E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana: 12 ndeshje pa fitore kanë rritur presionin te Sandërlendi

Premiership

Lorik Cana është shprehur mjaft i zhgënjyer për ndeshjen ku Sandërlendit iu mohua fitorja e parë në Premiership që prej nëntorit të vitit 2009. Mesfushori shqiptar e ka cilësuar si “zhgënjimin më të madh të sezonit” barazimin 1-1 në fushën e Portsmuthit, me golin e sekondave të fundit të realizuar nga Dindane, që e zgjati në 12 ndeshje pa fitore ecurinë negative të ekipit. “Macet e zeza” do të jenë pushim gjatë fundjavës dhe lojtari kuqezi shpreson se skuadra e Stiv Brus do ta shfrytëzojë këtë pauzë, për të mbledhur forcat për sfidën e ardhshme me Arsenalin. “Ndodhemi nën presion, por jemi profesionistë dhe krenarë që luajmë me këtë klub, e tashmë duhet të zbresim në fushë dhe ta tregojmë këtë”, deklaroi Cana. “Kemi një fundjavë pushim dhe ndoshta kjo mund të na shërbejë. Ky është një sezon i vështirë, por tashmë do të kemi kohë të reflektojmë për atë që ka ndodhur. Në të ardhmen na presin dy sfida mjaft të vështira, fillimisht në fushën e Arsenalit dhe më pas në shtëpi kundër Fulhamit”. Sandërlendi nuk fiton në kampionat pikërisht që prej sfidës ku mposhtën “topçinjtë” e Arsen Venger në “Stadiumin e Dritës”. Kuqeziu përfundoi: “Kemi humbur katër pikë dhe nuk janë pak. Gjithsesi, na kanë mbetur edhe 13 ndeshje dhe mund të përmirësohemi. Sezoni ynë ende nuk ka përfunduar”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›