E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përvjetor për Mihal Popin

Paraditen e së enjtes, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar do të kujtohet 100-vjetori i lindjes së aktorit Mihal Popi. Një aktivitet do ta shoqërojë këtë përvjetor. Mihal Popi lindi në Shkodër në nëntor të vitit 1909 dhe vdiq në shtator të vitit 1979. Ai ishte fotograf dhe aktor i njohur. Aktivitetin e tij artistik e filloi në teatër në vitin 1924 në Tiranë, me grupet amatore. Krijoi grupin e vet teatral në vitin 1932, pranë kinema "Gloria"-s, ku interpretoi disa role së bashku me Xhevat Serezin, Mihal Stefën, Hasan Reçin etj. Gjatë pushtimit punoi si fotograf, por edhe si aktor në Radio Tirana. Në vitin 1945 është ndër aktorët e parë në Teatrin Popullor, ku shkëlqeu që në rolet e para. Ka interpretuar mbi 40 role, ku ndër më të suksesshmit janë roli i prefektit Qazim Mulleti te "Prefekti", Anton Antonoviçi "Revizori", Falstaf "Gratë gazmore të Uindsorit", Zhurdeni "Borgjezi fisnik", senatori Lington etj. Ai është nderuar me titullin e lartë "Artist i Popullit". Ka interpretuar në disa filma artistikë, si edhe në estradën e shtetit. Ndërkohë ai renditet ndër aktorët e Teatrit Kombëtar, që kanë dhënë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në shumë aktivitete të rangut kombëtar dhe kryesisht në kinemanë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›