Masa, detyrim paraqitje për ish-këshilltarin e Priftit
Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë ka liruar nga burgu ish-këshilltarin e Ministrit të Ekonomisë. Eduard Belegu do të hetohet në masën “detyrim paraqitje”, pasi si ish-administrator i shoqërisë DARFO-s akuzohet për marrje ryshfeti. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, Belegu ishte këshilltar i ministrit aktual të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe u akuzua se në periudhën kohore 2003-2007, kur kishte edhe postin e administratorit të DARFO-s, i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 6.5 milionë eurosh. Akuza zyrtare që u ngrit mbi të arrestuarit ishte “vjedhje për shkak të detyrës". Pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Elbasanit mbi bazën e një denoncimi të bërë në organin e akuzës, Gjykata e Rrethit Elbasan vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarve. Masa e sigurisë u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, ndërsa çështja u ankimua në Gjykatën Supreme. Duke marrë shkas edhe nga rrezikshmëria shoqërore dhe se vepra penale ka ndodhur kohë më parë, Belegu është lënë i lirë, duke u hetuar në masën “detyrim paraqitje”.
#