E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, kualifikim në minutën e fundit



Besa me barazimin 1-1 në Qipro arriti një kualifikim spektakolar në Kupën Intertoto kundër Ethnikos Aknasi (takimi i parë në Tiranë u mbyll 0-0), duke kaluar për të dytin vit rresht turin e parë të një kompeticionin evropian, pas atij të sezonit të kaluar në Kupën UEFA kur eliminoi serbët e Bezaninjës (dhe atëherë me dy barazime: 2-2 në Beograd, 0-0 në Tiranë).
Goli i kualifikimit për kavajasit u realizua në minutën e 90-të me anë të Liridon Lecit, i cili bëri të pavlefshëm golin e shënuar nga Manousakis në minutën e 57-të. Në turin e dytë të Kupës Intertoto, Besa do të përballet me skuadrën zvicerane Grasshopers. Takimi i parë do të luhet, më 5 korrik në Zvicër, ndërsa ai kthimit, një javë më pas, më 12 korrik në Tiranë.
KUALIFIKIMET NË KUPËN INTERTOTO
Besa bëhet kështu ekipi i katërt shqiptar që arrin të kalojë turin e parë në Kupën Intertoto, pas Teutës Partizanit, e Vllaznisë.
TEUTA -Në vitin 2002 Teuta eliminoi Valetën e Maltës (fitoi në transfertë 2-1 dhe barazoi në Durrës 0-0). Në turin e dytë u eliminua nga rumunët e Gloria Bistrica. Humbi 3-0 në Rumani dhe fitoi 1-0 në Durrës.
PARTIZANI - Në vitin 2003, Partizani eliminoi në raundin e parë skuadrën izraelite Makabi Netanjau (2-0, 1-3, gol i rëndësishëm i Muzakës në ndeshjen e kthimit). Në të dytin, Partizani i humbi të dyja takimet me skuadrën moldave Dacia Kishinau (0-3, 0-2).
VLLAZNIA -Në vitin 2004, Vllaznia eliminoi në turin e parë skuadrën izraelite Hapoel Bear Sheva. Humbi ndeshjen e parë në Shkodër 1-2 dhe fitoi ndeshjen e kthimit në Izrael 1-0. Dy golat për Vllazninë i shënoi Hamdi Salihi. Për shkak të aktivizimit të një lojtari të pafederuar në UEFA, skuadra izraelite e humbi takimin në tavolinë 3-0. Në raundin e dytë të këtij edicioni, Vllaznia u eliminua nga skuadra kroate Slaven Belupo Koprivnica. Humbi në transfertë 2-0 dhe fitoi në Shkodër 1-0 (gol i brazilianit Abilio). Në vitin 2007, Vllaznia eliminoi skuadrën kroate NK Zagreb (1-2 në Kroaci, 1-0 në Shkodër), por aventura kuqeblu përfundoi me dy humbje të mëdha nga turqit e Trabzonsporit: 6-0 e 4-0.

Argjentinasi Zuleta, trajneri i ri Dinamos

Dinamo shkarkon trajnerin Ilir Daja, edhe pse tekniku që u riktheu bluve titullin pas gjashtë viteve ishte duke përgatitur skuadrën për ballafaqimin e rëndësishëm në Ligën e Kampioneve. Gjithsesi, Daja, i cili luan edhe rolin e drejtorit teknik të Dinamos, do të mbajë vetëm këtë detyrë, duke qenë edhe në rolin e trajnerit hije.
Argjentinasi Zuleta
Tirana dhe Flamurtari për momentin janë dy skuadrat e vetme që në bankinë kanë trajnerë të huaj, 23-herë kampionët sapo firmosën me boshnjakun me pasaportë kroate, Bllazh Slishkoviç, ndërsa Flamurtari, skuadra shqiptare më e suksesshme në Europë, rikonfirmoi kroatin Sllavko Kovaçiç. Sipas burimeve nga klubi 17-herë kampion, në stolin e Dinamos do të ulet argjentinasi 44-vjeçar Marcelo Javier Zuleta, i cili më parë ka drejtuar edhe në Haiti e Nikaragua. Dinamo ka pasur në të kaluarën në drejtim dy trajnerë argjentinas Pedro Pablo Paskulin dhe Ramon Kabreron. Në stolin e Dinamos janë ulur edhe dy kroatë: Luka Bonaçiç e Ivan Kataliniç.
Husain e Klusner
Trajneri i ri argjentinas Zuleta vjen me “valixhe” plot. Me të do të vijnë edhe dy sulmues: Dario Husain e Gonzalo Klusner. Husain, 32 vjeç (174 cm) ka luajtur më parë me Gimnasia y Esgrima de Jujuy. Gonzalo Klusner ka luajtur së fundi me Ben Hur.Lojtari i fundit argjentinas që ka luajtur për Dinamon ishte Hanush, një blerje që rezultoi e dështuar.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›