E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linja e tensionit të lartë shkrumbon magazinën e drurit

Një zjarr i fuqishëm, i shkaktuar nga këputja e telave në shtyllën e linjës së tensionit të lartë, ka shkrumbuar një magazinë të përpunimit të drurit në dalje të qytetit të Koplikut. Për fat, dëme në njerëz nuk ka pasur, ndërsa dëmet materiale llogariten në rreth 7 milionë lekë të rinj. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur në magazinë nuk ndodhej njeri. E gjithë magazina është përfshirë nga flakët duke shkrumbuar gjithçka që ndodhej brenda. Është dashur ndërhyrja e banorëve të zonës dhe zjarrfikëseve të Koplikut dhe atyre të ardhur nga Shkodra për të bërë të mundur të izolohet përhapja e flakëve, pasi rrezikohej të përfshiheshin edhe disa reparte të tjera të përpunimit të drurit që ndodheshin fare pranë. Pronari i magazinës së djegur, Sulejman Duli, tregon se "lënda drusore e djegur ishte përpunuar dhe ishte bërë gati për eksport. Dëmi i shkaktuar është rreth 7 milionë lekë të rinj. Shkak është bërë linja e tensionit të lartë, telat e së cilës pasi kanë rënë mbi çatinë prej llamarine të magazinës kanë shkaktuar shkëndija, duke provokuar përhapjen e flakëve. Problemet me tensionin e lartë kanë qenë të vazhdueshme deri sa dha goditjen fatale duke shkrumbuar gjithçka". Edhe policia ka përcaktuar si shkak të zjarrit linjën e tensionit të lartë. Sipas banorëve të zonës, në Malësi të Madhe kohët e fundit ka pasur probleme serioze me linjat e tensionit të lartë.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›