E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e ëmbël dhe e trishtë e Xhorxh Bushit dhe Vladimir Putinit

Ky ishte takimi i fundit i Xhorxh Bush dhe Vladimir Putin, si liderë të dy kundërshtarëve të dikurshëm të Luftës së Ftohtë, dhe ata u dukën si dy shokët më të mirë në botë. Dy presidentët i drejtoheshin njëri-tjetrit në emër gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, madje Xhorxh Bush, nxitoi të thoshte se takimet e tyre kanë qenë gjithnjë të dominuar nga mirëkuptimi edhe atëherë kur ata nuk janë kuptuar. Dhe moskuptimi është i dukshëm, e madje në çështjet më themelore si zgjerimi i NATO-s dhe sistemi mbrojtës nga raketat. Vladimir Putin theksoi kundërshtimin e vendit të tij ndaj planit amerikan për një sistem mbrojtës në Evropën Lindore, ishte diçka më shumë sesa një objeksion i thjeshtë i protokollit. "Kjo nuk ka të bëjë me gjuhën, nuk ka të bëjë me perifrazimin diplomatik, kjo ka të bëjë me thelbin e çështjes", tha ai. "Unë do të doja të isha shumë i qartë në këtë pikë. Qëndrimi ynë ndaj planit amerikan, nuk ka ndryshuar. Herën e parë që ata u takuan, Xhorxh Bush, lajmëroi se ai kishte prekur një grimcë të shpirtit të Vladimir Putinit. Në dukje, ai kishte pëlqyer atë që kishte parë. "E pashë atë njeri në sy", kishte thënë ai në 2001-in. "Vura re se ishte shumë i prerë dhe i besës... Nuk do ta kisha ftuar në fermën time në rast se nuk do t‘i kisha besuar". Shtatë vite më pas, duket se ajo ndjesi është ende e paprekur. Në pragun e derës së vilës së tij verore, të shtunën, Vladimir Putin përshëndeti çiftin e parë të Shteteve të Bashkuara; një përqafim i fortë për Bushin dhe një buqetë me lule për bashkëshorten e tij. Dy presidentët bënë një shëtitje në mbrëmje përgjatë bregut jugor të Rusisë dhe kur deti u zhyt nën Detin e Zi, ata patën kohë të reflektonin mbi një marrëdhënie personale që po i afrohej fundit. Bush u duk madje i trishtuar në daljen para gazetarëve. "Ky nuk do të jetë takimi ynë i fundit si persona, por është takimi i fundit si presidentë të vendeve tona. Dhe kjo, është pak nostalgjike", tha ai pas takimit të djeshëm. Por, ndërsa të dy ata nuk e fshehën aspak pëlqimin dhe admirimin për njëri-tjetrin, ndjesia e besimit nuk ishte e përbashkët. Në Sochi, Presidenti Bush edhe një herë dha garancitë e tij se sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat, nuk kishte në shënjestër Rusinë. Problemi është se Vladimir Putin, thjesht nuk e beson atë. E njëjta situatë edhe me zgjerimin e NATO-s. Putin e konsideron planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një përpjekje për të frenuar Rusinë. Në samitin e javës së shkuar, në Bukuresht, Rusia shënoi një fitore të pjesshme mbi çështjen e zgjerimit të aleancës. NATO nuk ftoi Ukrainën dhe as Gjeorgjinë, të dyja ish-republika sovjetike, në planin e saj të veprimit për anëtarësim. Por, kjo është vetëm një ringritje e përkohshme për Presidentin rus. Bisedimet do të fillojnë sërish në dhjetor dhe herët apo vonë, NATO ka thënë se të dyja vendet, do të bëhen anëtare me të drejta të plota. Mbi çështjen e mbrojtjes raketore, Presidenti Bush mori mbështetje nga aleatët e NATO-s e si pasojë ai mund të vazhdojë përpara. Por, kjo gjithsesi, provon se sa seriozisht e sheh tani Amerika, Rusinë, që është shndërruar së fundmi në një aktor kyç në skenën botërore. Dhe duket se Putini është i kënaqur nga kjo. "Amerikanët kanë dëgjuar me kujdes shqetësimet tona", tha ai të dielën. "Ne shohim që Presidenti amerikan është serioz dhe dëshiron me të vërtetë ta zgjidhë problemin. Kur mediat ndërkombëtare mbulonin takimin e parë të tyre, shtatë vite më parë, shkruanin: "Të dy ata kishin qëndrime të kundërta për sa i takon zgjerimit të NATO-s dhe planeve amerikane për mbrojtjen nga raketat, por shkëmbyen fjalë të ngrohta". Të njëjtat fjalë, mund të përsëriten edhe tani. Pra, a ka ndryshuar ndonjë gjë? Shumë prej atyre çështjeve që e ndanin Rusinë nga SHBA në 2001-in, vazhdojnë ta ndajnë edhe sot. Por, gjithsesi, nën Putinin, Rusia është bërë më e pasur dhe ka marrë një rol më të fuqishëm në skenën botërore. Dhe Bush, e ka marrë në konsideratë këtë fakt. Por, kur presidentët e rinj të Rusisë dhe SHBA-së të takohen për herë të parë, vitin e ardhshëm, ata do të vazhdojnë të debatojnë mbi çështjet delikate si zgjerimi i NATO-s dhe mbrojtja nga raketat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›