E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi zgjedh Presidentin e ri

Presidenti i Malit të Zi pritet të rifitojë titullin e tij pas zgjedhjeve të djeshme. Sondazhet paraprake tregojnë se Filip Vujanoviç, mund të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave dhe të evitojë kështu një raund të dytë balotazhi. Këto ishin zgjedhjet e para presidenciale që pasi Mali i Zi fitoi pavarësinë nga Serbia, dy vjet më parë. Presidenti Vujanoviç është shumë i afërt me Kryeministrin Milo Gjukanoviç. Ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin postet e Kryeministrit dhe Presidentit të vendit. Ndërkohë, kandidati pro-serb, Andrija Mandiç, pritet që pas rezultateve zyrtare të dalë i dyti, por sondazhet flasin gjithsesi për më pak se 20 për qind të votave. Një e treta e popullatës së Malit të Zi është me origjinë serbe. Mandiç, ka kundërshtuar prerë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe BE, si edhe ka deklaruar se nuk do të lejojë kurrë njohjen e Kosovës. Ndërkohë, opozita që përfshin edhe kandidatin e Lëvizjes për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, ka akuzuar qeverinë për tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit. Por në të vërtetë, ekonomia e Malit të Zi, ka lulëzuar që pas pavarësisë dhe kjo ndikon jo pak te zgjedhësit. Zgjedhjet e djeshme u konsideruan në fakt një test popullariteti për Partinë Demokratike të Socialistëve, në pushtet, e cila është në qeverisjen e vendit prej afro dy dekadash. Qendrat e votimit u hapën në orën tetë paradite dhe u mbyllën në orën 7 të mbrëmjes. Rreth 490 mijë njerëz, në shtetin e vogël në Adriatik, kishin të drejtën e votës. Posti i Presidentit në Malin e Zi, është në fakt një post shumë ceremonial, por gjithsesi, i lakmueshëm. Dhe Vujanoviç, ka bazuar fushatën e tij elektorale mbi një platformë që mbështetet mbi të gjitha tek eksperienca dhe vazhdimësia. "Ne duhet të punojmë për një jetë më të mirë, për vlera të reja, për një Mal të Zi të anëtarësuar në BE", tha Vujanoviç në mitingun e tij përmbyllës të fushatës, javën e shkuar. Ish-Republika Jugosllave, me rreth 650 mijë banorë, votoi në një referendum për ndarjen e tij nga unioni me Serbinë fqinje, në vitin 2006. Që atëherë ka njohur një shkallë të madhe rritjeje ekonomike, ka bërë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ka fituar një imazh pozitiv si një destinacion në lulëzim turizmi. Perëndimi thotë se sfidat më të mëdha për Malin e Zi, janë institucionet e dobëta dhe korrupsioni epidemik, pjesërisht i shkaktuar nga sundimi i vazhdueshëm i PDS-së mbi një shoqëri që preferon t‘i zgjidhë gjërat nëpërmjet lidhjeve personale dhe patronazhit politik. Ndërkohë, analistë të huaj, thonë se fitorja e pritshme e Vujanoviçit, tregon se malazezët preferojnë të mos rrezikojnë, por të luajnë një lojë të sigurt, të cilës i dihet rezultati. "Nëse Partia Demokratike e Socialistëve do të humbiste, shumë njerëz besojnë se do të humbnin vendet e tyre të punës", thonë analistët. "Kur njerëzit janë ende të varfër dhe jetojnë me një minimum të mundshëm, këto gjëra ndikojnë në zgjedhjet e tyre".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›