E Diel, 1 Nëntor 2026

Besart Berisha, "spastrimi" i paralajmëruar

Edhe pse vetë lojtari nuk e ka pritur mirë, mënjanimi (të paktën në këto momente) i Besart Berishës nga Kombëtarja dukej një vendim i arsyeshëm. Për karakteristikat e lojës, e në shumë raste edhe për egoizmin e tepruar që paraqet, 24-vjeçari ka qenë gjithmonë preferenca e fundit e Kuzhesë për sulmin. Pas dyshes Bogdani-Salihi vjen Kapllani, ndërsa sa herë që është krijuar mundësia, hapësira kanë pasur edhe Hyka, Lika e Vila. Prej emërimit të Josip Kuzhesë në krye të Shqipërisë, Berisha është aktivizuar vetëm në dy nga pesë ndeshjet e zhvilluara. Në total ai ka qenë në fushë 48 minuta: 3 minuta në sfidën me Portugalinë dhe 45 minuta në miqësoren me Gjeorgjinë. Kjo nuk është një situatë e re, pasi të njëjtat probleme Berisha i ka pasur edhe kur përfaqësuesja drejtohej nga holandezi Ari Han. Por, përveç arsyeve teknike dhe testimit të të rinjve, mosgrumbullimi i sulmuesit lidhet edhe me aktivizimin e pakët tek Arminia: në 12 javë të Bundesligës II, ai ka luajtur vetëm 4 herë, duke qëndruar në total 50 minuta në fushë.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›