E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku im, Trimori

Trimor Dhomi është një shqiptar, mik i imi, dhe një kompozitor i talentuar kosovar i gjeneratës së mesme, të cilin e njoha në Prishtinë, derisa po punoja në shfaqjen "Rock'N'Roll". Njësoj sikurse shumë shqiptarë nga Kosova, as ai s’ka qenë kurrë në Bosnje e Hercegovinë...

Vendi ynë nuk i njeh dokumentet kosovare, dhe procesi i marrjes së vizës është rraskapitshëm i gjatë dhe i komplikuar. Zgjat me muaj, kërkon pëlqimin e Këshillit të Ministrave si një pikë të veçantë të rendit të ditës, atëherë kur të mbahen mbledhjet dhe kur Nikola Spiric tashmë të ketë përplot kërkesa të ngjashme, që për muaj të tërë i mbanë brenda sirtarëve të tij.

Ne, qytetarët e BeH, e dimë shumë mirë sesi për vite të tëra kemi qenë të nënçmuar dhe të ofenduar, duke pritur për viza në radhët e gjata para ambasadave të Perëndimit, duke plotësuar formularë të marrë, duke u ndjerë të mbyllur dhe më pak të vlefshëm, sikur nuk i përkisnim të njëjtit soj njerëzor të popujve të tjerë të Evropës dhe të Botës.

Heqjen e regjimit të vizave e pritëm si një dhuratë nga qielli, si një debllokim dhe shans që edhe të tjerët të na shohin se jemi një vend i afërt me idealet evropiane në kuptimin kulturor, që të shiheshim si një mik dhe partner, e jo si një shtet i largët dhe i harruar i territ e i barbarëve. Prandaj, unë kurrë s’do ta harroj video-xhirimin e gëzimit të papërshkrueshëm të tre boshnjakëve, të cilët në të tridhjetat e tyre hynë për herë të parë në Slloveni, në Bashkimin Evropian. Po gëzoheshin si fëmijët, derisa po kërcenin mbi njëri-tjetrin, me pasaporta në duar. Ishte ky xhirimi i euforisë së vërtetë të një gjenerate, një moment i jashtëzakonshëm, një fillim i lirisë. Fatkeqësisht, një bashkësi etnike në Ballkan, shqiptarët e Kosovës, ende nuk e gëzojnë këtë liri.

Pas terrorit prej disa deceniesh nga regjimi serb, pas përndjekjeve, arrestimeve, burgosjeve dhe rrahjeve, shqiptarët e Kosovës më në fund e pritën shtetin e tyre, por jo edhe lirinë, sepse atje ende nuk jetohet një demokraci e përkryer, as një mirëqenie, pikërisht sikurse që ndodh te ne apo edhe kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor. Tortura institucionale është edhe më e rëndë se ajo individuale, sepse e gërryen secilën ide të së drejtës dhe të drejtësisë. E, një “torturë të tillë legale” ndaj shqiptarëve po e realizon edhe pushteti i BeH, të cilët kryesisht nuk i lejon të hyjnë në vendin tonë, sepse Bosnje e Hercegovina nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.

Ekzistojnë një sërë rastesh në rajon dhe botë kur shtetet nuk njihen mes veti, por i njohin dokumentet e lëshuara nga shtete amë, të cilën gjë e bën madje edhe Serbia me dokumentet që bartin vulën dhe flamurin e Kosovës. Qytetarët e BeH kanë përgjegjësinë e të dënuarit të një praktike të tillë të dhunshme, e aq më tepër atë të Ministrisë së Jashtme dhe të Këshillit të Ministrave, të cilat edhe e definojnë sistematikisht si një “çështje ligjore dhe të rregullave”, megjithëse bëhet fjalë vetëm për një aparteid të paparë. Çdo ndarje e dhunshme e kulturave apo bashkësive është më e afërt me polin e barbarisë, përderisa përafrimi ose të kuptuarit e tyre paraqesin veprim civilizues.

Neve kjo na nevojitet, edhe në planin e brendshëm edhe në atë të jashtmin, njësoj siç i duhet edhe shtetit të Kosovës, sepse paratë publike duhet të shpenzohen që gjithçka që lidhë e bashkon; në shkollat që janë të hapura për të gjithë dhe që punojnë sipas programit të njëjtë e nën kulm të njëjtë; në institucionet publike që do të punojnë të gjithë, pavarësisht gjinisë, kombit apo gjuhës; në mjetet transportuese që do të nisen nga të njëjtat stacione; në trenat e autobusët që s’do të jenë të ndarë etnikisht dhe në të cilët do të mund të ulemi afër kujt të duam. Asnjë shtet s’do të mund ta ndalojë një shoqëri për të qenë e afër atyre që i ndjemë të afërm dhe të dashur, njësoj siç është për mua miku im, Trimori, i cili ende nuk mundi të vije në premierën sarajevase të shfaqjes “Sta Smo to Ucinili” (Çfarë kemi Bërë Ne Kështu), në Teatrin Kamertal 55, për të cilën ai e kompozoi muzikën.

Gjatë premierës së para dy netëve u interpretua muzika e tij, sepse notat s’kishin nevojë për vizë, sepse muzika nuk i sheh dhe as nuk i njeh kufijtë administrativë dhe etnikë të ngritur nga politikanët e BeH. Trimori është një artist që beson se ne jetojmë në një botë pluraliste, në të cilën konfirmimi i vetvetes nuk kalon mbi shkatërrimin dhe nënçmimin e tjetrit. Dhe, siç thotë filozofi bullgar Cvetan Todorov “... ka ardhur momenti që secili të marrë përsipër përgjegjësitë e veta: duhet të mbrojmë planetin tonë të brishtë dhe banorët e tij të papërkryer, sojin njerëzor".

Mund të mbrohemi vetëm përmes besnikërisë ndaj miqve, prindërve, fëmijëve e të afërmve, duke ndërtuar hierarkinë personale të vlerave. Në këtë kontekst, kufiri e humbet rëndësinë, dhe e vetmja gjë e rëndësishme bëhet kualiteti i raportit njerëzor dhe individual, gjegjësisht kualiteti i përvojës që na lidhë me ta. Kështu kufijtë, nëse veç duhet të ekzistojnë, do të bëhen ura dhe lidhëse, e jo mure dhe barriera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›