E Diel, 1 Nëntor 2026

Polemika e Berishës: Kuzhe nuk më flet kurrë

Besart Berisha nuk e ka pritur aspak mirë lënien jashtë Kombëtares për miqësoren e 14 nëntorit në Estoni. Sfida që do të luhet në Talin do të hapë një cikël të ri për skuadrën kuqezi, në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012. Natyrisht që puna për edicionin e ri, detyra e vërtetë e trajnerit Josip Kuzhe në krye të stolit, ka filluar me "spastrimin" e kontingjentit. Kroati 56-vjeçar deklaroi se nga ekipi kishte lojtarë që e kishin zhgënjyer, të cilët do të largoheshin dhe "viktimat" e para ishin mbrojtësi Elvin Beqiri dhe sulmuesi Berisha. Për 24-vjeçarin, që militon në Bundesligën II gjermane me Arminian e Bielefeldit, kjo nuk është hera e parë që mbetet jashtë grumbullimeve. Por, tashmë ai ka vendosur të shprehë publikisht gjithçka që mendon, edhe pse kjo përkthehet si polemikë me trajnerin. Berisha nuk e kupton përse nuk thirret në ndeshje të tilla, që do të ishte mundësi ideale për të dhe për futbollistët që kanë pak hapësira në përfaqësuese. "Momentalisht, as unë nuk e kam të qartë arsyen përse jam jashtë Kombëtares. Nuk e di çfarë kërkon trajneri Kuzhe. Ai asnjëherë nuk flet me mua, por as me të tjerët në skuadër. Po vazhdoj të stërvitem rregullisht. Megjithatë mendoj se disa direktiva mund të ishin të vlefshme: të më thoshte se ku duhet të përqendrohem më shumë, në mënyrë që të përmirësohem", ka deklaruar lojtari. "Personalisht po pres këshilla dhe udhëzime për të ardhmen, por askush nuk ka biseduar me mua. Në vend që të më ftonin në këtë ndeshje, në mënyrë që të kisha më shumë minuta në dispozicion, më lanë jashtë ekipit. Kështu kishte ndodhur edhe në miqësoren me Qipron. Nuk arrij t‘i kuptoj këto zgjedhje". Ish-lojtari i Hamburgut dhe Bërnlit e sheh veten si pjesë e brezit të së ardhmes së Shqipërisë dhe kjo është arsyeja përse kërkon të grumbullohet rregullisht. "Unë dhe disa futbollistë të tjerë jemi e ardhmja e Kombëtares. Mendoj se për moshën që kemi duhet të na kushtohet më shumë vëmendje. Prej 3-4 vitesh jam pjesë e skuadrës dhe duhet të kem trajtim më të mirë, të flasin më shumë me mua. Nevojiten rregulla profesionale, ndoshta duhet ndonjë marrëveshje, ndonjë mirëkuptim. Kështu nuk shkon", vazhdoi Berisha. Kosovari rrëfeu edhe se në ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit 2010 me Suedinë, trajneri Kuzhe i kishte premtuar se do ta aktivizonte, por kjo nuk ndodhi. Por, pavarësisht besimit të pakët, Berisha thekson se është gjithmonë i gatshëm të japë kontributin e tij për kuqezinjtë, sa herë t‘i jepet mundësia. Mosgrumbullimi i sulmuesit lidhet edhe me faktin se ai nuk ka hapësira as tek Arminia. Ekipi po shkëlqen dhe trajneri i beson vetëm formacionit të parë, por Berisha nuk e mendon largimin: "Do të pres shansin tim. Më pëlqen projekti i klubit, do ta respektoj kontratën që zgjat dy vjet e gjysmë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›