Portugalia e "vjedh" fitoren në Tiranë
Luajtëm si të barabartë, zbehëm yjet e futbollit evropian, por në fund Portugalia na e "vodhi" fitoren. Rezultati 1-2 mashtron. Kjo Shqipëri meritonte më shumë se kaq. Në minutat e para kuqezinjtë janë të vendosur mirë në fushë dhe e qarkullojnë topin falë aftësive të mira teknike të Skelës e Duros, por zona portugeze është tabu për momentin. Shpërndarja e skuadrës në mënyrë të njëtrajtshme dhe në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri ua vështirëson kundërshtarëve avancimin drejt portës sonë. Zona me më shumë trafik është mesfusha, ku përqendrohet loja e të dyja skuadrave. Njeriu më i rrezikshëm i luzitanëve në atë fillim është ylli i Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo, i cili bën disa numra, pretendon edhe për një 11-metësh të paqenë, por nuk e gjen dot hapësirën për të shënjestruar portën. Emocionet më të mëdha të të gjithë ndeshjes u përkasin minutave 25-30. Cana i provokon kundërshtarët me një gjuajtje të fortë nga distanca. Loja rinis me shpejtësi dhe kundërsulmi i Ronaldos gjen të papërgatitur mbrojtjen, por në momentin final është vendimtare ndërhyrja e Canës, që neutralizon gjithçka. Një gabim i pafalshëm (si zakonisht) i tre mbrojtësve tanë në një kros nga e djathta e sulmit portugez dhe Almejda kalon Portugalinë në avantazh 1-0 në minutën e 27-të. Por vetëm 2 minuta e ndajnë këtë disavantazh nga shpërthimi i "vullkanit" "Qemal Stafa" për festën e çmendur të golit të barazimit. Dhe në minutën e 28-të Shqipëria provon të luajë nga krahët, Skela lë në vend një kundërshtar, kroson për Bogdanin, i cili shënon një gol të mrekullueshëm, me një goditje të bukur me kokë. Si i çmendur feston edhe trajneri Kuzhe. Pas 1-1 loja është disi më e qetë. Muri që ndal vazhdimisht Ronaldon quhet sërish Lorik Cana. Mbyllet pjesa e parë në barazim, por shqiptarët luajnë si të barabartë ndaj "brazilianëve" të Evropës. Edhe në pjesën e dytë ka shumë pak hapësira për portugezët. Ronaldo ekzekuton një goditje dënimi, por Hidi është aty për të mos e lejuar ta gjejë golin. Pesë minuta më vonë Bogdani i rrëmben topin Karvajos, futet në zonë, por portugezi i ndërhyn në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari i mohon Shqipërisë një penallti. Më pas, sulmuesi i Kievos (me probleme në kofshë, i lë vendin Salihit). Kalimi i minutave shton tensionin te kundërshtarët. Kueiroz tenton të rrezikojë gjithçka dhe heq një mbrojtës (Karvajon) e fut një mesfushor me tipare sulmuese (Nanin). Por Portugalia sërish nuk është agresive, dhe kjo për meritë të kuqezinjve të Kuzhesë. Rastet e rrezikshme të kundërshtarit janë sporadike, ndërsa Deko është plotësisht në hije, Ronaldo nuk mundet ta kalojë kurrsesi Canën. Duro del për Berishën, Skela për Bylykbashin. Vetëm pak minuta na ndanin nga festa, por pikërisht atëherë vjen edhe goditja fatale: në minutën e tretë shtesë, vendosja e mbrojtjes është e keqe në një kros të gjatë në minutën e 93-të dhe Bruno Alvesh na ndëshkon. Kemi një fitore "të vjedhur", por edhe një kombëtare të fituar. Kjo e Kushezë premton për të ardhmen, edhe pse i duhet të kujdeset më shumë për ato gabime të pafalshme në mbrojtje.