E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa me një këmbë në gjysmëfinalet e Kupës

Kavajasit, në inferioritet numerik, mposhtin 2-0 Tiranën. Vllaznia, barazim me Skënderbeun

Verdhezinjtë, pretendime edhe për dy penallti të paakorduara
Besa është pothuajse e kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 në sfidën e parë çerekfinale kundër Tiranës: kjo pavarësisht faktit se vendasit kanë luajtur për mbi 45 minuta lojë në inferioritet numerik, ndërsa në fund të takimit ata kanë pasur pretendime edhe për dy penallti të paakorduara nga gjyqtari Jorgji. Verdhezinjtë fitojnë në këtë mënyrë raundin e parë me bardheblutë, në debutimin e Devis Mukajt në rolin e trajnerit-lojtar: të dyja këto skuadra e vlerësojnë Kupën si trofeun e vetëm sezonal për të cilin do të garojnë, duke qenë se lufta në kampionat duket e mbyllur. Në një terren shumë të rënduar, forca fizike dhe efikasiteti i kundërsulmeve të Besës ka bërë diferencën. Seria e golave është hapur pas vetëm 11 minutave lojë, kur mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bici, është detyruar të shkaktojë faull brenda zonës, pas një pasigurie të portierit Nallbani. Ekzekutimin nga pika e bardhë e ka marrë përsipër Bledar Mancaku, që nuk gabon. Për vendasit, gjithçka komplikohet në të 44-ën, kur mbrojtësi Renato Arapi largohet nga fusha me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj Muzakës. Lëvizja taktike e Duros duket e çuditshme, por mjaft e “goditur”: Daniel Xhafaj spostohet nga sulmi në repartin defensiv, por nuk harron të ndihmojë shokët në kundërsulmet e shpejta. Prej minutave të para të fraksionit të dytë të lojës, Besa pretendon dy penallti, fillimisht me Sinanin (në të 55-ën) dhe Xhafajn (në të 63-ën). Faulli është shkaktuar në të dyja rastet nga Osmani (ndërhyrja e dytë ishte flagrante), megjithatë gjyqtari Jorgji nuk ka qenë i këtij mendimi. Ndërkohë, në mes të episodeve që shkaktuan mjaft polemika në fushë, Plaku ka qenë fare pranë barazimit për Tiranën, por traversa prishi festën e sulmuesit. Ndeshja është mbyllur virtualisht kur kronometri tregonte 77 minuta, me Besën që ka dyfishuar rezultatin, pavarësisht se luante me një lojtar më pak. Aksioni i gjatë i vendasve në zonën bardheblu është finalizuar nga Daniel Xhafaj, që fillimisht frenohet nga “gardiani” Nallbani, ndërsa më pas arrin ta shtyjë sferën në rrjetë. “Sigurisht mendoj se kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme, pasi e arritëm përballë një kundërshtari si Tirana, në kushte të vështira loje dhe mbi të gjitha me një lojtar më pak. Ky rezultat vlen mjaft për ecurinë e ekipit në Kupë”, deklaroi tekniku Duro. “Dhëmbë qendërmbrojtës? Paulini është lojtar polivalent, për të mbuluar këtë rol kemi edhe Poçin dhe Babamustën. Por, mund të them se zbulimi i ndeshjes ishte Daniel Xhafaj në rolin e mbrojtësit të krahut të majtë, duke mbuluar në mënyrë perfekte Muzakën. Kjo fitore me 4-5 mungesa nga ana jonë vlen shumë për moralin, pasi Tirana ka një ekip mjaft të fortë. Kualifikimi? 2-0 është një rezultat shumë pozitiv, por asgjë nuk mund të quhet e mbyllur. Do të japim maksimumin edhe në takimin e kthimit, për të luajtur në gjysmëfinale”. Në fund, ish-ndihmësi i Oto Bariç në Kombëtaren shqiptare, foli edhe për sfidën e ardhshme në Superiore, kundër Dinamos: “Të hënën do të luajmë me kryesuesit e kampionatit. Besoj se do të bëjmë maksimumin në Tiranë, për të arritur një rezultat pozitiv, pavarësisht se mund të kemi disa mungesa”.
Në takimin tjetër të zhvilluar dje, Vllaznia ka barazuar 0-0 në fushën e Skënderbeut. Korçarët kanë treguar “shenja jete” pas afrimit të donatorëve të rinj dhe pesë përforcimeve për skuadrën (Malindi, Grizha, Roshi, Asllani e Lefskaroski). E veçanta ishte se ndeshja startoi me top të bardhë, por temperaturat nën zero dhe reshjet e dëborës kanë bërë që ajo të përfundonte me top të kuq. Rastin më të mirë për shënim e kishte sulmuesi anglez i Vllaznisë, Xhemi Feniks, por gjuajtja e tij ndaloi në baltë, vetëm pak centimetra larg vijës fatale të portës kundërshtare.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›