E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen dy hajdutë makinash

Ndërsa vazhdon me ritme të larta vjedhja e automjeteve në rrethin e Durrësit, edhe forcat policore i kanë angazhuar një pjesë të energjive në zbulimin e autorëve që janë kthyer në tmerr për drejtuesit e automjeteve. Dy persona janë arrestuar, ndërsa akuzohen se janë autorë të vjedhjeve të disa automjeteve në qytetin bregdetar. Mbi bazën e informacioneve dhe të një pune të mirorganizuar mes strukturave policore u bë i mundur ndalimi i shtetasit Mjaltor Lala, 35 vjeç nga Durrësi, i papunë, si dhe Dashamir Xhepës, 24 vjeç nga Tirana. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, të shtunën kishte nxjerrë urdhër-ndalimi për Lalën, pasi strukturat e policisë kanë dokumentuar me prova ligjore se është autor i vjedhjes së tre automjeteve në qytet dhe një arme gjahu. Ndërsa Xhepa është kapur në bashkëpunim me policinë e Qarkut të Lezhës. Mbi të rëndojnë vjedhjet e dy automjeteve "Mercedez Benz".

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›