Bërnli në Premiership, nuk ka vend për Berishën
E ardhmja e Besart Berishës vazhdon të jetë e pasigurt. Lojtari i Kombëtares shqiptare është kthyer te Bërnli pasi mbylli përpara kohe aventurën te danezët e Horsens. Gjithsesi, ngjitja e klubit në Premiershipin anglez ka bërë që drejtuesit të kërkojnë afrimin e lojtarëve cilësorë, me të cilët do të përballen si të barabartë kundër skuadrave elitare në Angli. Drejtori operativ i Bërnlit, Brendan Flud, pohoi se "pas kërkesave të trajnerit Ouen Kojli, Bërnli synon të afrojë deri në shtatë lojtarë". Kjo do të bëjë që një pjesë e kontingjentit aktual, duke përfshirë këtu edhe sulmuesin kuqezi, të largohen nga skuadra. Pavarësisht se është transferuar tek ekipi ishullor që prej vitit të kaluar nga gjermanët e Hamburg, 23-vjeçari Berisha ende nuk ka debutuar zyrtarisht. Ai u dëmtua gjatë fazës përgatitore, duke qëndruar për shumë muaj jashtë fushave të lojës. Në mënyrë që lojtari të rehabilitohej plotësisht, ai u dërgua te Horsens në SAS Ligaen. Në 11 takime, kosovari shënoi pesë gola, megjithatë ai u përjashtua në javën e fundit të kampionatit, pasi sipas mediave nordike goditi me grusht një shok të skuadrës gjatë stërvitjes.