E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rendi pa nishan

Që një ditë të bukur në Tiranë mund të grabitej një bankë dhe në Vlorë do të dilnin maskat në rrugë, kjo duhet të pritej. Pritej, pasi kjo lexohet thjesht dhe me këmbë në tokë, qoftë vetëm nëpër të dhënat e kurbës së krimit për 20 ditët e para të muajit nëntor, vetëm për aq sa u jepet, pra nuk u censurohet mediave. Bëhet fjalë për një kurbë në ngritje të frikshme të "krimit të rrugës", një nocion që nuk haset aspak i artikuluar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Përkundrazi, në fjalimet e tij, që natyrshëm kanë në përbërje të tyre edhe synimet bazë të punës me sigurimin e rendit, përditë e më tepër lexon për "shkatërrimin e 200 bandave" - në formulimin më të mirë "të grupeve të organizuara kriminale" - apo për goditjen e një numri të grupeve kriminale që operojnë në "trafikun e qenieve njerëzore e drogave". Të thuash, më keq të trumbetosh, se janë asgjësuar 200 banda, jo vetëm është e rrezikshme, por edhe e dëmshme, pasi kjo na barazon me gjendjen kriminale në Irakun apo Afganistanin e largët. Gjithsesi, në rastin më të keq, uroj që ministri dhe këshilluesit e tij të mos e kenë përdorur këtë shifër thjesht për shkak të besimit te vlera bindëse e sasisë si nocion. Por kjo është një tjetër çështje. Problemi i vërtetë i policisë duket se qëndron pikërisht në drejtimin e vëmendjes, forcave dhe synimeve. Por le të vijmë në rastet që vetë ministria i ka emetuar përmes komunikatave, të njëjtat që janë transmetuar dhe dokumentuar nga mediat 24 orë më pas.

2 nëntor

Në Fushë-Krujë, pas një sherri banal, plasin armët dhe, në një skenë të denjë për filma ‘western‘, qëllohet nënkryetari i Këshillit Bashkiak. Nga plumbat e pakontrolluar plagosen një fëmijë dhe një femër. Ngjarja ndodh në mes të qytetit në orën 16:00. Banorët terrorizohen.

2 nëntor

Atentat për gjakmarrje te ‘Piaca‘ në qendër të qytetit të Shkodrës. Ngjarja, fatmirësisht pa viktima, ndodhi në orën 10:00 paradite. Terror mes banorëve.

3 nëntor

Në Vorë plagoset rëndë me breshëri armësh emigranti i sapokthyer nga Franca. Ngjarja ndodh paradite në qendër të qytezës, në mes të tregut. Breshëritë e "kallashnikovit" terrorizojnë banorët.

4 nëntor

Në Tiranë thyhet dhe digjet natën makina e pedagogut të Akademisë së Arteve.

5 nëntor

Në Arbanë të Tiranës, një qytetar merret peng dhe tentohet të varroset i gjallë në një gropë. Shpëton mrekullisht i ndjekur nga persona që e qëllonin me armë. Policia minimizon ngjarjen.

5 nëntor

Në Elbasan hidhet në erë makina e një futbollisti.

8 nëntor

Në Shkodër, grupe rivale hapin zjarr në mes të qytetit. Persona nga dy makina në ecje qëllojnë njëri-tjetrin, plagoset një kalimtar. Ngjarja ndodhi në orën 12:30, në lagjen "10 Korriku". Rrezikohet jeta e dhjetëra njerëzve. Policia nuk shprehet për identifikimin e autorëve.

Pra, rastet e mësipërme, që kanë ndodhur në harkun kohor të një jave, thonë më shumë se çdo koment që krimi i rrugës aktualisht ka thyer çdo rekord në shumë zona të vendit. Pasojat e evidentuara janë të frikshme, sidomos për njohës të parametrave elementare që duhet të realizojë policia përballë qytetarëve. Pra, në shumicën nga rastet e mësipërme veç të tjerave, në vendet ku ato kanë ndodhur është realizuar i plotë paniku e pasiguria te qytetaret. Duke shkuar në punë të tyre, ata janë bërë dëshmitarë të skenave të dhunës me përdorimin e armëve të zjarrit, duke u konvertuar edhe vetë në viktima të plumbave qorr. Ndërsa po të nisësh të bësh bashkë përsetë e një gjendjeje të tillë, del se ato nuk janë të pakta. Gjithsesi, të parën do rreshtoja pikërisht lënien pas dore, apo mos vlerësimin sa duhet të krimit të rrugës, duke u marrë me të tjera punë që përballë katastrofës që ky lloj krimi shkakton, janë krejt të një niveli të dytë. Para së gjithash detyra nr.1 e policisë është sigurimi i jetës së qytetarëve.

Të tjera mëkate që favorizojnë këtë lloj krimi, duket se vijnë nga politika e ndjekur këto vite të fundit me kuadrot e policisë. Kjo sepse janë hedhur në rrugë shumë kuadro policie të specializuar, të trajnuar brenda dhe jashtë vendit dhe janë zëvendësuar me militantë partie, një fenomen që është reklamuar fortë dhe nga misionet e huaja policore të atashuara pranë Rendit. Por, unë kam përshtypjen se edhe ajo pjesë e specializuar që ndodhet ende në radhët e policisë nuk përfillet, filluar nga influenca negative e segmenteve të centralizuara të pushtetit politik që i sfumojnë, bllokojnë dhe neutralizojnë në zbatimin e detyrës së tyre. Praktika ka treguar se sa herë është shmangur vëmendja nga krimi i rrugës, menjëherë ai ka ngritur krye. Dihet se elementët kriminalë e nuhasin, e studiojnë situatën. Ata janë shumë të aftë të kuptojnë paaftësinë dhe mos impenjimin e përditshëm të organeve të rendit.

