E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka vend për cdo moshe

Sonte në mbrëmje në kinema "Millenium", do jetë premiera e gjashtë filmave të animuar, prodhime shqiptare të viteve të fundit nga emra shumë ose pak të njohur të kësaj gjinie, të cilët kanë arritur të sfidojnë megakrizën e karton-filmit jo thjesht për të mos e lënë të shuhet, por dhe duke e ringritur nga gjendja e mynxyrtë e harresës ose e mosinteresit për të brenda kufijve kombëtarë, në kushtet e produksioneve marramendëse në sasi e cilësi që vijnë nga jashtë.

Nata e sotme e premierës së tyre, është zgjedhur dhe sajuar kështu, pra bashkërisht, për të dhënë dhe një mesazh se filmi i animuar shqiptar ka deri diku dhe elementë të një industrie, e nuk gjallon (aq sa ekziston) vetëm si iniciativë individuale. Tek e fundit, larg çdo patetizmi lidhur me të një të ashtuquajtur shkëlqim-rënie-ringritje e filmit të animuar (ose multiplikativ, nëse thërrasim në ndihmë emërtesën e dikurshme), është tregu ai që e kërkon këtë lloj filmi. Sepse, gjersa i përgjigjet universit delikat të moshës së njomë, nuk ka gjasë të mos ketë efektin apo tërheqjen si te Shreku fjala vjen për diferenca që edhe pse mund të jenë të thella nga pikëpamja e realizimit dhe teknologjisë, nuk vlejnë shumë për vegjëlinë që është më tepër e prirur nga fabula. Mos harrojmë se në mendjen e disa brezave, te filmi me vëllezërit dembelë ku i ati u lë amanet një thesar e ata në përpjekje për të gjetur thesarin, gjasme në formën e një qypi me flori, gjejnë thesarin e mundit së tyre duke lëruar tokën, ka mbetur e pashlyer fabula e jo realizimi teknologjik. Por gjithsesi, edhe në këtë aspekt, filmat që do të prezantohen sonte në mbrëmje kanë ç‘të sjellin.

Regjisorët që i sjellin këto filma janë nga më të njohurit e kësaj gjinie.

Artan Maku vjen me "Divi dhe Gjahtari", ku në subjekt është njeriu që priret nga e keqja duke mos qenë në gjendje të dallojë të mirën, sinqeritetin e naivitetin e për pasojë hakmerret me cinizëm. Gjin Varfi, vjen me filmin "Bishtprerat". Në subjekt është dinakëria e pacak e dhelprës që (po të përdorim një shprehje bulevardeske), ua fut dhe simotrave të saj, dhelprave të tjera, por kësaj here jo për neps organik, por për neps estetik. Një dhelpër e cila pretendonte të fitonte kurorën si "Miss Dhelpra me bishtin më të bukur" në pyll, pëson një aksident ku i këputet bishti. Ndaj, ajo sajon një të atillë dinakërie sa i bind të gjitha rivalet e saj që ta presin bishtin e kështu, triumfon mbi to. Artur Dauti, vjen me "Dy autorë, një personazh, një...figurant". Për këtë film, në synops thuhet se me një gjuhë filmike mjaft groteske, me një ironi të hidhur, paraqiten dy epoka historike dhe dy fenomene të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, por dhe asaj shqiptare në veçanti. Së këndejmi, duke marr shkas nga subjekti i këtij filmi, duhet thënë se jo të gjithë realizimet janë domosdoshmërisht të kufizuar te mosha e parë. Kështu për shembull, është filmi i regjisorit Stefan Taçi "Batterfly", ku në qendër të tij, është një vajzë piktore, e cila pas një telefonate niset të takojë të dashurin e saj në vendin e caktuar. Përmes simbolikës së poezisë së udhëtimit të vajzës-flutur siç shkruhet në synops, shohim dhe ndiejmë atmosferën tipike të qytetit, ku përtej një ndjesie lokale përjetohet sadopak dhe problematika globale. Historia, shprehet autori, zhvillohen në Tiranë, por mund të ndodhë në çdo vend të botës.

Shaqir Veseli, vjen me filmin "Cunami". Duke marrë shkas nga fenomeni tragjik i tre viteve më parë, ku cunami u përjetua si një forcë e egër që rrënon natyrën, autori bën një përqasje me intrigën, që sipas tij, është një cunam që rrënon shpirtin e njeriut.

Filmi i fundit, "Lunatizëm", është një realizim i treshes Elton Vogli, Ermir Destani dhe Roni Milla. Fabula e zgjedhur prej tyre është vërtet e rrallë dhe tronditëse. Në qendër të filmit është një prift që jeton i izoluar në qelën e tij. Por nga mënyra e besimit të tij, nga humbja e kontaktit me njerëzit, ai kalon në çmenduri, duke thyer të gjitha rregullat e madje dhe duke vrarë në fund. E ç‘ndodh më pas? Pasi humb jetën, prifti shpallet shenjt!!!

Këto pra ishin gjashtë filmat e animuar që do të shfaqen sonte premierë në kinema "Millenium", në orën 19.00.

Protagonistët

Artan Makun me "Divi dhe Gjahtari"

Gjin Varfi me "Bishtprerat"

Artur Dauti me "Dy autorë, një personazh, një...figurante"

Stefan Taçi me "Butterfly"

Shaqir Veseli me "Cunami"

Elton Vogli-Ermir Destani-Roni Milla me "Lunatizëm"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›