E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa bën "shou" në shtëpi, Bylis dorëzohet para saj

Bylis ka qenë një kundërshtar shumë i dobët për Besën, e cila dje dha "shou" përpara sportdashësve të vet, falë fitores 3-0 ndaj ballshiotëve. Vendasit kanë dominuar nga fillimi deri në fund takimin. Golin e kanë kërkuar që në fillim, por kanë mundur ta gjejnë vetëm pas 8 minutash, falë një aksioni të bukur, asist për Kulin, i cili, pasi ecën pak metra, lëshon një gjuajtje të saktë nga hyrja e zonës dhe ka çuar topin në cepin e poshtëm të portës së ballshiotëve. Pikërisht kapiteni Kuli kishte shënuar edhe në ndeshjen e fazës së parë mes këtyre dy skuadrave. Kavajasit janë më të qartë në lojë dhe më agresivë në mesin e fushës. Kuli luan rolin e liderit dhe e shtyn skuadrën e tij përpara. Ballshiotët kanë mundur të kërcënojnë vetëm një herë me anë të Dalipit, por gjuajtja e tij është bllokuar nga portieri Zendeli. Haliti ka shënuar në golin e dytë në minutën e 55-të, kur ka devijuar nga një afërsi me portën, një kros të shokëve të tij. Menjëherë pas shënimit të këtij goli, vendasit humbasin edhe disa raste të tjera për shënim. Bylisi kërkon të dalë nga loja e kontraktuar, e mbyllur në mbrojtje, dhe tenton të shfrytëzojë kundërsulmin. Megjithatë duket se nuk e ka forcën e duhur për të ndryshuar rrjedhën e një fitoreje të mundshme të kavajasve. Trajneri Hysen Dedja provon të freskojë skuadrën e tij, duke kryer të tre zëvendësimet. Por Besa shënon golin e tretë të saj me anë të Abilaliajt në minutën e 66-të, pas një asisti të marrë nga Mancaku. Ky është goli i parë i Abilaliajt dhe i vetmi që firmos golavarazhin pozitiv të kavajasve. Pas fiksimit të 3-0, ballshiotët nuk kanë se çfarë të humbasin dhe rrezikojnë gjithçka në kërkim të një goli nderi. Por kanë shpëtuar nga pësimi i golit të katërt, vetëm falë pritjeve të portierit të tyre. Vërshëllima e gjyqtarit shpëton Bylisin nga një goleadë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›