare plot 5 miliardë euro investime të rëndësishme në territorin tonë. Një iniciativë e tillë “Berluskoniane” meriton mirënjohje mbarëshqiptare edhe për faktin se ajo ndërmerret në një moment kur mbarë bota perëndimore ndodhet në një recesion ekonomik, për shkak të krizës së rëndë finaciare që e ka prekur atë prej disa muajësh, qysh nga 6-mujori i dytë i vitit të kaluar. Nga ana tjetër, ky lloj vlerësimi që bëhet nga një ekspert i kalibrit ndërkombëtar për qeverisjen e efektshme shtetrore dhe menaxhimin e sipërmarrjes së lirë private njëkohësisht është një argument tjetër për t’u treguar gjithë kritizerëve majtisto-mediatistë se, progresi mbreslenës që është bërë në këto 36 muaj të mazhorancës së djathtë, ka në themel punën me përkushtim e fantazi të kryeministrit Berisha dhe kabinetit të tij për të çliruar sipërmarrjen e lirë private nga ngarkesa e lartë e taksave, diktatura rrënuese e monopoleve, taksa asfiksuese e korrupsionit, burokracia e neveritshme demoralizuese e kështu me radhë. Po të kemi parasysh situatën e fundverës ’05, të trashëguar nga qeverisja majtiste në këtë drejtim, atëherë nuk e tepërojmë të themi se, në më pak se 3 vjetë jetë të qeverisë “Berisha” është bërë një revolucion i vërtetë fiskal për t’i dhënë mundësi sipërmarrjes së lirë private të rimëkëmbet, të fuqizohet, të shtohet e të zgjerohet deri në atë masë, sa që të marri vlerësimet më të larta morale e financiare nga institucionet ndërkombëtare. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për biznesin vendas por edhe për atë të huaj, i cili tashmë e konsideron Shqipërinë si një destinacion fatlum. Berisha në daljet e tij publike ka theksuar vazhdimisht se, “beteja për lirinë e tregut është betejë për prosperitet”.
Pikërisht për shkak të këtyre arritjeve, Banka Botërore, “Doing Business”, deklaroi në raportin e saj se brenda vitit Shqipëria parakaloi 50 vende të botës dhe arriti të renditet nga vendi i 136, që ishte një vit më parë, në vendin e 86 në ’08-n. Renditja e dytë në botë për reformat e tregut të lirë, është dëshmi e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të kësaj qeverie dhe qytetarëve shqiptarë për të ndërtuar kapitalizmin e vërtetë në Shqipëri. Ndërkohë është dhe një moment historik për vendin, pasi kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur dhe nuk ka shënuar kurrë një rekord të tillë ndërkombëtar në fushën e reformave. Të gjithë jemi koshientë se, rruga e kapitalizmit të vërtetë në Shqipëri nisi me reforma të thella të tregut që ne ndërrmorëm pas 22 marsit të vitit ’92, kur në pushtet erdhën demokratët. Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e kanë patur të qartë qysh kur përmbysëm “socializmin e parë” se ç’fytyrë do të kishte ekonomia e tregut të lirë në Shqipëri. Arritjet e viteve ’92-’96 kur Shqipëria e kolapsit më të thellë ekonomik, inflacionit treshifror, hiperkolektivizmit ekstrem; nëpërmjet liberalizimit, terapisë së shokut dhe privatizimit masiv u shndërrua në një kohë të shkurtër “në vendin e suksesit suprizë”, me treguesin dyshifror të rritjes ekonomike, inflacionit njëshifror dhe në vendin ku 80% e GDP i përkiste veprimtarisë ekonomike në sektorin privat. Mirëpo, këtë hov të pashembullt të zhvillimit të shpejtë të vendit e bllokoi rebelimi komunist i vitit '97, i cili brenda pak muajësh vendosi në Shqipëri sundimin kleptokratik, duke përdhosur deri në ekstrem lirinë e shënjtë të tregut. Në këto kushte vetëm brenda pak muajësh falimentuan rreth 30 mijë biznese dhe me mijëra të tjerë u robtuan për të ushqyer monopolet dhe mafien e pushtetit majtist. Ndërkohë nga Shqipëria u larguan mijëra investitorë të huaj. Si rezultat i kësaj politike klienteliste, për 8 vjetë rresht në periudhën ’97-’05, Shqipëria ishte jo vetëm vendi