PDS dhe PR, depozitojnë pranë KQZ-së propozimin për reformën zgjedhore

Milo: Shpresojmë që nisma jonë të respektohet
Partitë politike kanë paraqitur sot në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore platformën e tyre për kodin e ri elektoral. Në një prononcim për mediat kreu i PDS-së Paskal Milo ka deklaruar se janë parashtuar para komisionit disa amendime në lidhje me formulën e përllogaritjes së mandateve në procesin zgjedhor.
“Kemi bërë propozime konkrete në mënyrë që formula që ne kemi parashtruar që të ndihmojë në punën e komisionit parlamentar. Shpresoj që ky komision si mbartës i vullnetit politik të Kuvendit të Shqipërisë do ta shqyrtoj këtë iniciativë dhe do të mund të adaptoj formulën më të mirë duke bërë të mundur barazimin e votës aq shumë të nevojshme në funksion të një demokracie reale”- theksoi Milo.
Ai ka theksuar se komisioneri për zgjerim Fule gjatë vizitës së tij në Tiranë duhet të informohet edhe për nismën e 26 partive politike në vend për të kontribuar për reformën zgjedhore. “Gjatë vizitës së tij në Tiranë, komisioneri Fule duhet të informohet për iniciativën e partive politike për të kontribuar për kodin zgjedhor që përkon edhe me rekomandimet. Besoj që Fule të informohet nga kreu i prezencës së BE-së, Ettore Sequi për të gjithë rrjedhën e ngjarjeve dhe kërkesave tona të drejta”- shtoi ai.