Besa "K.O", Dinamo nis arratisjen mes polemikash
Në Kavajë ka grintë, ka futboll, ka emocion, ka tension, por në fund fiton Dinamo, e cila, edhe pse me polemika të shumta, tashmë ka kompletuar arratisjen e vetme në krye. Ka mjaftuar goli i Souzës, shënuar që në minutën e 21-të të pjesës së parë, që Dinamo të fitojë në Kavajë, ndaj Besës vendase, e cila e ndjek hap pas hapi qysh javën e parë. Megjithatë, fundi i ndeshjes ka qenë mjaft i nxehtë, sepse gjyqtari i ndeshjes, Sokol Jareci, u ka mohuar vendasve një penallti, çka ka krijuar tension e acarim të tifozerisë vendase. Duhet nënvizuar fakti se i njëjti gjyqtar kishte dhënë më parë për Besën një penallti, të cilën e ka ekzekutuar Mancaku, por ka pritur portieri Hoxha. Ky i fundit mund të konsiderohet pa frikë lojtari i ndeshjes dhe heroi i Dinamos, sepse, veç pritjes së penalltisë (43‘), ka evituar disa gola të sigurt. Një rast i diskutueshëm për penallti ka qenë edhe ai i minutës së 13-të, kur portieri Hoxha ndali në mënyrë të parregullt Mancakun, por gjyqtari nuk e dha. Ka lëvizur shumë talenti i ri kavajas, Cikalleshi, ndërkohë që mbrojtësi Fagu ka lëshuar dy-tri predha të fuqishme nga rreth 20 metra, në drejtim të kuadratit blu, por portieri Hoxha ka bërë gati të pamundurën, duke evituar çdo rrezik të portës së tij. Pas shënimit të golit, Dinamo ka aplikuar më shumë kundërsulmin, i cili mund të kishte rezultuar efikas në disa raste, duke e ndëshkuar sërish Besën, që ka hedhur forca të shumta në sulm, por pikërisht në finalizim ka çaluar, ashtu si në ndeshjet e shkuara. Sidomos pjesa e dytë është dominuar nga vendasit, që krijojnë volum të madh loje, por nuk kanë mundur të gjejnë njeriun-gol, atë që do ta shtynte topin në rrjetën e portës mike. Sulmuesi kryesor i Besës, Daniel Xhafaj, sërish është shfaqur jo në formë të mirë në këtë ndeshje, duke mos e vënë thuajse në asnjë rast në vështirësi portierin dinamovit, Hoxha. Minutat e fundit të takimit kanë qenë të tensionuara, pasi tifozët nuk kanë miratuar vendimet e gjyqtarit Jareci. Nuk ka munguar hedhja e sendeve të forta në fushë, një prej të cilëve ka goditur në shpinë edhe trajnerin e Dinamos, Shkëlqim Muça. Në këtë mënyrë, Dinamo e rrit në 8 pikë diferencën me Besën e vendit të dytë, e cila, nga ana e saj, tashmë ndien dihatjen e Tiranës, që ka vetëm një pikë më pak, 17, së bashku me Apoloninë. Një javë para mbylljes së fazës së parë, Dinamo është "arratisur" në njëfarë mënyre, duke hedhur një hap mjaft deciziv me këtë fitore në Kavajë, ndaj rivalit direkt. Besa pëson humbjen e dytë radhazi, pas asaj në Krujë një javë më parë, ndërkohë që në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 1 pikë. Pra, një situatë krize, edhe pse në ndeshjen me Dinamon krijoi lojë, e dominoi kundërshtarin, por nuk doli dot te goli.
A. Manallari
A. Manallari