E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa e Krasniqit

Feja e shqiptarit është besa e tyre. Kështu u shpreh Akademik Mark Krasniqi në promovimin e librit të tij “Besa në traditën shqiptare”, i botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Edhe pse i ka kaluar nëntë dekada të jetës, Akademik Mark Krasniqi nuk ndalet së krijuari. Me energjinë dhe potencialin e tij krijues, ai të lë përshtypjen se është rreth tridhjetë vjet më i ri. I tillë dukej edhe në promovimin e librit të tij “Besa në traditën shqiptare”, i botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në ambientet e së cilës u mbajt promovimi.

Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), tha se edhe pse Krasniqi është në moshë të shtyrë, shpreson që të mos jetë vepra e tij e fundit.

Sipas tij, Krasniqi gjithë veprën e tij shkencore pa përjashtim e ka vënë në shërbim të interesit kombëtar.

“Me kënaqësi të veçantë i shpreh përgëzime Akademik Mark Krasniqit për botimin e veprës ‘Besa në traditën shqiptare’, me të cilën ai begatoi vëllimin e gjerë të veprave të tij shkencore dhe dëshmoi për funksionimin efektiv të energjisë së tij krijuese edhe në këtë moshë të shtyrë, duke na paralajmëruar se vargu i veprave të tij nuk përfundon këtu. Sot po bëhet promovimi i kësaj vepre më të re të Mark Krasniqit, të këtij personaliteti që e fisnikëroi jetën e tij me veprimtarinë e tij krijuese, shkencore dhe letrare, me veprimtarinë po aq të dalluar patriotike”, theksoi Bokshi.

Duke folur për librin e Krasniqit, Akademik Pajazit Nushi u shpreh se libri ka katër shtresa kuptimore të ndërlidhura. “Shtresa e parë është zbërthimi i kuptimit ‘Besë’ dhe ‘Pabesi’ në mendimin dhe në sjelljet e shqiptarëve në jetën familjare, në kohët e luftërave, në pajtim të gjaqeve, në mbrojtjen e të tjerëve, dhe në mbrojtjen objekteve sakrale; shtresa e dytë i përket trajtimit të besës shqiptare te disa autorë të huaj dhe vendas; shtresa e tretë është frymëzimi i krijuesve popullorë nga rëndësia e besës dhe e besnikërisë në raportet ndërshqiptare dhe ndërmjet shqiptarëve e të tjerëve, dhe shtresa e katërtë ka të bëjë me karakterin multidisiplinarë të studimeve për besën”, tha Nushi, i cili është edhe recensent i librit.

Ai shtoi se rolit të besës së shqiptarëve në kohëra të luftës autori i ka kushtuar kujdes të posaçëm. Nushi tregoi se rreth një e katërta e librit i kushtohet besëlidhjeve të shqiptarëve në kohë të ndryshme. Sipas tij, vepra e Akademik Mark Krasniqit ka dhënë shkas hulumtimit të mendjes së vetëdijshme e të pavetëdijshme të besës shqiptare, e cila deri më sot ka ngelë e paprekur.

Referuesi tjetër, Akademik Esat Stavileci u shpreh se autori ka gjurmuar shumë vepra dhe punime shkencore, të cilat kanë trajtuar traditën shqiptare sidomos besën dhe rolin e saj në traditën e popullit shqiptar. Ai shtoi se Krasniqi i është qasur gjurmimit të kësaj tradite shqiptare nga këndvështrimi zhvillimor i besës dhe i rolit të fjalës së dhënë, përkatësisht rolit të besës në jetën e përditshme të shqiptarëve, në marrëdhëniet e tyre sociale, morale, ndërpersonale, ndërfamiljare e ndërfisnore, duke përpunuar edhe rolin e saj jo vetëm në kuadrin e traditës shqiptare, por edhe në kuadrin e marrëdhënieve morale të shqiptarëve me popujt fqinj dhe me të tjerët, sidomos me popullin hebraik dhe mbrojtjen e tyre nga nazifashizmi gjerman para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Nga këndvështrimi i këtillë autori ka dalluar se për besën është shkruar nga ana e shumë studiuesve dhe krijuesve shqiptarë dhe nga të huajt. Këta studiues dhe krijues në forma të ndryshme e kanë vënë në spikamë thelbin kuptimor të besës shqiptare në mendimin popullor, etik, shkencor dhe në mendimin enciklopedik”, tha Stavileci.

Në fund, autori i librit u shpreh se tradita shqiptare është një pasuri shumë e madhe e popullit shqiptar. “Këtë e them jo vetëm që është e jona, por këtë e thonë edhe të huajt. Tradita shqiptare le që është e pasur, por është edhe shumë interesante edhe shumë unike”, tha Krasniqi. Sipas tij, në traditën e asnjë populli të Europës nuk gjen aso gjerash apo faktorësh që i ka tradita shqiptare.

“Askund nuk e kemi pasur mikpritjen shqiptare, askund nuk e kemi pas tolerancën që e ka pasur shqiptari, askund nuk e kemi pasur besën që e ka shqiptari”, shtoi ai.

Krasniqi tregoi se autorë të ndryshëm, të cilët e kanë studiuar besën shqiptare si fenomen të rrallë të një populli, kanë konstatuar se feja e shqiptarit vërtet është besa e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›