Bersani mandatohet si Kryeminister i Italise

Presidenti italian, Xhorxho Napoletano, ka mandatuar pasdite Pier-Luixhi Bersanin kreun e koalicionit të majtë dhe liderin e Partisë Demokratike, për krijimin e qeverisë së re të vendit, rreth një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 24 dhe 25 shkurtit. Në fjalën e tij, kreu i shtetit shprehu qartë vështirësinë e situatës, por bëri thirrje që të gjitha palët e përfaqësuara në parlament të marrin të gjitha përgjegjësitë.
“E rëndësishme është që t’u tregojmë partnerëve tanë dhe italianëve se vlerësojmë dhe kultivojmë vlerën e stabilitetit institucional, që nuk është më i parëndësishëm se ai financiar. Duke marrë në konsideratë precedentët e mëparshëm dhe në bazë të nenit 94 të Kushtetutës e kam mandatuar Pier-Luixhi Bersanin që të verifikojë mundësinë e gjetjes së mbështetjes në të dy dhomat e parlamentit, e tilë që të lejojë funksionimin e plotë të një qeverie dhe të ma komunikojë këtë sa më shpejt”, u shpreh Napoletano.
Napoletano paralajmëroi ndoshta një kohë të gjatë negociatash për krijimin e qeverisë së re, kur solli shembujt e fundit në Holandë e Izrael, vende në të cilat u deshën mbi 50 ditë për të arritur në një marrëveshje për formimin e ekzekutivit. I ndërgjegjshëm për këtë ngërç, ishte edhe kryeministri i mandatuar, Pier-Luixhi Bersani.
“Me pak fjalë, mund t’ju, them se kam qëllime të qarta për të zhvilluar negociata sa më shpejt. Sigurisht, reformat do të rishikojnë në rradhë të parë sistemin aktual politik. Padyshim, në këto takime do të prezantoj pikëpamjet e mia”, deklaroi Bersani.
Kushtetuta italiane nuk përcakton ndonjë afat kohor për negociatat. Aktualisht Bersani dhe koalicioni që drejton ka kontrollin e Dhomës së Deputetëve me 345 mandate nga 630 gjithsej, por nuk ka shumicë të mjaftueshme në Senat. Nga negociatat e ditëve të fundit me presidentin Napoletano është qartësuar pozicioni i Bersanit që nuk do të krijojë një qeveri me Berluskonin, ndërsa ky i fundit është vetëofruar për këtë zgjidhje. Bepe Grilo vazhdon të kundërshtojë çdo opsion për një qeveri si me koalicionin e majtë, ashtu edhe me të djathtin, ndërsa aleanca mes Bersanit e Mario Montit në Senat gjithsesi nuk e plotëson kushtin e krijimit të maxhorancës. Kështu që, panorama politike italiane mund të rezervojë edhe surpriza të momentit të fundit, po aq sa edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.