BDI miting përmbyllës në Kërçovë, Fatmir Dehari: Momenti historik për Kërçovën shqiptare
Ali Ahmeti thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni, bashkë do jemi më të fortë
Me himnin kombëtar të shqiptarëve Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI) e filloi tubimin qendror në Komunën e Kërçovës. Përpos përfaqësuesve të lartë të BDI-së, i pranishëm në këtë tubim ishte edhe veprimtari i njohur çështjes kombëtare Nait Hasani, i cili kishte ardhur për të dhënë mbështetje për Uskanën e lashtë.
Para një numri të madh të qytetarëve shqiptarë të cilit kishin ardhur nga të gjitha trevat shqiptare në Maqedoni, foli kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i cili fillimisht përshëndeti mërgimtarët që po vijnë nga të katër anët e globit, duke i falënderuar për mbështetjen e fuqishme që po japin Fatmirit për Kërçovën.
“Ëndrra për Kërçovën po bëhet realitet. Kërcova është e të gjithëve, ajo është e shqiptarëve, por edhe e komuniteteve tjera, sepse bashkë do jemi shumë më të fortë. Ditëve të fundit kanë vërshuar nëpër portale të ndryshme maqedonase shkrime dhe fotografi të cilat përpiqen të hapin një dozë frike tek qytetarët maqedonas. Kam parë fotografi ku Fatmir Dehari është paraqitur me uniformën e UÇK-së, po ashtu edhe Talati, unë dhe të tjerë. Unë ju them se kjo është diçka e ditur sepse para 12 viteve në nuk kemi qenë sharraxhinjë, por kemi qenë ushtarë dhe komandat të UÇK, kemi luftuar për liri dhe barazi në shtetin e Maqedonisë”, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se, në vitin 2001 kemi mbyllur kapitullin e luftës dhe këtë luftë mbetet ta vlerësojnë historianët.
Me luftën tonë ne siguruam të drejtat tona përmes Marrëveshjes së Ohrit e cila me dispozitat e saj i rregullon raportet mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Dhe kjo marrëveshje është e garantuar nga NATO, SHBA dhe Bashkimi Evropian. Prandaj skano pse frikohen maqedonasit sepse kapitulli i luftës ka përfunduar dhe me Marrëveshjen e Ohrit ne u demobilizuam për të bërë pjesë e institucioneve më të larta të shtetit.
Ahmeti kërkoi nga qytetarët e Kërçovës që më 24 mars të jenë vigjilentë dhe të votojnë në mënyrë sa më të qetë duke dëshmuar kulturë të lartë për proces zgjedhor sa më demokratik. “ I gjithë opinioni ndërkombëtar Uashingtoni Brukseli dhe qendrat tjera vendosëse, dashamirës tanë dhe të rajonit, dashamir të paqes dhe progresit porosisin që më 24 mars të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe demokratike. Por edhe ne vet jemi të vetëdijshëm sepse edhe postulati jonë i kamotshëm është zgjedhje të lira dhe demokrati”, shtoi Ahmeti.
Kandidati për kryetarë i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari para të pranishmëve në këtë tubim deklaroi se dita e sotme është një ditë e veçantë sepse fillon pranvera, fillon edhe një pranverë institucionalë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike, fillon pra një pranverë juridiko kulturore.
“Pra sot në sheshin e Kërçovës lind të jetë e re për të gjithë qytetarët dhe pas 25 marsit në qeverisjen tonë do të ndryshoj shumë çka në këtë qytet, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, arti, kultura, mjedis dhe të gjitha sferat tjera të cilat do ti shijojnë të gjithë qytetarët”, theksoi Dehari.
Ai kritikoi kryeministrin Gruevski i cili para disa ditëve në tubimin e mbajtur në Tetovë nuk ka folur aspak për zhvillimin dhe perspektivën e Kërçovës por është marr me atë dhe kolegun e tij Izet Mexhitin.
