E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa, lëkundet stoli i Sulejman Starovës

Sulejman Starova rrezikon postin si trajner i Besës. Trajneri kryeqytetas është fare pranë shkarkimit për të dytën herë brenda sezonit (deri në javën e 5 ishte në krye të Tiranës) dhe mund të bëhet tekniku numër 19 që largohet në këtë sezon. Gjithçka ka ardhur pas rezultateve të dobëta që po kalojnë verdhezinjtë në kampionat. Skuadra vuan në lojë dhe rezultatet nuk janë ato të një skuadre që në fillim të kampionatit deklaronte me të madhe se do të fitonte titullin kampion, ndërsa tashmë pretendon të paktën të sigurojë një vend mes tre kryesueseve. Shifrat janë kundër Starovës, që në 13 javë ka marrë më shumë humbje sesa fitore. Me në krye ish-trajnerin e Tiranës, Besa ka fituar vetëm 5 takime (të gjitha të luajtura në fushën e saj), ka humbur 6 dhe regjistruar 2 barazime, me golavarazh të përgjithshëm 15 rrjeta të realizuara dhe 17 të pësuara. Verdhezinjtë vuajnë në lojë, ku mbi të gjitha kanë treguar "brishtësi" në takimet e zhvilluara jashtë fushe. Fitorja e fundit në një fushë që nuk është ajo e Kavajës është regjistruar në javën e dytë të kampionatit, kur më 2 shtator 2007 fitonte 0-1 me Teutën falë golit të Xhihanit. Tetë muaj pa fituar jashtë fushe janë shumë për një skuadër elitare, e aq më keq për ato që pretendojnë të garojnë deri në fund për titullin kampion.

Besën me petkun e kampiones e besonte edhe trajneri Starova, kur u prezantua zyrtarisht në krye të stolit në fillim të dhjetorit. Gjatë konferencës ku u bë pasardhës i rumunit Silviu Dumitresku, tekniku deklaronte me bindje: "Në skuadër kemi lojtarë shumë cilësorë dhe i kemi të gjitha mundësitë që të jemi kampionë. Momentalisht, ekipi ka nevojë që të menaxhohet dhe drejtohet mirë. Grupi është i mirë dhe them se do të arrijmë ta fitojmë kampionatin dhe të kryesojmë ashtu siç ka bërë Kavaja në këtë fillim kampionati". Pas fjalëve përpara mediave, Starova ka filluar punë në terren, por që prej javës së 14-të, kur mori drejtimin e skuadrës, Besa ka pasur shumë oshilacione. Jashtë fushe, verdhezinjtë kanë pësuar 4 humbje: me Flamurtarin (dy herë), Tiranën e Elbasanin. Rezultatet e vetme pozitive jashtë fushe janë barazimet 2-2 me Besëlidhjen (java 21-të, më 23 shkurt), ndërkohë që dy javë më parë kavajasit kishin marrë një barazim të kontestuar 3-3 në "Qemal Stafa" përballë Partizanit. Në 13 javët e para, skuadra kishte grumbulluar 24 pikë dhe ndodhej e treta, 4 pikë larg Dinamos kryesuese, ndërsa në 13 javët e Starovës janë grumbulluar vetëm 17 pikë, pra 7 më pak: dinamovitët vazhdojnë të mbajnë kreun, por tashmë të distancuar me 10 pikë. Por, përveç rezultateve, kundër teknikut flasin edhe tifozët. Mbështetësit verdhezinj janë lodhur nga dështimet e njëpasnjëshme dhe në fund të ndeshjes me Elbasanin, ata kanë thirrur në korr "Starova ik!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›