Në një situatë të tillë shkak-pasojë gjendemi aktualisht, kur elementë, me apo pa precedentë penalë, nxjerrin pistoletat më shpejt se kaubojsët e Perëndimit të Largët. Po të shohësh rastet e mësipërme, del në konkluzion se një shumicë të rinjsh, apo mosha të tjera, mbajnë me vete armë zjarri dhe guxojnë t‘i përdorin kudo ku të jenë. Po le te vijmë te një tjetër fenomen. Më 13 nëntor, në Peshkopi, dy të rinj tentojnë të futen me dhunë në Drejtorinë e Policisë, pasi u ishin bllokuar makinat. Nis përleshja me policët. Këta të fundit, pra njerëzit e shtetit, nisin të qëllojë në ajër dhe për pasojë plagosin një qytetare??? Si do të komentohej kjo ngjarje dhe çfarë mesazhi do të përçonte tek opinioni publik? Kjo është pasoja e asaj që shkruam më sipër. Pra largimi nga policia i specialistëve të trajnuar dhe zëvendësimi me militantë partie, përditë e më shumë po na jep raste të ngjashme, ku policia vepron jo në mënyrë profesionale. Që policia nuk është në lartësinë e zbatimit të detyrës këtë e ilustron edhe rasti i pak ditëve më pas në Shijak, kur policët kërcënonin një 6-vjeçar të tregonte se ku i kishte fshehur të hollat i ati. Të njëjtën shije të hidhur lë edhe ngjarja e Sarandës e datës 9 nëntor, kur një klandestin 18-vjeçar, që kishte me vete bukë e djathë, dhunohet nga policia. Po kështu gjatë 20 ditëve të para të nëntorit ka pasur të paktën tri raste të kapjes së sasive të drogës që vijnë nga fshati i Lazaratit.

Pra, pasi Ministria e Brendshme dështoi duke mos gjetur guximin të shkatërronte parcelat me drogë, duket ka shtuar përpjekjet për të kapur drogën në momentin që ajo trafikohet. Në një kuptim, kjo politikë e ndjekur ka sjellë për pasojë shtimin e rasteve të trafikut të drogës. Një zgjidhje e llojit "kë të qaj më parë" që në rastin më të mirë do të penalizojë një numër të vogël trafikantësh, duke lënë jashtë kultivuesit, të cilët të pandëshkuar, madje triumfues, vitin tjetër do të mbjellin më tepër. Gjithsesi, plaga më e re, e hapur, ajo më e rrezikshmja, është në shpërthim e sipër. Është një vepër penale që në zhargonin policor quhet "krimi i rrugës". Një zhvillim që ka eklipsuar të gjitha veprat e tjera penale të identifikuara dhe që përbën rrezik real për sigurinë e jetës së qytetarëve.

Ja dhe paraqitja që ka një fenomen i tillë i zbërthyer në disa konkluzione.

1. Falë shmangies së vëmendjes nga krimi i rrugës, nëpër rrugët e Shqipërisë shumë të rinj lëvizin me armë në brez;

2. Armët përdoren sa herë u hyjnë në punë, pa pasur frikë për pasojat, për të qëruar hesapet edhe në mes të qytetit duke shkaktuar panik;

3. Në duar të popullsisë ka një numër shumë të madh armësh, që përdoren në të gjithë rastet, qoftë për të dalë në rrugë dhe vjedhur me armë qytetarët, qoftë për krim në familje, qoftë për të qëlluar komshiun, qoftë për të vrarë veten, qoftë për të luajtur me armë dhe për të vrarë tjetrin;

4. Në polici janë rekrutuar e po rekrutohen policë të pa trajnuar dhe të përzgjedhur politikisht;

5. Shtohen grupet e të rinjve e adoleshentëve me thika në brez, që nuk ngurrojnë t‘i përdorin duke shkaktuar të vrarë e të plagosur;

6. Vazhdon përdorimi i lëndëve plasëse për hakmarrje (4 raste në 20 ditë);

7. Ka të paktën tre persona të zhdukur në 20 ditë, dy nga të cilët minorenë;

8. Në Tropojë janë rizgjuar problemet e vjetra me një vrasje flagrante në mes të qytetit, edhe kjo me pasojë plagosjen e një të pafajshmeje që gjendej rastësisht në afërsi;

9. Trafiku i qenieve njerëzore vazhdon, policia në rastet e njohura ka dështuar qoftë në menaxhim të kufijve, qoftë në zbatim të ligjit.

Natyrisht që, nisur nga ministri i Brendshëm, të gjithë miqtë e tij, qoftë sipër, qoftë poshtë, në politikë, të rrethuar me roje të shumtë, janë të imunizuar nga pasojat e krimit, sidomos këtij të rrugës. Universalisht, edhe në këtë rast, është qytetari i thjeshtë ai që paguan deri në qindarkën e fundit. Ai do vazhdojë të paguajë derisa i njëjti ministër dhe ata që e këshillojnë, të kuptojnë se përpara se të kënaqin monitoruesit lapsgjatë të faktorit ndërkombëtar, duhet, më saktë e kanë për detyrë, të sigurojnë minimalisht jetën e qytetarëve. Pasi përditë e më tepër, duke shkuar në punë apo, në mungesë të saj, në hallet e veta, duke ecur në këmbë, ata janë duke u palosur përtokë nga plumbat e pakontrolluar të krimineleve që qëllojnë njëri-tjetrin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›