“Unë do t’i drejtohem kryeministrit jo me gjuhën e njëjtë të urrejtjes por me gjuhën tonë, me kulturën tonë shqiptare dhe qytetare. Gruevski i mohoi kurbetqarët tanë duke harruar se ata mbajnë gjallë ekonominë e qytetit ata kontribuojnë më shumë se qeveria e Maqedonisë, ata dhjetëfishojnë buxhetin tonë duke kontribuar për zhvillimin e këtij vendi në të gjitha sferat”, theksoi Dehari.
Sipas tij, fjalori i kryeministrit Gruevski ishte i pa matur dhe dëmton harmonin fetare dhe ndëretnike të cilat i kemi ndërtuar për shekuj me radhë.
“Gruevski tentoi që ta ndryshoj demografinë e qytetit duke sjellë dhe duke ju dhënë dokumente banorëve nga Pusteci, Korça dhe vende tjera. Por kjo tentativë nuk i dha rezultate dhe do t’i kthehen në bumerang, sepse e keqja nuk mund ta mbisundojë të mirën. Kryeministri duhet ta dijë se qytetarët presin mirëqenie dhe begati dhe se ata e kanë tejkaluar moti mesjetën dhe tani janë në Evropian”, shtoi Dehari.
Qytetarëve, romë maqedonas, turq, egjiptian ai ju drejtuar në gjuhën maqedonase.
“Gjatë qeverisjes sime nuk do ketë paragjykime etnike dhe fetare, do jemi të barabartë të gjithë pa dallim ngjyre dhe etnie. Këtë qytet do të udhëheq me një gjuhë të vetme, gjuhën e tolerancë dhe mirëkuptimit”- u shpreh Dehari.
Fazli Veliu
“Është momenti historik që ta bëjmë Kërçovën ta bëjmë shqiptare. Jemi ne këtu në vendin tuaj dhe nuk jemi të huaj, sot jemi Zot të Uskanës tonë të tokës tonë të lashtë shqiptare”.
Izet Mexhiti
“E porosisim kryeministrin Gruevski se unë dhe Fatmiri bashkëpunojmë me shtetin amë dhe shtetin e Kosovës, shkojmë e vijmë, festojmë së bashku 100 vjetorin, por më 25 mars do jemi në Kërçovën tonë në Uskanën e lashtë ku edhe do ta ngrinim flamurin kombëtar do të krijojmë administratën tonë shqiptare me kryetarin Fatmir Dehari i cili ka dhënë një kontribut të çmueshëm për çështjen shqiptare”.
(INA)
-- PDSH kërkon të rikonfirmojë në Tetovë, Sadi Bexhetin – BDI kërkon ndryshimin me Teuta Arifin
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka mbajtur tubimin qendror mbrëmë në Tetovë, para mijëra simpatizantëve të kësaj partie. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka bërë thirrje që shqiptarët në këto zgjedhje të japin votën për PDSH-në dhe të dënojnë politikën e qeverisjes aktuale qendrore. “Unë kam bindjen e plotë se ju gjatë këtyre muajve e kuptuat qëllimin kryesor të qeverisë Gruevski-Ahmeti. Qëllimi kryesor i tyre ishte të eliminojnë misionin, idenë dhe kauzën kombëtare në Maqedoni. Sonte ju atyre ju dhatë përgjigjen më të fortë, më të merituar. Ka çështje shqiptare këtu dhe ajo është e pazgjidhur. Beteja që ne kemi me datën 24 mars është betejë e madhe mes atyre që mendojnë se s’ka çështje shqiptare dhe neve qe themi se ka çështje shqiptare dhe ajo është e pazgjidhur. Beteja e 24 marsit është beteja e atyre që mendojnë se duhet të mbështetet politika e Gruevskit dhe Ahmetit dhe neve që themi se shqiptarët e Maqedonisë 99% duhet ta dënojnë qeverinë e Gruevskit dhe Ahmetit.
Beteja e 24 marsit është beteja mes të vërtetës dhe mashtrimit”, theksoi Thaçi, duke shtuar se beson se fuqimisht do të mbështetet kandidatura e kandidatit për Tetovën, Sadi Bexheti.
Sipas tij, vota për Sadi Bexhetin do të jetë vota që do t’i nxjerrë përfundimisht prej skenës politike shërbëtoret e dhe të përulurit e maqedonasve dhe Gruevskit.