me ngarkesën më të lartë fiskale por edhe me evazionin më të lartë fiskal në Evropë, kontinenti në të cilin ne kërkojmë të integrohemi. Faktet tregojnë se, qeverisjet majtiste kanë arritur të mbledhin nga 15-19% të tatimeve dhe taksave në raport me PBB-në; një shifër e cila ishte gati 20% më e ulët se sa vendet e tjera të rajonit dhe afro 30% më pak se sa vendet e OECD-së. Mjafton të përmendim faktin që vetëm TVSH-ja tek ne jepte 7% të GDP-së, ndërkohë që për vendet e zhvilluara të Evropës ajo jepte nga 6,5 –6,7% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Vitin e fundit të qeverive social-komuniste, ngarkesa fiskale për biznesin fiskal arriti në mbi 40% të prodhimit të përgjithshëm bruto, ndërsa evazioni fiskal mendohet të ishte në 60% të këtij treguesi. Ishte kjo arsyeja që në muajtë e parë të vitit ’05, zyra e financave të Brukselit i kërkoi qeverisë “Nano”, nëpërmjet një raporti të përgatitur për këtë qëllim, “…më shumë transparencë në fushën e mbledhjes së taksave…”, pasi “Shqipëria ka nevojë të luftojë korruptimin dhe mashtrimin fiskal”. Gjatë vitit ‘04, edhe si rezultat i rënies së mëtejshme të ritmeve të rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar treguesi i të ardhurave tatimore në raport me PBB-në për vendin tonë arriti në 19% ose 20,4% më pak se Unioni Serbi-Mali i Zi dhe 22,6% më pak se Bosnje-Hercegonia, dy vende ballkanike këto mjaft të destabilizuara dhe të vonuara në zhvillimet demokratike për atë kohë. Nga ana tjetër, në dy vitet e fundit të qeverisë “Nano”, taksa e korrupsionit majtist, sipas Bankës Botërore, kishte arritur në 1,4 miliardë dollarë dhe pasiguria, në të gjitha kuptimet e saj, kishte arritur kulmin.
Pak a shumë kjo ishte situata e biznesit në Shqipëri, në prag të riardhjes në pushtet të Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë qeverisës. Me t’u krijuar kabineti “Berisha” në shtator ’05 shpalli si objektiv madhor të “qeverisë së shërbimit dhe shërbesave”, kryerjen e reformave të thella fiskale, për të ndryshuar situatën kritike në të cilën kishte përfunduar biznesi gjatë 8 viteve të qeverisjes majtiste. Qëllimi kryesor i një strategjie të tillë fiskale ishte konsolidimi i biznesit, rritja e investimeve ekonomike, punësimit dhe mirëqënies së përgjithëshme të qytetarëve, duke bërë “zero” evazionin fiskal. Menjëherë pas mandatimit të qeverisë “Berisha”, u krijua Task-Forca për reformat e tregut dhe dimensionimin e tij sipas konkurencës së lirë, e kryesuar nga kryeministri dhe e përbërë nga ministrat e Ekonomisë, Financave dhe ministra të tjerë të linjës. Detyra kryesore e kësaj Task-Force ishte nxjerrja me shpejtësi e ekonomisë shqiptare nga kthetrat e monopoleve politike në ekonomi, kontrabandës dhe informalitetit; për të mbërritur kështu me shpejtësi tek garantimi i lirisë së tregut, vendosja e standardeve më të mira për sipërmarrjen e lirë private, me qëllim vendosjen e Shqipërisë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, sikundër ndodhi në vitet ’92-’96. Task-Forca inicioi dhe zbatoi qindra vendime dhe ligje, të cilat përbëjnë bazën ligjore, solide të reformave që sollën Shqipërinë në vendin e dytë në botë, për suksesin e tyre gjatë këtyre dy viteve të fundit. Klima e re që u krijua për zhvillimin e biznesit bëri të mundur nxitjen e invetimeve të huaja të Shqipëri. Mjafton të përmendim në vitin ‘06, investimet në Shqipëri u rritën me 4 herë, krahasuar me mesataren 8-vjeçare të regjimit social-komunist, ndërsa gjatë vitit të vazhdim ato po shkojnë drejt trefishimit, krahasuar me vitin ‘06. Për garantimin e investimeve, qeveria ndërmori reforma komplekse dhe vendosi një kuadër të ri ligjor për shoqëritë tregtare dhe personat juridikë. Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon garanci e lehtësi të reja për investimet e huaja dhe sipërmarrjen e lirë private në Shqipëri. Tre vjet më parë, Shqipëria kishte rekordin më të keq për regjistrimin e biznesit, që zgjaste rreth 42 ditë. Njëkohësisht kishte edhe koston më të lartë zyrtare me plotë elementë korrupsioni për këtë regjistrim. Gjatë vitit të kaluar, me ndihmën e USAID-it, u krijua One-Stop-Shop për regjistrimin e biznesit që e shkurtoi kohën e regjistrimit nga 42 ditë në një të 24-n e ditës. Tregues të tjerë të reformës fiskale apo revolucionit fiskal në Shqipëri janë ulja e madhe të taksave, vendosja e taksës së sheshtë 10%, miratimi i Kodit të ri të procedurës tatimore, rezultatet spektakolare në mbledhjen e taksave, thjeshtimi i sistemit tatimor nga 23 në 6 taksa kombëtare, etj. Në këtë mënyrë, sot Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të taksave në Europë, ku taksa e biznesit të vogël u ulë me 50%, tatim-fitimi 150%, tatimi mbi të ardhurat personale 130%, taksa doganore me 600% dhe sigurimet shoqëore me 31%. Por më e rëndësishme se sa kjo paradë shifrash statistiskore është rezultati financiar i uljes së taksave. Në tre vitet e revolucionit fiskal të qeverisë “Berisha”, me gjithë uljen e madhe të taksave Shqipëria ka patur rritjen më të madhe të të ardhurave në Europë. Në vitet ‘02-‘04, në Shqipëri me taksat më të larta në rajon dhe më gjerë, u mblodhën 439 miliard lekë të ardhura nga taksat dhe tatimet në buxhet ose 3,2 miliardë dollarë më pak se në vitet ’06-’08, me nivelin më të ulët të taksave në Europë. Si në asnjë vend tjetër, të ardhurat nga taksat dhe tatimet u rritën me rreth 70%. Madje në tre vitet e qeverisë “Berisha”, u volën 7 miliardë dollarë më shumë se sa në 5 vitet e qeverisjes majtiste. Përbërës të këtij rezultati pozitiv të ardhurash fiskale janë rritja me 43% e eksporteve, krahasuar me një vit më parë, rritja me 40% e ritmeve të ndërtimit, rritja me 30% e prodhimit industrial, rritja me 50% e turzimit, rritja dyshifrore e prodhimit bujqësor, etj. Kësisoj vetëm gjashtëmujorin e parë të këtij viti, numëri i bizneseve u shtua me më shumë se 13 000 mijë njësi. Shtimi i biznesve dhe investimeve do të thotë më shumë vende pune e mirëqënie për qytetarët shqiptarë.
Argumentat mirëqeverisës në këtë drejtim janë pa fund, por si konkluzion do të thoshim se, rritja e ekonomisë, e të ardhurave buxhetore dhe mirëqënies së qytetarëve në kushtet e uljes drastike të taksave është materializim i filozofisë së qeverisjes sipas mentalitetit dhe ndjeshmërisë së menaxhimit të suksesshëmn të një biznesi privat. Fjala është që duke qënë në krye të ekzekutivit, prona e shtetit dhe paratë publike të dhimbsen njëllos si dhe prona dhe paratë e tua private. Dhe për t’ia dalë mban një misioni të tillë më shumë se sa lloji i profesionit, të ndihmon përgjegjësia qytetare që ndjen në ushtrimin e detyrës shtetrore. Suksesi i një qeverisjeje në kushtet e ekonomisë së tregut varet shumë nga partneriteti që ndërton me biznesin, pasi suksesi i tij është suksesi. Gjithë faktet e mësipërme këtë tregonin, që suksesi i qeverisë “Berisha” qëndron tek suksesi i sipërmarrjes private. Po për të arritur një standard të tillë qeverisjesje, kërkohet frymë sipërmarrësi në drejtimin e ekzekutivit. Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni që është një simbol i kësaj lloj qeverisjesje të suksesshme na tregoi se i një kalibri të tillë është edhe kryeministri Berisha, pavarësisht se është mjek me profesion dhe nuk ka drejtuar kurrë në jetën e tij një biznes privat. Pikërisht tek kjo cilësi dhe tek suksesi i deritanishëm i mazhorancës aktuale, Kavalieri sheh triumfin e filozofië qeverisëse të Berishës edhe në zgjedhjet e ardhshëm parlamentare.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›