E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmirësimi i cilësisë dhe standardeve, baza që rrit prodhimet bujqësore për eksport

Përmirësimi i cilësisë dhe standardeve, mbetet baza për rritjen e produkteve shqiptare për eksport, ndaj dhe ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit gjatë vitit 2009 synon politika intensive në mbështetje të eksportuesve shqiptare, për të realizuar një nga sfidat kryesore të saj, rritjen e eksporteve bujqësore. Treguesit e eksport-importeve të produkteve bujqësore për vitin 2008 rezultojnë me rritje në të gjithë përbërësit e tyre, kundrejt një viti më parë. Duke iu referuar volumit tregtar në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit deri tani për vitin 2008, rezulton se ai zë shifrën e 376.5 milionë euro, me një rritje prej 12.9% ndaj vitit 2006. Sipas MBUMK, eksportet totale të sektorit të bujqësisë këtë vit do të arrijnë në 30.1 milionë euro, me një rritje prej 24.7% më shumë se një vit më parë. Specialistët e bujqësisë shprehen se të ndarë sipas degëve kryesore, sektori i blegtorisë ka realizuar 145% të eksporteve gjatë 2008, ndërkohë që bujqësia ka realizuar 118% dhe agroindustria 129%. Eksportet bujqësore vazhdojnë të dominohen nga bimët mjekësore, të cilat zënë peshën kryesore të eksporteve shqiptare me një peshë prej 35% të totalit të eksporteve bujqësore gjatë vitit 2007, me një rritje prej 17%, kundrejt vitit 2007. Këtë vit lëkurët e papërpunuara, kundrejt një viti më parë, janë rritur me 6%, duke zënë 16.6% të eksporteve. Rritjen më të madhe të eksporteve këtë periudhë e zë duhani i papërpunuar, me rreth 48% të totalit. Krahas tyre ka dhe mjaft produkte të tjera që megjithëse zënë vlera më të vogla, në 9-mujorin e vitit 2008 kanë realizuar nga 150-200% të eksporteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar si : vaj ulliri, ujërat e sheqerosura, birrë, verë, qepë, domate, fruta, etj. MBUMK bën të ditur se gjatë kësaj periudhe, importet rezultuan me një rritje prej 12%, kundrejt 2007-ës, me një vlerë prej 346.3. milionë euro. Importi i birrës zë 4.3% të totalit, ndërsa gjedhët e gjallë 4.3%. Një peshë të rëndësishme zënë frutat me 9.2% ndaj totalit te importit, të cilat janë rritur gjatë këtij viti me 1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë ekspertët vërejnë se ende ka një bilanc tregtar negativ, i cili evidentohet në sektorët potencial për eksportet si psh, sektori agroushqimor ku raporti eksport-import është 1: 9. Por sipas tyre, megjithëse në nivel të ulët ky sektor ka realizuar eksporte në vendet e BE, çka tregon se ekziston një potencial i përgjithshëm për eksport që mund të ngrihet mbi një bazë duke përmirësuar dhe zgjeruar eksportet. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me rajonin dhe Marrëveshja e Stabilizim-Associmit me BE-në, ofrojnë shanse për ekonominë shqiptare që të rrisë eksportet, por nga ana tjetër kërkohet shumë punë për rritjen e ofertës së prodhimeve shqiptare me cilësi. Sipas ekspertëve të bujqësisë, prodhimet me cilësi dhe sasi, teknologjitë e përpunimit dhe strukturat e marketingut, janë elementët bazë për rritjen e eksporteve. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka përcaktuar në strategjinë e zhvillimit të saj se, në prodhimin agrar vendas, një nga pengesat për uljen e eksporteve mbeten strukturat e vogla të prodhimit, numri i vogël i fermave që kanë kapacitete për të prodhuar sipas kërkesave europiane të cilësisë, sasitë e kufizuara të prodhimit për tregun e freskët vendas dhe jo për prodhimin e industrisë përpunuese. Kjo bën që mjaft kompani të industrisë së përpunimit, përfshirë edhe ato që prodhojnë për eksport, t’i blejnë lëndët e para bujqësore nga importi. Këto probleme, shprehen specialistët, janë një faktor kufizues për eksportet shqiptare, ndaj dhe janë në qendër të vëmendjes së këtij dikasteri. Në këtë kuadër, një projekt bashkëpunimi me Holandën po zbatohet në zonën e Divjakës me projekte pilot investimi që plotësojnë zinxhirin teknologjik: prodhim, magazinim paketim, ruajtje ne frigorifer, ç’ka pritet të kthehet në një përvojë të mirë, me ndikim të shpejtë në eksportet bujqësore. MBUMK parashikon që gjatë vitit 2009 në mbështetje të rritjes së eksporteve, të ndërmarrë programe jo vetëm në rritjen e prodhimit, por dhe monitorimin e produktit për cilësinë e sigurinë ushqimore në përputhje me kërkesat e BE-së. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›