“Vota për Sadi Bexhetin do të jetë vota që do ta detyroje qeverinë shpejte ti shpall zgjedhjet parlamentare dhe ato zgjedhjet do i fitoje PDSH-ja. Ata të cilët po na gënjejnë në sy dhe na thuan se e kanë legalizuar flamurin kombëtar, t’i përkujtojmë atë ditë me voton tonë se PDSH-ja e Arbën Xhaferit që në vitin 1994 në fletëvotim e ka pas shqiponjën e Skënderbeut. Tetovar të dashur, ata të cilët u munduan që t’ju shtypin, ata që morën miliona euro që ne mos bëjmë ujësjellës duhet ti dënoni dhe duhet ti ndëshkoni, ata që nuk investuan asnjë metelik prej qeverisë në Tetovë, duhet të ndëshkohen me votën tuaj me 24 mars”, theksoi kreu i PDSH-së. Ai tha se gjithë sheshi i mbushur sonte në Tetovë ka një porosi që siç tha Thaçi të mos shqetësohet as Prishtina as Tirana as Uashingtoni as Brukseli as Ankaraja se ne do ta plotësojmë dëshirën e tyre do ti dënojmë mashtruesit me 24 Mars.
Thaçi ka folur edhe për oponentët e tij politik, kryesisht liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Sadi Bexheti është profesor i vërtetë, nuk është me diplomë false. Ajo zonja që e ka kryetarin e partisë me diplomë Prof. Dr Ali Ahmeti, le ta tregojnë të vërtetën për shitjen e Kërçovës. Këta njerëz të cilët nuk mërzitën aspak që shitën vendlindjen e vet Kërçovën, s’ka çka kërkojnë vota në Tetovë. Ata janë turist turistët këtu. Ne jemi në një rrugë të mirë, fitorja është shumë afër. Sa më e madhe dhe sa më e thellë është fitorja e PDSH-së, aq më lehtë do t’i realizojmë misionet dhe qëllimet e Arbën Xhaferit. Sa më e madhe dhe sa më e thellë fitorja e Sadi Bexhetit, aq më lehtë do t’i bindim aleatët perëndimor, SHBA-në, BE-në se ne kemi të drejtë. Sa më e madhe dhe sa më e thellë fitorja e PDSH-së, aq më aktive do të jetë Tirana dhe Prishtina”, ka theksuar Thaçi.
Sipas tij, situatën e rëndë që kanë kapluar komunat shqiptare, e ka bërë BDI-ja, dhe është turp i botës që sipas tij, 11 vjet jeni në pushtet.
Përkundrejt kandidaturës së Sadi Bexhetit të PDSH, BDI konkurron me Teuta Arifin e cila i ka kërkuar votën shqiptarëve për një vizion të përbashkët, për të ardhmen e qytetit të Tetovës.
-- RDK, tubim madhështor në sheshin e Flamurit në Gostivar
Rilindja Demokratike Kombëtare në praninë e banorëve dhe simpatizantëve të cilët ishin në një numër shumë të madh mbajti tubim qendror madhështor në sheshin e qytetit të Gostivarit. Para të pranishmëve mbajti fjalim kryetari i RDK-së njëherazi dhe kryetar i komunës së Gostivarit i cili foli për punët e bëra në mandatin e kaluar, dhe dëmet që i ka bërë kundërkandidati i tij nga radhët e BDI-së. “I dashur qyteti im! Ndihem shumë i emocionuar sonte në sheshin e flamurit teksa përsëritet historia. Të nderuar miq, ne në radhët tona kemi njerëz të ditur, të mençur, kemi përfaqësues të denjë të cilët ideal te jetës së tyre e kanë përfaqësimin tuaj sa më të denjë. Këtu sonte dua t’ju prezantoj nëpërmjet raportit të punës sonë katërvjeçare dhe disa fotografive më karakteristike se çfarë ka bërë Rufi Osmani për Gostivarin në mandatin katërvjeçar 2009-2013”.
Kryetari aktual i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani ka përballë në këtë garë dy kandidatë shqiptarë, Nevzat Bejta nga radhët e BDI-së si dhe Miat Sadiku i PDSH-së.